Përdorimi i gjesteve teksa flasin, zhvillon imagjinatën e fëmijëve

Shoqërimi i fjalëve me gjeste ka një efekt pozitiv në zhvillimin mendor të fëmijës, duke i vënë në punë krijimtarinë. Duke marrë parasysh këtë avantazh, do të ishte e këshillueshme që t’i inkurajoni fëmijët tauj që komunikimin verbal ta shoqërojnë edhe me gjeste.

Ky sugjerim vjen nga një grup studiuesish nga Universiteti i York-ut, botuar në revistën Psychological Science.

Grupmosha 9-11 vjeç

Hulumtimi përfshiu dy grupmosha fëmijësh midis moshës 9 dhe 11: 78 prej tyre kishin tendencë të përdornin shumë gjeste, ndërsa 54 nuk i shoqëronin fjalët e tyre me gjeste e lëvizje duarsh. Studiuesit i ftuan të gjithë të vëzhgonin një seri imazhesh të objekteve që përdoren çdo ditë dhe më pas u kërkuan atyre të rendisnin mënyra alternative dhe origjinale të përdorimit të tyre. Qëllimi ishte të kuptohej nëse lëvizja e duarve gjatë kohës që flisnin kishte ndonjë ndikim në imagjinatën e tyre.

Sa më shumë t’i lëvizni duart, aq më shumë ide ju vijnë në mendje

Rezultatet konfirmuan hipotezën e ngritur nga studiuesit: gjestikulaconi rrit kreativitetin. Në fakt, është parë që fëmijët që lëviznin shumë duart kanë propozuar ide më inovative sesa bashkëmoshatarët e tyre më “statikë”. Për të forcuar më tej hipotezën e tyre, studiuesit zhvilluan një test të dytë. Ata inkurajuan 54 fëmijët e grupit të dytë të tregonin dhe të imitonin me duar përdorimet që mund të bëheshin nga objektet që shihnin në foto. Rezultoi se kjo i ndihmoi ata të kishin më tepër imagjinatë. Në këtë eksperiment të dytë, fëmijët arritën mesatarisht 53 gjeste dhe propozimet që dhanë ishin më të shumta e më inovative.

Një burim i vlefshëm edhe në shkollë

Ekspertët arritën në përfundimin se shoqërimi i fjalëve me gjeste rrit kreativitetin dhe për këtë arsye mund të shërbejë për një performancë më të mirë në shkollë. “Hulumtimi ynë tregon se shoqërimi me gjeste mund të luajë një rol themelor edhe në shkollë. Nëse u kërkojmë fëmijëve të lëvizin duart siç mendojnë ata, mund t’i ndihmojmë të zhvillojnë ide të reja. Fëmijët e vegjël duhet të inkurajohen të “mendojnë me duart e tyre” – janë shprehur studiuesit.

Këshillë për prindërit

Fëmijët që e kanë shumë të pranishëm gjestikulacionin në komunikimin e tyre, nuk duhet të kufizohen. Përkundrazi, prindërit duhet të inkurajojnë fëmijët e tyre që të përdorin duart shumë, në mënyrë që t’i mësojnë ata të kenë një mendje më të hapur dhe intuitive.

Add Your Comment