Për prindërit që kanë fëmijë me autizëm; 8 orientime se çfarë mund të bëni gjatë kësaj periudhe në shtëpi. Nga Silvana Gjoni, logopediste.

Kohët e fundit po përballemi me një virus, si shkak i të cilit jemi të izoluar në shtëpi. Secili nga ne e përjeton në një mënyrë ose një tjetër, por ata, të cilët kanë më shumë vështirësi të kufizohen brenda kater mureve, jane padyshim fëmijët me autizëm.

Duke pasur parasysh se ata janë në një mungesë të marrjes së terapive, familjaret e tyre duhet të angazhohen më shumë për t’i mbajtur ata aktivë dhe të vazhdojnë të mësojnë gjëra të reja.

 

Më poshtë, gjenden të shpjeguara disa aktivitete të thjeshta që prindërit mund të kryejnë me fëmijët e tyre me CSA dhe jo vetëm, duke besuar që do i vijnë në ndihmë secilit:

  1. Organizo një rutinë ditore.
  • Së pari, bëjini me dije fëmijës tuaj, duke ia shpjeguar disa herë, sesi do të jetë dita në vazhdim. Për këtë, mund t’ju ndihmojë edhe një fletë e bardhë, ku ju do të shënoni aktivitetet e planifikuara për ditën dhe ngjiteni në mur, në një vend të dukshëm për fëmijën. Secila nga aktivitetet e kryera, shënohet me + dhe kështu fëmija do të ketë të qartë vazhdimësinë.
  • Fëmija zgjohet në të njëjtin orar, kryen aktivitetet që duhet të bëjë cdo ditë (mos i neglizhoni duke qenë se jeni pushim), si tualeti, mëngjesi.

 

  1. Ndjekja e një programi televiziv me kohë të shkurtër, sëbashku me familjen. Mund të jetë film i animuar. Koha duhet të jetë e moderuar, të mos ekzagjerohet.

 

 

  1. Përsëritni programin terapeutik

Secili nga prindërit e një fëmije me autizëm, ka marrë ose mund të kërkojë të marrë një program nga terapisti, lidhur me programet kryesore që janë zbatuar me fëmijën. Prindi mund të përsërisë programin në shtëpi, pse jo, duke synuar të bëjë edhe gjeneralizimin e aftësive në një tjetër mjedis, përvec atij terapeutik.

 

  1. Angazho në aktivitete të shtëpisë

Fëmija juaj mund t’ju ndihmojë të bëni një kek, të gatuani apo të bëni punët e shtëpisë së bashku. Fëmija do të ndihet i vlerësuar sepse po ju ndihmon ju, por edhe ju po kaloni një kohë cilësore me të.

 

  1. Leximi

Nëse fëmija juaj arrin të lexojë, lexoni së bashku. Mund të bëni disa nga lojërat e leximit, që edhe ju të përfshiheni aktivisht, si psh: Fëmija lexon një fjali dhe ju një tjetër, ju numëroni fjalët brenda një rreshti, gjeni fjalët që përsëriten më shumë, fëmija mund të mëmorizojë një fjali dhe ju e përsërisni pas tij, pyeteni rreth tekstit, ai që mban mend më shumë fjalë të tekstit fiton.

 

  1. Punë dore

Mund të bëni punime të ndryshme me fëmijen, duke përdorur plastelinë, shkopinj të vegjël druri, kapëse rrobash, apo pastrues veshësh/dhëmbësh. Me këto mund të ndërtoni shtëpi, duke përdorur ngjitëse, mund të ndërtoni pemë dhe gjethe, apo dicka tjetër që fëmija ka të preferuar. E nevojshme është ta asistoni gjatë kësaj periudhe, që fëmija ta ketë parasysh se e ka mbështetjen tuaj. Mund të krijoni dekore për shtëpinë tuaj, dhe vendosini nëpër mure.

 

  1. Vizatimi

Mund thjesht të ngjyrosni në një fletë të bardhë, duke përdorur ngjyra të ndryshme, me ose pa qëllim. Mos prisni të bëni një pikturë, mjafton dicka e thjeshtë që të angazhojë fëmijën dhe ju në një aktivitet.

 

  1. Biseda me fëmijën

Fëmijët, sidomos ata me autizëm, kanë më shumë nevojë për ju në këtë kohë, mbajini larg lajmeve televizive, bisedoni me ta, bëni pyetje të hapura sa më shumë që fëmija të kthejë përgjigje. Kjo është e përshtatshme jo vetëm për fëmijët me autizëm, por për të gjithë. Kërkoni përgjigje nga fëmija juaj, mos hezitoni të përsërisni të njëjtën pyetje disa herë. Jepni feedback për përgjigjen e fëmijës. Tregohuni mbështetës ndaj cdo iniciative për të folur dhe mundohuni të mos korrigjoni mënyrën e shprehjes së tyre. Ajo që ka rëndësi, është komunikimi me fëmijën, shfrytëzojeni këtë kohë.

Add Your Comment