Përdorimi i zgjatur i pajisjeve dixhitale bëhet shkak për konflikte familjare

Telefonat celularë janë gjithnjë e më shumë shkak i konflikteve midis prindërve dhe fëmijëve. Një tjetër konfirmim vjen nga Australia, ku një grup studiuesish zbuluan se një e treta e prindërve thonë se përdorimi i këtyre pajisjeve shkakton tensione në familje. Arsyeja? Fëmijët abuzojnë me kohën e shpenzuar me to, e për pasojë heqin dorë nga aktivitete të rëndësishme, të tilla si sportet dhe lojërat.

Studimi Australian

Hulumtimi mbi pasojat e përdorimit të telefonave celularë në marrëdhëniet prind-fëmijë u krye nga Instituti Gonski për Edukim i Universitetit të Uellsit të Ri Jugor dhe është pjesë e studimit ndërkombëtar të quajtur Growing Up Digital, iniciuar nga Shkolla Mjekësore e Harvardit në SHBA. U përfshinë 2,500 nëna, baballarë dhe gjyshër. Autorët u kërkuan pjesëmarrësve t’u përgjigjeshin një sërë pyetjesh mbi përdorimin e telefonave inteligjentë nga fëmijët dhe adoleshentët. Qëllimi ishte të analizohen pasojat që ka përdorimi i këtyre pajisjeve elektronike në jetën familjare.

Shumë të përhapur te fëmijët dhe të rinjtë

Nga analiza e të dhënave të mbledhura, doli se, në Australi, katër në pesë të mitur – disa madje katër vjeç – kanë të paktën një pajisje dixhitale dhe se pothuajse një e treta e tyre lejohet ta marrin atë në shtrat çdo natë. Për të rriturit, ky zakon bëhet problem: një e treta e prindërve raportojnë se përdorimi i celularëve gjeneron konflikte në familje dhe se ata luftojnë për të vendosur rregulla të rrepta për këtë.

Problemet më të mëdha ndodhin në familje me një nivel socio-ekonomik mesatarisht të ulët, ku zakoni i përdorimit të celularëve në shtrat është më i madh dhe prindërit janë modele më pak pozitive.

Efektet jo vetëm në mjedisin familjar

Pasojat e përdorimit më shumë se ç’duhet të telefonëve celularë nuk janë të kufizuara në mjedisin familjar. Tre të katërtat e prindërve thanë se ishin të shqetësuar për ndikimin në aktivitetin fizik të fëmijëve të tyre, dy të tretat për mungesën e vëmendjes dhe mungesën e interesit që fëmijët tregojnë kur luajnë. Në fakt, dihet mirë se drita e pajisjeve elektronike dhe ngazëllimi që sjell përdorimi i tyre mund të shkaktojë probleme me pagjumësinë. Për më tepër, fëmijët që kalojnë shumë orë para pajisjeve dixhitale kanë më pak kohë për t’i kushtuar aktivitetit fizik dhe kanë tendencë të kenë një mënyrë jetese më sedentare dhe më pak të shëndetshme.

Në fakt, nuk është vetëm përdorimi i celularëve nga fëmijët që krijojnë probleme. Edhe prindërit shpesh kanë një marrëdhënie jo të shëndetshme me pajisjet elektronike, duke kaluar shumë kohë para ekranit dhe duke ua hequr vëmendjen fëmijëve të tyre për t’ia kushtuar atë mesazheve, internetit, rrjeteve sociale.

Add Your Comment