Si të planifikoni pushimet verore me fëmijët me aftësi ndryshe? 7 orientime për prindërit

Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar

Pushimet verore kanë një rëndësi të veçantë dhe shpesh kërkojnë një planifikim paraprak. Shumë prindër e dijnë më së miri se sa gjëra duhet të planifikojnë dhe përgatisin kur vendosin të shkojnë me pushime. Për prindërit që kanë fëmijë me aftësi ndryshe, udhëtimi në destinacione të reja dhe eksploimi i qyteteve nëpër botë është akoma më i vështirë. Siç e dimë shumë fëmijë me aftësi ndryshe kanë rutinën e tyre dhe një ndryshim në të, mund të jetë shumë e vështirë nga ata për tu përshtatur sërisht.  Më poshtë po rendisin disa këshilla që duhet të keni parasysh, kur vendosni të udhëtoni me fëmijën tuaj:

  1. Kërkoni destinacionin e preferuar online në internet sëbashku me fëmijën tuaj

Përpara se të vendosni se ku do të shkoni është mirë të bëni disa hulumtime paraprake në internet në lidhje me destinacionin ku mendoni. Në varësi të moshës së fëmijës suaj, ju mund ta bëni këtë sëbashku. Mjaft lehtë ju mund të kërkoni në internet imazhe dhe pamje të destinacionit të preferuar dhe t’i ndani ato me fëmijën tuaj. Kjo e ndihmon atë të kuptoj ku do të shkoni dhe çfarë do të bëni. Por gjithashtu e lejon atë të thotë se çfarë ka dëshirë të shohë dhe për çfarë do të ngurronte. Kjo të ndihmon të kuptosh shqetësimet ose vështirësitë, që mund të hasë fëmija juaj atje dhe a është destinacioni i përshtatshëm për të. Gjithashtu, ju mund të shihni dhe komentet ose sugjerimet lidhur me atë destinacion.

  1. Lejojeni fëmijën tuaj të bëhet pjesë e planifikimit

Nëse ju keni zgjedhur destinacionin se ku do të shkoni, atëherë filloni nga planifikimi! Është e rëndësishme që pjesë të tij të bëni dhe fëmijën tuaj. Lejojeni atë të thotë mendimin dhe dëshirën e tij se çfarë do të bëjë, ku do të rrijë, çfarë dëshiron etj. Madje ju mund t’i tregoni imazhe të aktiviteteve, sporteve, ushqimit, hotelit etj dhe ta lejoni fëmijën tuaj të zgjedhë. Në varësi të zgjedhjes iu kuptoni preferencat e fëmijës suaj dhe në të njëjtën kohë e ndihmoni atë të zhvillojë aftësinë e vendimmarrjes.

  1. Interesohuni për kohën e fluturimit

Shumica e udhëtimeve jashtë Shqipërisë, bëhen në orare të ndryshme. Shpesh këto orare mund të jenë të papërshtatshme për fëmijën tuaj, pasi siç e dijmë ata kanë rutinën e tyre. Prandaj është shumë e rëndësishme të interesoheni për këto orare duke u drejtuar në agjensi të ndryshme turistike ose zyra informacioni. Në varësi të tyre iu mund të zgjidhni atë, që iu përshtatet. Mund të zgjidhni të fluturoni natën kur fëmija juaj të jetë në gjumë dhe të mos e ndiejë shumë udhëtimin dhe lodhjen, ose mund të udhëtoni ditën dhe ai të shohë gjithçka. E rëndësishme është që iu t’i shpjegoni fëmijës suaj kohën, në mënyrë që ta orientoni atë.

  1. Interesohuni për akomodimin

Një pjesë e rëndësishme e planifikimit është akomodimi. Përpara se të zgjidhni hotelin ose vendin ku do të qëndroni, është mirë të interesoheni se çfarë ata ofrojnë. Ju i dini mirë se cilët janë faktorët, që mund të shqetësojnë fëmijën tuaj. Atë mund ta bezdisë zhurma e lartë, muzika, prania e shumë njerëzve, forma e krevatit etj. Për të gjitha këto ju mund të interesohuni, përpara se të bëni rezervimin dhe tu shpjegoni gjendjen e fëmijës suaj. Shumica e hoteleve ofrojnë edhe shërbime ekstra sipas nevojës që paraqet gjithsecili, prandaj ju mund të informoheni më tepër mbi këto shërbime.

  1. Njiheni fëmijën tuaj me ushqimin

Për fëmijët me aftësi ndryshe është mjaft i rëndësishëm ushqimi. Përbërës të ndryshëm ndikojnë shpesh edhe në luhatjen e humorit të tyre. Prandaj, ju duhet të interesohuni për ushqimin që ata ofrojë dhe sa i përshtatet fëmijës suaj. Për këtë mund të shihni imazhe, video dhe t’ia tregoni dhe fëmijës. Nëse nuk iu përshtatet ju mund të zgjidhni të merrni diçka ekstra për fëmijën tuaj dhe ta mbani atë në frigorifer. Po aq e rëndësishme është të ruani oraret fikse kur fëmija juaj ushqehet, sepse ndryshimi në to mund ta bëjë atë nervoz. Është mirë që të mbani me vete ushqimet e tij të preferuara dhe t’i konsumoni në oraret e duhura. Nëse fëmija juaj është i lëvizshëm, ju mund të zgjidhni ta konsumoni ushqimin edhe në natyrë ose në një park. Nëse fëmija juaj është i ndieshëm dhe ka nevojë për një ambient të qetë, është më mirë të ktheheni në dhomën e hotelit ose në një vend pa zhurma.

  1. Zgjidhni çfarë do të merrni me vete

Pasi të keni mbyllur rezervimin, duhet të mendoni se çfarë do të merrni me vete. Në varësi të destinacionit të zgjedhur është mirë të përshtasni dhe veshjet. Gjithashtu mund të merrni me vete edhe lodra, libra ose gjëra të tjera me të cilat mund të argëtoheni me fëmijën tuaj. Pavarësisht se çfarë mund të ofrojë hoteli ose vendi i përzgjedhur, fëmijët kërkojnë të preferuarat e tyre. Për këtë arsye është mirë të merrni disa prej tyre me vete, në mënyrë që t’i keni gati, kur fëmija juaj t’i kërkojë. Gjithashtu, mos harroni aparatin fotografik!

  1. Përgatisni planin tuaj përfundimtar të udhëtimit

Kur kërkimet dhe hulumtimet tuaja të mbarojnë përfundimisht, atëherë vendosini në një dokument. Në një faqe vendosni imazhet dhe informacionet e marra. Më pas ato tregojani fëmijës suaj, duke e orientuar në tërësi sesi do të jenë pushimet, që do të kaloni. Pjesën tjetër plotësojeni me foto apo gjëra që mund të mblidhni gjatë kohës, që jeni me pushime.

E gjitha kjo do e ndihmojë fëmijën tuaj të memorizojë më mirë çdo gjë që ka bërë, të argëtohet dhe mbi të gjitha të shijoni pushimet sëbashku.

Add Your Comment