Bilingualizmi dhe fëmijët

Konsiderohet se që prej moshës 2 deri në 4 vjec fëmija përsos shumë elementë të komunikimit, sepse jo vetëm dëgjon, por ka filluar dhe të flasë e të shprehet. Kjo është një periudhë në të cilën të folurit e fëmijës pëson gjithashtu ndryshime komplekse gramatikore.

Në rastin e fëmijëve bilingualë, ose thënë ndryshe, të mësuarit e dy gjuhëve deri në moshën parashkollore, natyrisht që kemi të bëjmë me një detyrë komplekse sepse janë sisteme të ndryshme rregullash dhe struktura të vecanta. Ka raste që kjo mund të shkaktojë konfuzion dhe bën që fëmijët të flasin një gjuhë hibride, para në të njëjtën fjali të përfshijnë fjalë nga gjuhë të ndryshme. Ky mund të jetë i vetmi efekt negativ, pasi në parim fëmijët janë shumë më të prirur të mësojnë lehtësisht dhe natyrshëm gjuhë të huaja sesa të rriturit. Për më tepër, kur kjo vjen e vullnetshme, pra që fëmija i mëson me dëshirën e vet, është një argument tjetër bindës në favor të asaj që, të mësuarit e disa gjuhëve nuk bën gjë tjetër vecse ndihmon dhe aspektet e tjera të zhvillimit kognitiv e mendor të fëmijës.

Duke qenë se zotëron disa gjuhë të cilat kanë struktura dhe sisteme të ndryshme shprehjeje, kjo nxit tek fëmija dhe një lloj fleksibiliteti mendor, që do ta ndihmojë më vonë në jetë për të qenë dhe më efikas në zgjidhjen e problemeve, sepse ai ekspozohet ndaj mënyrave të ndryshme të të shprehurit dhe të komunikuarit. Të mësuarit e gjuhëve të tjera të huaja në tërësi është pozitive dhe ka shumë benefite prej tyre.

Kur fëmija rritet në një familje ku prindërit flasin dy gjuhë të ndryshme, atij i duhen folur të dyja gjuhët që nga lindja dhe nuk ka moshë ideale për këtë sepse ato mësohen njësoj si gjuhë amtare. Ose në rastet e familjeve emigrante, fëmija mund të fillojë ta mësojë gjuhën e vendit ku jeton që në lindje me një dado ose në çerdhe dhe më vonë, në kopësht. Deri afër moshës 5 vjeçare, fëmija do ta mësojë këtë gjuhë të dytë në mënyrë intuitive dhe të natyrshme, pa e kuptuar as vetë, sikur të jetë gjuhë nëne.

Pas moshës 5-6 vjeçare, mësimi i gjuhës bëhet ndryshe. Fëmija e ka mësuar sa duhet gjuhën e parë, për t’u shprehur mirë. Atëhere ai do ta mësojë gjuhën e dyrë si gjuhë të re të huaj.

Të jesh dygjuhësh do të thotë të kuptosh dhe shprehesh minimalisht në dy gjuhë ose më shumë. Në lindje, fëmija ka aftësi të jashtëzakonshme mësimi; ai është i aftë të dallojë dhe regjistrojë tingujt e ndryshëm të gjuhës së nënës. Megjithatë, rrallë ndodh të zhvillohet një dygjuhësi e ashtuquajtur “e ekuilibruar” me të cilën nënkuptohet një nivel i njëjtë në të dyja gjuhët. Në përgjithësi, është njëra gjuhë që dominon tjetrën. Te fëmijët vetëm në raste të rralla dygjuhësia është e ekuilibruar.

Nëse flet shumë gjuhë që në fëmijëri, i jep mundësi trurit të ushtrohet dhe të ruajë një elasticitet që do ta ndihmojë më vonë në mësimin e gjuhëve të tjera. Kjo predispozitë i lejon fëmijës të mësojë një gjuhë të tretë (ose të katërt e më shumë) më shpejt dhe në mënyrë më intuitive. Kjo mbase ndikohet nga fakti se jetohet në një familje kur respektohen kulturat e ndryshme dhe kështu, pranohet një gjuhë tjetër, përveç asaj të nënës.

 

Fëmijët kanë aftësi të madhe përshtatjeje, megjithatë duhen evituar disa gjëra nëse qëllimi është që ata të flasin shumë gjuhë. Ja disa këshilla për ta ndihmuar fëmijën të bëhet dygjuhësh:

  • Nëse fëmija rritet në një familje ku të dy prindërit kanë kombësi dhe gjuëh amtare të ndryshme, secili le t’i flasë të vetën.
  • Nëse familja jeton në vend të huaj, le t’i flitet fëmijës në shtëpi gjuha e origjinës. Gjuëhn e vendit ku jeton, ai do ta mësojë patjetër.
  • Nuk ka asnjë gjuhë e cila është e padobishme apo e cila nuk ia vlen të mësohet.

Add Your Comment