Ndryshimet që pëson truri i fëmijëve që bullizohen për një kohë të gjatë

Dihej që ngacmimi ose bullizmi dëmton fëmijët, por rezulton se mund të dëmtojë edhe trurin e një fëmije të shëndetshëm e të fortë. Një studim i fundit ka treguar se ngacmimi i vazhdueshëm nga grupi i bashkëmoshatarëve mund të ketë pasoja jo vetëm psikologjike, por edhe në tru, dhe për këtë arsye të çojë në probleme të ardhshme të shëndetit mendor. Një hulumtim i kryer nga Erin Burke Quinlan në Londër dhe i botuar së fundmi, ka treguar se në trurin e adoleshentëve që janë viktima të ngacmimeve kronike, ka dallime strukturore.

Hulumtuesit britanikë analizuan të dhënat e pyetësorëve dhe skanimet e trurit të 682 pjesëmarrësve të moshës 14-19 vjeç, nga Anglia, Franca, Irlanda dhe Gjermania dhe studimi afatgjatë synonte të analizonte zhvillimin e trurit tek adoleshentët dhe shëndetin e tyre mendor.

Dallimet tek fëmijët e ngacmuar për një kohë të gjatë

Në moshën 14, 16 dhe 19 vjeçare studentët plotësuan një pyetësor që hulumtoi karakteristikat e bullizmit të përjetuar (modaliteti, lloji dhe kohëzgjatja): rezultatet treguan se 36 djem nga 682 ishin viktima të ngacmimeve kronike. Të dhënat e këtij pyetësori u krahasuan me ato të fëmijëve që nuk ishin ngacmuar ose që nuk e kishin vuajtur bullizmin vazhdimisht. Rezultatet konfirmuan lidhjen midis ngacmimit dhe shqetësimit mendor që pasohet.

Ndryshime në disa pjesë të trurit

Zbulimi është se disa pjesë të trurit, tek djemtë viktima të ngacmimeve kronike, reduktohen në vëllim krahasuar me trurin e një bashkëmoshatari që nuk i ka përjetuar ngacmimet. Këto struktura janë të lidhura me sjelljet në lidhje me ndjeshmërinë, motivimin, vëmendjen dhe përpunimin emocional.

Add Your Comment