Të flasim për dështimet, pse kemi frikë t’i tregojmë?

Nga Drilona Abazaj, psikologe

𝓤𝓷𝓮 𝓴𝓪𝓶 “𝓭𝓮𝓼𝓱𝓽𝓾𝓪𝓻”

Pse kemi kaq shumë frikë të flasim për “dështimet” tona?!

Pse stepemi të shprehim lirisht një etapë të jetuar e cila është kaq njerëzore dhe normale të na ndodhi…Pse sikletosemi përballë arritjeve “glamoroze” të të tjerëve që i kanë stivuar nëpër rrjetet e tyre sociale ?!

Pse askush nuk guxon të rrëfejë pengesat, disfatat, dështimet që kanë hasur gjatë këtij kalvari arritjesh…

…Sepse dështimet janë konsideruar për të “dobëtit”, sepse kush dështon cilësohet i paaftë, atij të cilit i duhet të durojë mijëra zëra dhe gishta tregues për një kohë të gjatë, aq sa mund të kthehet në një damkë të cilën duhet ta mbajë mbi shpinë gjatë gjithë jetës.

Sepse ne jemi një shoqëri e brumosur për të parë vetëm sjelljet negative, vetëm rrëzimet e të tjerëve duke minimizuar më pas çdo cilësi, çdo arritje, çdo bukuri që atë e përfaqëson si individ përtej një episodi “dështues”.

Sepse ne jemi shpirtërisht të tkurrur për të qenë pranues dhe empatik ndaj tjetrit, duke i dhënë mundësinë për tu ndjerë i lirë për t’u shprehur rreth brengave të tij dhe duke mos e qortuar dhe e përçmuar për një të shkuar e cila ka fluturuar si gjethet në vjeshtë.

Sepse një ditë egërsisht do ta përdornim “dështimin” e tij për të njollosur imazhin apo edhe profesionin e tij.

Sepse dështimet e tjetrin na aktivizojnë dhimbjen e dështimeve tona.

Prandaj ndonjëherë është kaq e vështirë të ndjehesh në paqe, të tregosh pa ndroje, pa u ndjerë i paragjykuar dhe të shembësh rezistencat që kanë betonuar qënien tonë,
duke treguar i krenuar….

…Po unë kam dështuar, dhe ndoshta do dështoj sërisht, por kjo nuk ç’bën njeriun që unë jam dhe kam investuar të jem.

Add Your Comment