Karakteristika sjellore, shkollore dhe gjuhësore të disleksisë. Nga Lorela Garuli

Disleksia përmban shumë karakteristika, të cilat nuk shfaqen të gjitha në një kohë të njëjtë. Duke qenë se shumica e tyre lidhen me kontekstin shkollor, karakteristikat kryesore të disleksisë do të manifestohen me kohën në mënyra të ndryshme.

Megjithatë, performanca e ulët në aftësitë dhe shprehitë kognitive që në moshën parashkollore, të cilat lidhen me kujtesën verbale afatshkurtër, zhvillimin dhe fleksibilitetin në aspektin fonologjik të gjuhës së shprehur dhe perceptimin vizual, janë në njëfarë mënyre parashikuese të disleksië (Carrol et al, 2015).

Lidhur me faktin se disleksia prek disa procese kognitive që janë bazike në aftësitë që u duhen fëmijëve në shkollë, aftësi të cilat janë në ndryshim dhe maturim të vazhdueshëm, bën që të vështirësohet dhe evidentimi i karakteristikave tipike të disleksisë. Njohja e vecorive që shfaq cdo fëmijë disleksik në mënyrë të vecantë, i shërben hartimit të planit individual në mbështetje të nevojave specifike edukative të tij; plan ndërhyrës i cili sa më i hershëm të jetë, aq më shumë do të ketë sukses e rezultate (Snoëling, 2012).

Ndër karakteristikat sjellore të disleksisë renditen:

o Vetëvlerësim i ulët

o Sjellje të etapave të mëparshme të zhvillimit (regresive)

o Ndjenja ankthi e pasigurie

o Mungesë vëmendje dhe lodhje

o Mungesë interesi, motivimi dhe kureshtje për procesin e të nxënit

o Mungesë dëshire për të shkuar në shkollë

Ndërsa, karakteristikat shkollore të disleksisë janë:

o Në lexim

o Në drejtshkrim

o Matematikë (në veprime të thjeshta aritmetike dhe në gjeometri, lidhur me orientimin hapësinor)

o Në lëndën e historisë (lidhur me rendin kohor të ngjarjeve)

o Në lëndën e gjeografisë (lidhur me orientimin e koordinatave)

Leximi i fëmijëve disleksikë karakterizohet nga një ritëm i ngadaltë, mosrespektim i shenjave të pikësimit, lexim i fjalëve të paplota, ngatërrim i shpeshtë i shkronjave, zëvendësime të fjalëve të ngjashme (mposht me poshtë).

Shkrimi i fëmijëve disleksikë, si rrjedhojë e vështirësive motorike të veprimit të të shkruarit, shfaqet i crregullt dhe aspak estetik, kaligrafi jo e mirë, shkrim i paplotë i fjalëve, vështirësisht i kuptueshëm, shkronjat të ngjitura njëra me tjetrën apo shumë të ndara njëra nga tjetra, pa respektuar rregullat e drejtshkrimit dhe shenjat e pikësimit.

Karakteristika gjuhësore të disleksisë renditen:

o Fjalor i varfër

o Vështirësi në shprehjen e koncepteve abstrakte apo komplekse

o Dislalitë (vëshstirësi apo anomali në shqiptimin e tingujve, fonemave apo fjalëve të ndryshme)

Karakteristikat psikomotore të disleksisë janë:

o Vështirësi për të bërë dallimin e majtë-e djathtë

o Vështirësi për t’u orientuar e për të mbajtur mend adresat e ndryshme

o Vështirësi sensore-perceptive që shkaktojnë konfuzion mes ngjyrave, formave, madhësive dhe pozicioneve (lart-poshtë, para-mbrapa)

o Vonesa në përvetësimin e skemës trupore

o I shkruar invers, si në pasqyrë (b në vend të d)

 

 

Add Your Comment