Pse fëmijët duhet të luajnë sa më shumë? Nga Mariglena Muçi, pedagogji speciale

Fëmijëria është një nga periudhat më të rëndësishme në jetën e çdo individi. Secili prej nesh mund të kujtojë lodrat e preferuara, të cilat i donte më shumë se çdo gjë tjetër. Por ajo që është më e rëndësishme, ka të bëjë me ndikimin që ato kanë në zhvillimin dhe përmirësimin e aftësive të fëmijëve, duke i bërë ata të përgatitur për jetën.

Studiues të ndryshëm theksojnë se fëmijët mësojnë duke luajtur dhe lodrat janë instrumentat, që i lejojnë ata të zbulojnë dhe eksplorojnë botën në të cilën jetojnë. Në këtë mënyrë, ata bashkëveprojnë me mjedisin dhe sigurojnë kënaqësi e lumturi, që i ndihmon në ndërtimin e vetëvlerësimit të tyre. Por jo vetëm kaq, përfitimet prej tyre janë të shumta, ato zhvillojnë aftësitë motorrike, sociale, emocionale, njohëse etj.

1. Aftësitë motorike
Lodrat i ndihmojnë fëmijët të angazhohen në aktivitetin fizik duke ushtruar aftësitë e tyre motorrike. Pavarësisht se me çfarë po luan, qoftë kjo një ngjyrosje e një figure apo po luan me një kukull duke i veshur ose zhveshur rrobat, e rëndësishme është prekja dhe shikimi, pra koordinimi sy-dorë dhe lëvizja e duarve apo gishtave. Po kështu, duke luajtur me makina lodër dhe lëvizur pas tyre, fëmija forcon më shumë krahët dhe këmbët. Lodrat, gjithashtu, i ndihmojnë të forcojnë koordinimin dhe lëvizjen, të shmangin mbipeshën dhe mësojnë një stil jete të shëndetshëm. Ato i motivojnë fëmijët, qëkur janë foshnja, ku ata zvarriten dhe lëvizin muskujt për t’i kapur ato, pra duke përmirësuar kështu, sa më shumë aftësitë e tyre motorike.

2. Zhvillimin emocional
Gjithashtu, lodrat rritin kreativitetin e fëmijëve dhe i ndihmojnë të shprehin emocionet e tyre. Nëpërmjet lodrave që zgjedhin për të luajtur, fëmijët mund të imagjinojnë dhe krijojnë situata të ndryshme (duke luajtur në shtëpi, për vizitë tek mjeku, tek parukierja etj). Gjithashtu, ata mund të zgjedhin role dhe personazhe të ndryshme për të provuar dhe kjo i ndihmon në marrjen e përgjegjësive dhe shprehjen e emocioneve psh: rolin e nënës që i shpreh dashurinë bebit, i mësueses që mëson nxënësin etj. Pra, shprehjen e emocioneve pozitive dhe negative.
Po kështu, fëmijët mund të krijojnë lodra edhe “aty ku nuk ka lodra”, që do të thotë se fëmijët mjafton të vënë në punë imagjinatën dhe mund të krijojnë lodra si psh: me një kapak tenxhereje, me një shishe, e mjete të tjera rrethanore. Të gjitha këto mjete i ndihmojnë ata sesi të marrin vendime dhe zhvillojnë imagjinatën në universin ku jetojnë.

3. Zhvillimin njohës
Fëmijët nëpërmjet lodrave mund të forcojnë zhvillim njohës, duke stimuluar aftësitë e tyre të përqëndrimit dhe kujtesës. Po kështu, ato u japim atyre mundësinë të zhvillojnë aftësinë për t’i zgjidhur problemet në mënyrë krijuese, e cila është thelbësore për autonominë e tyre në të ardhmen. Kjo zhvillohet më së miri duke luajtur me kuba, me blloqe ndërtuese etj. Ky zhvillim njohës i ndihmon fëmijët të afrohen me matematikën dhe aftësitë gjuhësore, që jo vetëm forcojnë komunikimin, por fillojnë të përgatiten dhe për shkollën.

4. Zhvillimin social
Ashtu siç e theksuam, edhe më lart, lodrat luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillim e gjuhës dhe komunikimit tek fëmijët dhe kjo realizohet më së miri kur ata zgjedhin të luajnë me të tjerët, duke i dhënë mundësi përmirësimit të zhvillimit social. Ato mësojnë aftësi shoqërore dhe i japin një kuptim shoqërisë në të cilën jetojnë. Lodrat i ndihmojnë të ndërveprojnë me fëmijë të tjerë dhe të përjetojnë situata ku duhet të merren mësime të rëndësishme si : respekt, bashkëpunim, ndarje. Po kështu, lodrat i mësojë të marrin inisiativa, të negociojnë dhe të mësojnë të organizohen.
Ato i ndihmojnë fëmijët të njohin veten, të formojnë personalitetin dhe ndoshta, edhe profesionin që do të kenë në të ardhmen!

Prandaj, prindër, lejojini fëmijët tuaj të luajnë me sa më shumë lodra, kjo është edhe një mënyrë e mirë për të shmangur telefonin, tabletin apo pajisje të tjera elektronike!

Add Your Comment