Çfarë kuptojmë për personalitetin e fëmijës nga vizatimi i trungut të pemës? Interpretime konkrete. Nga Lorela Garuli

Trungu ka të bëjë me unin dhe pjesën e vetëdijshme të personalitetit; ashtu siç është trungu për pemën, struktura më e fortë e saj, ashtu edhe kjo pjesë do të përfaqësojë në mënyrë simbolike elementin më të qëndrueshëm, të ndërgjegjshëm dhe racional të individit, ndërmjetësuesin mes instinkteve, dëshirave nga njëra anë dhe limiteve e kufizimeve nga ana tjetër.

Elementët përbërës të trungut që do të merren në konsideratë gjatë vëzhgimit dhe analizimit të punës me vizatimet e fëmijëve do të jenë konturet, sipërfaqja dhe përmasat e trungut të vizatuar.

Konturet e trungut:

  1. Vija të ndërprera: impulsivitet, padurim, nervozizëm, brishtësi.
  2. E valëzuar: gjallëri dhe aftësi përshtatëse, prirje artistike.
  3. Vija të çrregullta, me dredhime, të përhapura: ndjeshmëri e lartë, frikë prej humbjes, pasiguri në vetvete, karakter i vështirë, vulnerabilitet, gjurmë të mbetura nga konflikte të mëparshme.
  4. Të dala të jashtme ose të brendshme të konturit të trungut: prani e mundshme e ndonjë traume, sëmundje, aksident, humbje, të përjetuara me intensitet.
  5. Të futura, në formë gropëzash ose boshllëku: shprehje të ndjenjave të inferioritetit ose të fajit.
  6. Hollim ose trashje e vijave që përbëjnë trungun: bllokim në shprehjen e lirshme të ndjenjave, ngecje emocionale, ndrojtje. Në nivel sjellor mund të manifestohet me praninë e një motorike të vrullshme, veprime të nxituara, zë i mbytur, mungesë rrjedhshmërie në të folur.

 

Sipërfaqja e trungut:

Shpreh fasadën, botën e jashtme, komunikimin dhe mesazhin që Uni jep. Zakonisht, vizatohet në disa forma:

  1. Me vijëzime: nëse janë në të majtë të trungut mund të interpretohet si prirje drejt introversionit, ndjeshmërisë, një karakter ëndërrimtar. Nëse janë të vizatuara në të djathtë të trungut simbolizojnë krijimin me lehtësi të kontakteve sociale, e nëse janë të vizatuara përgjatë gjithë trungut, janë tregues të traumave ose problemeve të rëndësishme.
  2. Me vijëzime të forta: kur sipërfaqja e trungut të pemës karakterizohet nga vijëzime të forta e të theksuara, është fjala për një lloj “energjie” psikofizike që individi në njëfarë mënyre është duke e shkarkuar nëpërmjet vizatimit. Ato që do të kuptohen në këtë rast, janë veçori të një karakteri të fortë e të vendosur, që përcjellin siguri dhe vetëbesim në përballjet me realitetin.
  3. Sipërfaqe e vizatuar me hijëzime: është shprehje e ndjenjave të ankthit e pasigurive që fëmija ka përjetuar dhe që vazhdon t’i mbartë akoma.
  4. Sipërfaqe e vizatuar me vijëzime, me gërvishtje apo forma të ndryshme: karakteristika të mendjemadhësisë, kriticizmit, prania elementëve të çuditshëm e të rrallë, aftësi të mira vëzhguese.
  5. Me vijëzime të vogla, në formë harku, të rrumbullakosura: aftësi të mira të përshtatje dhe kompetencë e mirë sociale në krijimin e raporteve.
  6. Sipërfaqe e vizatuar me njolla të theksuara: shenja dhimbjeje dhe vuajtjeje si pasojë e ndonjë traume psikike të përjetuar në fëmijërinë e hershme, ndjenja të shumta faji.

 

Përmasat e trungut:

  1. Trung i gjatë: nevojë për t’u dukur më i madh se ç’është në të vërtetë për të mposhtur sikletin që ka.
  2. Trung i hollë: brishtësi, nevojë për ndihmë dhe mbrojtje, si rezultat i besimit të ulët në vetvete.
  3. Trung i gjerë: besim në aftësitë e veta dhe vetëvlerësim i mirë, personalitet i mirëstrukturuar.
  4. Trung i drejtë: është tipike e normale për fëmijët e vegjël. Nëse vizatohet pas moshës 10-vjeçare do të konsiderohet tregues kokëfortësie, skematizmi, të qenit strikt dhe të ngurtë, mungesë fleksibiliteti.
  5. Trungu i përkulur nga e majta: atashim me mjedisin e origjinës
  6. Trungu i përkulur nga e djathta: nevojë për t’u lidhur e afruar me të tjerët, karakteristika të konkurrencës dhe ambicies.
  7. Trung i rregullt dhe pa degëzime: shprehje papjekurie.
  8. Trung i shkurtër në krahasim me kurorën e pemës: është shprehje e vështirësisë që individi ka ndeshur gjatë përshtatjes me realitetin, kur janë përballur dëshirat e veta me kërkesat e mjedisit.
  9. Trungu i mbështetur mbi fundin e fletës së vizatimit: është rezultat i mënyrës së vizatimit të fëmijës, nuk lidhet me zhvillimin e tij intelektual. Si pasojë, kjo formë e të vizatuarit të trungut nuk përdoret më pas një moshe të caktuar.
  10. Trungu i vizatuar me karakteristika të veçanta si: nyje, me fole shpendësh brenda, degëzime të shkëputura. Këto elementë interpretohen si tregues të një lidhje të fortë atashuese me nënën, lidhje e cila është shumë e pranishme në jetën e individit edhe kur ky i fundit kërkon të ketë hapësirat e veta. Gjithashtu, prania e disa degëzimeve që dalin prej trungut kryesor në vizatim, gjendet shpesh tek vizatimet e adoleshentëve, si një formë e shprehjes së identitetit të tyre seksual.

Add Your Comment