Një ditë im bir erdhi në shtëpi dhe më thotë: – Mami, sot unë u vrava në vend të keq, sepse më gjuajti një shok padashje me top.
Vendi i keq!!!
Fjalë të cilat nuk më tingëlluan mirë, e aq më tepër kur nuk përdoren dhe nuk i janë mësuar nga ne që jemi prindërit e tij.
Kjo bëri që biseda jonë mos të ndalej vetëm në merakun tim si prind, nëse ishte vrarë shumë apo kishte akoma dhimbje, por të diskutonim rreth këtij vendi të keq, që unë nuk po e “kuptoja” se cili vallë mund të ishte. Dhe pasi ma shpjegon se kujt i drejtohej, m’u desh t’i tregoja dhe t’i argumentoja që trupi ynë, trupi i tij nuk ka se si të ketë vende të këqija.
Kjo aq më tepër kur bëhet fjalë për organet tona gjenitale, që janë identifikuar si pjesa më e turpshme e trupit tonë, që i etiketohen emra dhe epitete të ndryshme, për të cilat as që informohemi dhe as që mund të shprehemi kurrë. Sikur të ishin jo funksionale, inekzistente. Edhe pse luajnë një rol kaq shumë të rëndësishëm, në shëndetin tonë fizik dhe mendor.
Duke menduar gjithashtu që emra të tillë të shëmtuar, të cilët shoqëria dhe kultura jonë i ka identifikuar dhe përdorur duhet të zhbëhen nga fjalori jonë, dhe nga mënyra se si ne i mendojmë, të pa vlera dhe të turpshme…!