Çfarë e shkakton disleksinë? Nga Lorela Garuli

Është e vështirë të specifikohet një shkak i vetëm në rastet e disleksisë, pasi në përgjithësi shfaqja e disleksisë tek fëmijët vjen si rrjedhojë e kombinimit të dy faktorëve kryesorë:

o   Faktori neurologjik

o   Faktori kognitiv

Sipas faktorit neurologjik ekziston një lidhje mes gabimeve që shfaqin fëmijët disleksikë në të shkruar e në të lexuar, me dominimin e njërës hemisferë të trurit (Torres & Fernandes, 2004). Gjetjet sugjerojnë se lexuesit tipikë janë në gjendje ta integrojnë më mirë informacionin vizual me atë zanor, duke i lejuar atyre t’i njohin, identifikojnë dhe lexojnë fjalët shumë më lehtë dhe më shpejt sesa disleksikët (Finn et al, 2014). Do të thotë se në rastin e lexuesve tipikë, rrjetet neuronale janë të bashkëlidhura më mirë dhe funksionojnë në mënyrë më të bashkërenduar sesa në rastin e lexuesve disleksikë.

Imazhet që vijnë nga rezonancat magentike të trurit në rastet me disleksi, kanë treguar se në nivel neuroanatomik defiçitet nuk janë konkretisht në proceset e të lexuarit, por më shumë tek funksionet ekzekutive të lidhura me procesimin vizual dhe auditiv të informacionit (Clark et al, 2014).

 Lexuesit disleksikë shfaqin pikë më të ulëta dhe rezultate më të dobëta në detyra që kanë të bëjnë me stimuj verbalë, hapësinorë, auditivë, rezultate të cilat kanë nxjerrë përfundimin se ka një lloj defiçiti në hemisferën e majtë të trurit të personave disleksikë, duke shpjeguar kështu vështirësitë që ata shfaqin. Nuk është aspak fjala se këta fëmijë vuajnë nga ndonjë çrregullim tjetër neurologjik, por që kanë dallime në zonat përgjegjëse për gjuhën dhe shprehitë psikolinguistike. Sipas pikëpamjes së faktorëve neurologjikë si shkaktarë të disleksisë, fëmijët disleksikë shfaqin inversione, kthime, rrotullime si në pasqyrë të shkronjave, numrave, figurave, psh. d në b, p në q  me radhë.

 

Faktorët kognitivë

Perceptimi i stimujve vizualë, përpunimi i informacionit, dekodimi i mesazheve verbale, kujtesa e punës janë disa prej shumë elementëve kognitivë të pranishëm në proceset e gërmëzimit, leximit, drejtshkrimit dhe riprodhimit linguistik. Më poshtë renditen faktorët kognitivë që janë shpjegues të shfaqjes së elementeve të disleksisë:

o   Defiçite në perceptim dhe kujtesë. Evidenca prej studimeve të ndryshme (Torres & Fernandes, 2004) kanë treguar se fëmijët disleksikë kanë vështirësi në perceptimin e stimujve vizualë, por jo kur këta janë të shkëputur. Vështirësitë lidhur me stimujt vizualë shfaqen kur këta të fundit shoqërohen prej atyre verbalë, që do të thotë se fëmijët disleksikë nuk kanë vështirësi në identifikimin vizual të shkronjave apo rrokjeve, por në rastet që ato etiketohen si fjalë dhe emërtime, atëherë ata shfaqen të paqartë në lexim. Pra, vështirësitë më të mëdha janë të tipit verbal dhe fonologjik, më shumë sesa perceptive vizuale.

o   Defiçite në përpunimin e informacionit verbal. Problemi që shfaqin këta fëmijë kur vjen puna për të lexuar, nuk është konceptual, por teknik. Do të thotë që këta fëmijë shfaqin vështirësi jo për arsye të të kuptuarit të asaj që lexojnë, pasi kanë një inteligjencë të mirë, por në çastin kur u duhet të kthejnë në verbale, atë simbol, që është shkronja. Fëmijët disleksikë nuk bëjnë mirë kodifikimin simbol-tingull, që është i domosdoshëm për të lexuar saktë. Kur lexojnë, ata nuk transformojnë në mënyrën e duhur vizualisht shkronjat në një kod zanor/vokal. Aspekt tjetër karakteristik i gjuhës së fëmijëve disleksikë është një përdorim sintaksor i ndryshëm prej fëmijëve disleksikë, ku vihet re më pak rrjedhshmëri, fjalor më i varfër, formulim fjalish më i thjeshtë dhe elementar.

o   Disfunksione sensoriale (Gosëami, 2015). Vështirësitë e disleksisë shpjegohen me anë të defiçiteve që mund të kenë fëmijët disleksikë në perceptim dhe në përpunimin shqisor të informacioneve, duke shtuar mungesën e përvojës dhe ushtrimit të duhur të veprimtarive të të lexuarit dhe të shkruarit.

Si përfundim, përqasjet kognitive priren të jenë më afër shpjegimit të saktë të natyrës së disleksisë, duke pasur parasysh gjithmonë se këta fëmijë nuk kanë vështirësi në të kuptuarit dhe përdorimin e gjuhës në total, por në gërmëzim, lexim dhe drejtshkrim, konkretisht në kodifikimin fonologjik-fonetik.

Bëj një koment