Detaje shoqërues gjatë vizatimit të pemës, interpretime. Nga Lorela Garuli

Shpesh, fëmijët gjatë këtij testi projektiv zgjedhin të vizatojnë një pemë specifike (bredh, shelg, palmë, etj), apo edhe të shoqërojnë vizatimin me elementë të tjerë, domethëniet përkatëse të të cilëve janë si më poshtë:

o Kur pema e vizatuar është bredh konsiderohet si shprehje e një integrimi të mirë të individit brenda familjes dhe vlerave tradicionale të saj.

o Kur pema e vizatuar është e tipit lis, qiparis, tregon për një temperament introvert e të rezervuar.

o Nëse në vizatim është paraqitur hija e pemës, përveç se shpreh sens estetik në të vizatuar, është gjithashtu një nevojë e individit për qetësi dhe stabilitet që i mungon në mjedisin e tij.

o Pema e vizatuar me lule ose bar në tokë: konsiderohet shprehje e një fëmijërie të qetë e të shëndetshme, është një tregues pozitiv ndjeshmërie.

o Prania e diellit në vizatim: simbolika e diellit lidhet me atësinë, që do të thotë se vizatimi i shoqëruar me këtë element tregon për rëndësinë e figurës prindërore mashkullore në jetën e fëmijës.

o Pema e vizatuar pranë një shtëpie. Shtëpia si simbol në vizatime, përfaqëson familiaritetin, sigurinë, ndjenjat që lidhen me mbështetjen dhe afeksionin. Kështu që, në rastet që shtëpia paraqitet në vizatimin e pemës, shpreh rëndësinë që kanë raportet intime dhe sensi i familjes tek individi përkatës.

o Pemë e prerë. Flet për një ndodhi sigurisht të pakëndshme që ka pësuar individi; një plagë që duket se nuk është mbyllur dhe pasojat e së cilës janë akoma të pranishme. Shpreh pra, një nevojë të individit për mirëkuptim, afeksion e dashuri.

Mënyra e paraqitjes grafike të pemës nga ana e fëmijëve kalon nëpër disa faza dhe ndryshon në përputhje me zhvillimin e tyre psikosocial. Konsiderohet se fëmijët fillojnë të vizatojnë pemën rreth moshës 4-vjeçare, atëherë kur edhe të kuptuarit e tyre është më i thellë e i plotë. Ndërkohë që fëmijët rriten edhe socializimi i tyre sa vjen edhe shtohet, rreth moshës 6 -vjeçare ata mund të realizojnë një vizatim të mirëfilltë të pemës me të gjitha strukturat e saj përbërëse, rrënjë, trung, kurorë, gjethe. Me kalimin e moshës, vizatimi i pemës nga ana e fëmijëve pasurohet në detaje, ngjyra dhe larmi elementesh.

Tek fëmijët me vonesa në zhvillim ose me nevoja të veçanta si rrjedhojë e ecurisë jo tipike të zhvillimit të tyre, edhe vizatimi i pemës shfaq karakteristika të ndryshme:

o Trungu i vizatuar në formë T-je.

o Degët e bashkuara me rrënjët, të vendosura anash trungut, ose në formë vijëzimesh horizontale.

o Vizatim i pandërprerë i tërë pemës.

o Theksim i kontureve

Add Your Comment