Qytetet e ndotura rrisin rrezikun e çrregullimit të bipolaritetit dhe depresionit

Që ndotja dëmton shëndetin është një fakt i vërtetuar. Por si konfirmim i mëtejshëm vjen një studim i kryer nga Universiteti i Çikagos, i botuar në revistën shkencore “Plos Biology”, sipas të cilit jetesa në qytet dhe me një përqindje të lartë të smogut mund të favorizojë sëmundjet neuropsikiatrike si çrregullimi bipolar dhe depresioni. E gjithë kjo mund të varet nga kimikatet që lidhen me ndotjen që shkaktojnë efekte të veçanta neurologjike, por sigurisht stresi të cilit i nënshtrohen individët që jetojnë dhe punojnë në qytet gjithashtu ka pjesën e tij të “fajit”.

Analiza me mbi 151 milion njerëz

Sipas këtij studimi të kryer në Shtetet e Bashkuara dhe Danimarkë, ekziston një lidhje e rëndësishme midis smogut dhe një rritje të përhapjes së çrregullimeve neuropsikiatrike. Në veçanti, të jetosh në zona urbane me cilësi të dobët të ajrit, veçanërisht në fëmijërinë e hershme, në të dy vendet u shoqërua me rritje të normave të çrregullimit bipolar dhe depresionit. Studimi përdori bazën e të dhënave të sigurimeve shëndetësore amerikane me të dhëna për 151 milion njerëz, dhe krahasoi gjeo-incidencën e ngjarjeve neuropsikiatrike me matjen e 87 ndotësve të mundshëm të ajrit të regjistruar nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes së Mjedisit (EPA).

Lidhja mes tyre

Në fund të punës, studiuesit zbuluan se qarqet me cilësinë më të keqe të ajrit treguan një rritje prej 27% për rastet e çrregullimit bipolar dhe 6% për depresionin në krahasim me ato me cilësinë më të mirë të ajrit. Ekipi gjithashtu gjeti një lidhje të fortë midis tokës së ndotur dhe një rreziku në rritje të çrregullimit të personalitetit. Për të konfirmuar këto korrelacione, studiuesit u përpoqën të vërtetojnë rezultatet amerikane duke aplikuar të njëjtën metodologji në të dhënat nga një komb tjetër, Danimarka, i cili kontrollon treguesit e cilësisë së mjedisit në zona shumë më të vogla. Ekipi i Çikagos më pas bashkëpunoi me kolegët nga Universiteti Aarhus për të analizuar regjistrat kombëtarë me të dhëna për 1.4 milion njerëz të lindur në Danimarkë midis viteve 1979 dhe 2002. Studiuesit panë incidencën e sëmundjeve neuropsikiatrike tek të rriturit që jetonin në zona me cilësi të dobët të ajrit, dhe lidhjet që ata gjetën, veçanërisht për çrregullimet bipolare, pasqyrojnë ato amerikane – një rritje 29% në zonat me cilësinë më të keqe të ajrit.

Elemente që duhen sqaruar

Lidhja e mundshme shkak-pasojë mbetet ende për t’u sqaruar; megjithatë, edhe pse studimi nuk i drejtohej në mënyrë specifike pyetjes sesi ndotja e ajrit mund të shkaktojë efekte neurologjike, studime të shumta eksperimentale të kryera në modele kafshësh sugjerojnë se kimikatet ndotëse mund të shkaktojnë një sërë problemesh neuro -zhvillimore, shumë prej të cilave ndodhin në kalimin nga fëmijëria në moshën madhore.

Hortoterapia, pra kushtimi i kohës për kultivimin e perimeve dhe frutave pas ciklit të prodhimit ndihmon ata që vuajnë nga ankthi dhe depresioni.

Add Your Comment