Pse ndarjet nuk janë “fatkeqësi”? Nga Drilona Abazaj, psikologe

“Fatkeqësitë” kolektive

Promovimi i fjalës fatkeqësi vend e pa vend, ka qenë një ndër arsyet e përhapjes së konfuzionit kolektiv. Masivisht si shoqëri çdo humbje, dështim, diversitet apo ndarje fizike nga një individ tjetër është përkufizuar apo edhe duke dashur për t’u justifikuar si fatkeqësi.
Dhe kjo gjë ndeshet shpesh përsa i përket ndarjes, apo shkëputjes të marrëdhënies me të dashurin, partnerin ose bashkëshortin.

Më është dashur të dëgjoj në adoleshencë nga shoqëria ime se si në atë moshë ndarjen nga i dashuri ose e dashura e shihnin si fatkeqësi, apo se si edhe “humbja” e virgjërisë konsiderohej e tillë.

Edhe vetë prindërit kur fëmijët e tyre u jepnin fund lidhjeve martesore, ashtu të rrudhosur dhe të mërzitur shpreheshin:
“Më ka kaluar vajza/djali një fatkeqësi, është ndarë”…

E habitshme që përtej dëshirës së madhe për të patur një familje të shëndetshme, e cila niset me qëllimin e mirë të jetë afatgjatë, kur kjo ndërpritet për shumë arsye të abuzimeve emocionale, psikologjike dhe fizike nuk konsidetohet si FATMIRËSI.

Patjetër që një ndarje në rrethana të tilla është një fatmirësi, është një arsye më shumë për tu gëzuar dhe festuar çdo ditë që ti zgjodhe të jetosh, të rendësh pas lumturisë përtej fatkeqësive kolektive që shoqëria tysnon në kokat tona.

Fatkeqësi janë humbjet fizike të njerëzve tanë të dashur, janë dëmtimet fizike që mund të hasen gjatë aksidenteve, janë tërmetet, zjarret, Covidi…por smund të jenë kurrsesi zgjedhjet tona.

Fatkeqësi janë mendësi të tilla të cilat shkatërrojnë funksionimin jetësor të individit, janë ndarjet që kthehen në obsesion dhe në mos pranim të partnerit tjetër, janë divorcet “gladiatore” të cilat luftohen me dhunë emocionale ndaj fëmijëve, ku vetë familjarët përpiqen të denigrojnë figurat prindërore për të qenë në “paqe” me opinion publik.

Prandaj duhet të jemi më të qartë dhe duhet të çrrënjosim këto mendime dhe këndvështrime dashakeqëse që janë “mbjellë” hershëm në mendjet tona. Dhe duhet të jemi të lumtur për fatmirësitë që i kemi dhënë vetes, duke pranuar dhe përqafuar çdo përvojë,  çdo dhimbje, çdo humbje, çdo mirësi që tashmë është duke na pritur.

Add Your Comment