Si të flasim me fëmijët për ndjenjat?

Përveҫ nevojave dhe interesave, sjellja njerëzore drejtohet shpeshherë nga ndjenjat dhe emocionet, të cilat ashtu si shumë elementë të tjerë që i japin jetë marrëdhënieve njerëzore, do të edukohen dhe mësohen që në fëmijëri. Për këtë arsye, për të kuptuar sjelljen e fëmijëve dhe për të negociuar me ta, është e nevojshme që prindërit të kenë në vëmendje përjetimet ndjesore të fëmijëve. Nëse një fëmijë nuk po sillet mirë, pyetja e parë dhe kryesore që prindi duhet t’i japë përgjigje është se cfarë ndjen fëmija, zemërim, mërzi, frikë, trishtim, xhelozi?

Pikë së pari, fëmijët duhen mësuar që të flasin për ndjenjat e tyre. Është e vetmja mënyrë për t’i menaxhuar dhe kontrolluar. Duke i mësuar elementë të inteligjencës emocionale, fëmijët do mësojnë që të jenë dhe më të ndjeshëm ndaj të tjerëve më vonë në jetë; duke i mësuar të emërtojnë ndjenjat përkatëse do të dinë të shprehin si ndjehen e cfarë duan.

Prindërit mund t’i nxisin fëmijët të flasin për ndjenjat e tyre duke qenë ata vetë një shembull i mirë, duke folur ata vetë sesi ndihen. Duke nisur fjalitë me “unë ndihem”, fëmija do të edukohet të etiketojë intensitetin e emocioneve të veta.

Të folurit për ndjenjat dhe emocionet është e kushtëzuar në një masë të madhe nga edukimi dhe kultura në të cilën bëjmë pjesë. Përgjithësisht, në kulturën tonë fëmijët nuk nxiten të shprehen lirshëm mbi atë që ndjejnë dhe emocionet ndahen në dy grupe: të mira dhe të këqija. Një përqasje e tillë bardhë e zi kundrejt emocioneve nuk është e këshillueshme. Krejt përkundrazi, prindi duhet të jetë empatik dhe një dëgjues i mirë, duke u vënë në vendim e fëmijës e duke u përpjekur maksimalisht të kuptojë gjendjen emocionale të fëmijës së tij. Në përgjtihësi, fëmijët priren të shprehen më shumë për emocionet dhe ndjenjat e tyre me personat që ndihen më të lirshëm dhe me personin që kalojnë më shumë kohë.

Prindi mund të ndajë ndjenjat e tij gjatë ditës kur është me fëmijën në situata dhe momente të ndryshme. Kur shohin televizor bashkë, filma, apo lexojnë libra e përralla, gjen mundësinë për ta pyetur sesi ndihet një personazh i caktuar dhe pse, cilat janë arsyet që merr një vendim dhe jo një tjetër, cfarë do të bënte fëmija nëse do të ishte në nëj situatë të ngjashme. Nxitja për t’u vendosur mendërisht në situata të ndryshme do të nxisë ndërgjegjësimin dhe shprehjen më të mirë të ndjenjave. Asnjëherë nuk duhet vënë në pozitë të vështirë fëmija mbi emocionet që ka, qoftë dhe kur janë këto turpi apo sikleti. Pas një zënke, pas një shpërthimi, pas një problem, mërzie apo edhe gëzimi, e rëndësishme është që fëmija të dijë të shprehet mbi emocionet e veta e të kuptojë se të folurit mbi ndjenjat është pozitive dhe cdo emocion vlerësohet, nuk ka emocion të mirë ose të keq.

Njohja e ndjenjave është një domosdoshmëri për ta ndihmuar fëmijën të zgjidhë problemet dhe pë ta nxjerrë nga situatat e vështira që mund t’i shkaktojnë ankth, frikëra, pasiguri e cdo emocion jo pozitiv.

Duhet të jemi ne të rriturit, të respektojmë botën emocionale të fëmijëve në radhë të parë, në mënyrë që ata vetë t’i kushtojnë rëndësinë e duhur më vonë. Inteligjenca emocionale dhe intuita e fëmijëve nuk gabon, kur ata zgjedhin se kujt t’i besojnë, kë të duan dhe me kë të ndërveprojnë.

Add Your Comment