Lirinë apo bukën? Reflektim nga Skerdjan Dhuli

Shoqëritë në zhvillim një nga treguesit esencialë të tyre kanë edhe bjerrjen e lirive themelore të njeriut. Në tentativën për zhvillim ku rruga vjen nga mjerimi, liria është një luks i tepërt për këto shoqëri dhe rëndom i panjohur e aty ku njihet, nënvlerësohet.
Shqipëria është mbase shembulli tipik sesi varësia nga ekonomia që rrënohet gjithnjë e më tepër i ka rënë në qafë tej çdo imagjinate lirisë, madje deri aty sa kjo e fundit ka filluar të mos mendohet më.
Një popull i mbajtur izoluar në diktaturën komuniste dhe i detyruar të mos mendonte, për 50 vjet krijoi dy breza, mjaftushëm që të shndërroheshim nga qënie njerëzore në gjallesa në luftë për mbijetesë.

“Mos u merr me qeverinë se nuk ja del dot…”, “Mos u merr me politikë se nuk është për ty…”, Mos fol kundër padrejtësive se nuk fiton gjë e nuk të hyn në punë…”
Këto janë disa nga frazat që secili nga ne i ka dëgjuar shpesh prej fëmijërisë së tij e deri sot (fjali që i kam dëgjuar edhe unë)
Një kategori fjalish që për ata që vlerësojnë lirinë është terroriste ndërsa për ata (qe janë shumicë) që konsiderojnë bukën arsye dite dhe jete, është mënyrë jetese.
Prandaj edhe elitat politike shpesh kalojnë në autokraci e ndonjëra kalon çdo limit, si qeveria aktuale. Sepse nën tezën “lere të varfër se ashtu do e sundosh…” kanë arritur të krijojnë një ndjesi se liria është luks, demokracia është e panjohur në realitet dhe veç fjalë që është përdorur mbi çdo inflacion të mundshëm që popujve si ne nuk na takon dhe se qeveria i di të gjitha.

Kur gjyshi im doli nga burgu i komunizmit, sigurisht ishte i varfër por në burg hyri i mençur e doli gjeni. E aty, duke menduar se të varfrin e kontrollonin lehtë, komunistët shpesh i thoshin: “ke vetëm një mënyrë të bësh prokopi. Hesht. E dimë që nuk bëhesh me ne, por të paktën hesht…”
A heshti ? Jo. Deshi zoti jo. Deri kur u shua, që fatkeqësisht u shua ai para komunizmit, nuk e negocioi lirinë edhe me koston e prangave të ftohta dhe dhomave të akullta të burgut.
Por mendësia e tij nuk ishte e shumicës çka tregon se varfëria është mjeti i sundimit të diktaturës dje dhe neodiktaturës sot.

Sigurisht që nuk duhet të mendojmë se sot të burgosin edhe pse nuk ndodh rrallë ëq nivelet e larta kur guxojnë të jenë të lirë, jo rrallë i kanë parë prangat ndërsa për të tjerët në shumicë, ju mbyllen të gjitha dyert ekonomike deri në qelizën më të thellë.

Ndaj edhe ne si shoqëri sundohemi në çdo qelizë sepse për shumicën e sigurisht me të drejtë, buka është përpara lirisë.

Add Your Comment