Çfarë duhet të dinë prindërit dhe mësuesit për ADHD?

Çrregullimi i vëmendjes me hiperaktivitet (Attention Deficit Hyperactivity Disorder ADHD) përcaktohet si shfaqja e një grupi sjelljesh ku fëmija paraqet nivele impulsiviteti, mungesë vëmendjeje dhe hiperaktiviteti më të larta sesa fëmijët e tjerë të së njëjtës moshë.

ADHD konsiderohet crregullimi më i përhapur i periudhës së fëmijërisë së hershme dhe prek më shumë djemtë se vajzat. Problematikat e fëmijëve me ADHD bëhen shkak për shfaqjen e një sërë vështirësive në kontekstin familjar, shkollor, në marrëdhënie me prindërit, motrat/vëllezërit, shokët/shoqet e klasës, me mësuesit e me radhë. Pikërisht, kur vjen puna tek bashkëveprimi dhe marrëdhëniet e këtyre fëmijëve me të tjerët, ka disa gjëra që të rriturit duhet t’i kenë parasysh për të kuptuar më mirë këto vështirësi dhe për të ndërvepruar më mirë me këta fëmijë.

 

Çfarë duhet të dinë prindërit dhe mësuesit për ADHD:

  • Nuk ka asnjë lloj testi fizik apo analize gjaku, ekzaminim imazherik (rezonancë magnetike, skaner, elektroencefalogramë) me anë të së cilës të diagnostikohet ADHD në mënyrë të saktë dhe cilësore. Për të kuptuar natyrën e crregullimit dhe për të arritur në përfundime, informacioni merret nga prindërit dhe mësuesit, me anë të kryerjes së intervistave dhe plotësimit të inventarëve.
  • Vlerësimi dhe trajtimi efikas përfshin bashkërendimin e punës së prindërve, psikologëve, mjekëve, mësuesve.
  • ADHD është një crregullim kronik, që do të thotë se kërkon herë pas here rivlerësime dhe rishqyrtime të ndërhyrjes, në përputhje me ecurinë dhe fazat e zhvillimit të fëmijës. Një ndërhyrje e hershme, e përshtatshme dhe intensive është e nevojshme për të trajtuar ADHD.
  • Diagnoza nuk është aq e rëndësishme sa është ndërtimi i planit të përshtatshëm të ndërhyrjes, për t’i ardhur në ndihmë sa më mirë fëmijës dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së tij.
  • ADHD është një crregullim gjenetik, pra që ka probabilitet të lartë të trashëgohet prej prindërve. Faktorë të lidhur me edukimin, mjedisin, ushqimin, dietën, elementë apo substanca të tjera nuk e shkaktojnë ADHD, por ndikojnë në përkeqësimin apo përmirësimin e crregullimit.
  • Sado që simptomat e ADHD kanë prirjen të përmirësohen me rritjen e fëmijëve, ato nuk zhduken. Më shumë se dy të tretat e fëmijëve me ADHD vazhdojnë të shfaqin problematika të shumta në moshën e adoleshencës dhe të rritur. Adoleshentët me ADHD rrezikojnë më shumë sesa të tjerët të braktisin shkollën, të abuzojnë me drogën dhe alkoolin, të shfaqin sjellje delinkuente. Ndërsa të rriturit me ADHD shpeshherë përjetojnë nivele të larta stresi, vështirësi në menaxhimin e marrëdhënieve me të tjerët, probleme të lidhura me performancën në punë, abuzime dhe varësi nga substancat.
  • Efikasiteti dhe suksesi i terapisë në rastet me ADHD lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me kombinimin e disa elementëve terapeutikë. Terapia individuale me një terapist, ndjekja e një programi të struktuar në shtëpi, dhënia e kohës shtesë për kryerjen e detyrave dhe provimeve në klasë janë disa nga drejtimet kryesore të procesit terapeutik.
  • Trajtimi dhe modifikimi i sjelljes përfshin: përcaktimin e objektivave specifikë ditorë, përcaktimin e rregullave të mirëpërcaktuara dhe përsëritjen e tyre të vazhdueshme, dhënien e udhëzimeve të qarta, përdorimin e sistemit të shpërblimeve për të nxitur sjelljet e dëshiruara dhe përpjekjet e fëmijës, përdorimin e një sistemi të raportimit shkollor që lehtëson komunikimin dhe shkëmbimin e informacioneve mes familjes dhe shkollës.
  • Vendosja dhe praktikimi i teknikave të mësipërme kërkon kohën e vet, si për mësuesit, ashtu dhe për prindërit që t’i vënë në zbatim me fëmijët dhe nxënësit e tyre.
  • Mjekimi me medikamente është shpeshherë pjesë e terapisë. Lloji, doza dhe përdorimi i mjekimit përcaktohet nga mjeku përkatës.
  • Element thelbësor ndaj të cilit duhet kushtuar vëmendje e vecantë, është marrëdhënia që ndërton fëmija me ADHD me shokët/shoqet dhe me nxënësit e tjerë, sepse përtej vështirësive në mësime që i shkakton crregullimi, problematika edhe më të mëdha shfaqen në marrëdhëniet e fëmijës me të tjerët.
  • Një fëmijë me ADHD ka nevojë për empati; kushdo që është afër tij duhet të kuptojë që sjellja që ai shfaq nuk është pjesë e karakterit të tij të “keq”. Në vend që të kritikohet, gjykohet, qortohet, frustrohet me kërkesa dhe t’i tërhiqet vëmendja, ai fëmijë ka nevojë për ndihmë dhe trajtim.

Bëj një koment