Si t’i qetësojmë fëmijët kur kanë parë filma horror?

Nga Lorela Garuli

 

Filmat horror, si rrjedhojë e elementëvë shumë të fortë që përmbajnë dhe emocioneve të forta që shkaktojnë, mbeten gjatë në kujtesën dhe mendjen tonë; ndërsa në mendjen e fëmijëve, akoma më gjatë. Ndër të tjera, shkaktojnë frikë, ankth, pagjumësi, e deri në fobi.

Patjetër që i duhet folur rreth faktit që filmat horror nuk pasqyrojnë të vërtetën, realitetin dhe se janë pjesë e mekanizmave të industrisë kinematografike.

Ajo që duhet bërë në këto raste në radhë të parë është që prindi ofron siguri dhe besim maksimalisht. Do të thotë që fëmija duhet dëgjuar sa herë të ketë nevojë të shprehet. Duhen kuptuar emocionet e tij dhe përse ka frikë, cfarë i shkaktojnë konkretisht dhe cfarë është ajo që më shumë i tremb. Frika është emocion, i cili nxitet dhe paraprihet nga mendime shqetësuese dhe që fëmijës i duken të rrezikshme. Në këtë pikë, fëmija ndihmohet që ën castin e parë që ka këto frikëra, të përpiqet ta zhvendosë vëmendjen, të nisë të luajë apo të shpërqendrohet me dicka që i pëlqen.

Me shumë durim fëmija duhet dëgjuar, sepse shprehja e emocioneve dhe përshkrimi i asaj që e tremb e ndihmon në përballimin e saj. Pra, reagime të tipit “Mos ki frikë”, “Mos u tremb se nuk ka asgjë”, “Ti nuk je frikacak” e me radhë, nuk bëjnë gjë tjetër vetëm e ndrydhin më shumë dhe i shtojnë pasiguritë. Frikërat duhen ballafaquar, në mënyrë që të tejkalohen.

Bëni më shumë gjëra bashkë, flisni me të, të bindet që ju jeni aty për të si një burim i sigurt dhe mbështetës. Njëkohësisht mund t’i shpjegoni që në disa raste të gjithë kanë frikëra të ndryshme, por të mësojë të bëjë dallimin mes atyre që vijnë nga situata objektive dhe atyre që nuk janë reale. Përballë argumenteve që ajo që ka parë nuk është e vërtetë, që janë gjëra që nuk i kanë ndodhur ndonjëherë dhe se nuk ka arsye t’i ndodhin tani, fëmija bindet që nuk i kanoset asnjë rrezik dhe qetësohet!

Add Your Comment