Përdorimi i ngjyrave në vizatimet e fëmijës

Përtej përdorimeve që vizatimi ka brenda dhomës së terapisë me psikologun apo figura të tjera, është njëkohësisht një aktivitet që fëmija zgjedh ta bëjë me dëshirë dhe iniciativën e vet të lirë. Pra, përtej vlerës që ka si një teknikë psikodiagnostike, është një nga argëtimet e fëmijëve, që ata e zhvillojnë me qëllim loje dhe kënaqësie, pikërisht për natyrën që ky paraqet. Fëmija zgjedh të vizatojë dhe ngjyrosë sipas dëshirës, pa iu kërkuar, ashtu siç zgjedh edhe të luajë. Mundësia për të paraqitur objektet me anë të vizatimit, kthehet në një burim shumë të mirë të shprehjes në nivel subjektiv të simbolikave personale.

Përdorimi i ngjyrave në vizatimet e fëmijës

Ekziston një “psikologji ngjyrash”, që është një sistem shprehës dhe komunikimi ndjenjash, emocionesh, idesh. Do të thotë që  përdorimi i ngjyrave nga fëmijët nuk është rastësor, por një aspekt që përcjell informacion të konsiderueshëm lidhur me mënyrën si fëmijët ndihen e mendojnë.

Ashtu si i gjithë procesi i të vizatuarit kalon nëpër disa stade, e nëjtja gjë ndodh edhe me përdorimin e ngjyrave prej fëmijëve. Sipas Loëenfeld dhe klasifikimit të stadeve të përcaktuara prej tij, deri në moshën 4-vjeçare e më tej, përdorimi i ngjyrave nuk është më i paqëllimtë, por ka një përmbajtje të lartë emocionale e individuale.

Rreth moshës 3-vjeçare kur fëmijët fillojnë të kenë interes të veçantë në përdorimin e ngjyrave, pjesa më e madhe e tyre parapëlqejnë ngjyrat e ngrohta dhe të forta (më tej sqarohen se cilat janë), ndërsa vetëm ata që mund të paraqesin ndonjë problem të llojit emotiv zgjedhin ngjyra të çelëta dhe të ftohta. Mungesa e ngjyrave tregon një boshllëk emotiv dhe një prirje antisociale.

Që prej moshës 3/4-7/8 vjeçare, fëmijët përzgjedhin ngjyrat në vizatimet e tyre sipas emocionlitetit dhe ndjenjave të veta. Për këtë arsye, shpeshherë ato nuk përputhen me pasqyrimet dhe ngjyrat e vërteta të objekteve reale, por ngjyrosen sipas ngjyrave që fëmijës i pëlqejnë më shumë, psh. vizatohet dielli blu nëse i pëlqen bluja, retë e kuqe nëse i pëlqen e kuqja e kështu me radhë. Kur kalon kjo moshë, fëmijët njohin gjithnjë e më shumë realitetin dhe fenomenet, që do të thotë se ngjyrat në vizatimet e tyre janë ato të objekteve të vërteta, pra ka më shumë konkretësi dhe më pak imagjinatë.

Sipas kategorive në të cilat ndahen ngjyrat, janë:

  1. Të ngrohta – e kuqe, portokalli, e verdhë.
  2. Të ftohta – e gjelbër, blu, e kaltër, lejla.

Ngjyrat e ngrohta nxisin dhe shprehin gjallëri, energji, impulsivitet. Të ftohtat janë të orientuara nga e kundërta, nga qetësia, reflektimi, logjika, pasiviteti.

Add Your Comment