Si t’u lexojmë librat fëmijëve? Nga Ertiola Lugji

Sot është Dita Botërore e Librit (23 Prill), prandaj do të shpjegohen për taktikat e leximit efikas.

A e dini se leximi i librave për fëmijën tuaj është një prej mënyrave më efektive për përmirësuar aftësitë e tij gjuhësore dhe të të folurit? Madje, kjo vlen për të gjithë fëmijët; edhe për ata që nuk kanë probleme të komunikimit.

Le t’u hedhim një sy këshillave të mëposhtme:
1. Lexoni ngadalë
Fëmijët mësojnë më shumë nga librat, kur ju i lexoni ngadalë. Për një të rritur kjo mund të jetë e çuditshme ose e bezdisshme, por duhet të mbani mend që aftësia për të përpunuar dhe ruajtur informacionin është më e ngadaltë të vogëlushi juaj sesa tek ju. Nëse për ju është e lodhshme të lexoni ngadalë, provoni të bëni pauza të gjata në fund të fjalive ose në pushimet e presjeve.

2. Rilexoni librat herë pas here
Ju ka kërkuar ndonjëherë fëmija juaj t’ia rilexoni vazhdimisht të njëjtin libër, saqë ju keni menduar me vete “MOS! Përsëri?!”? Bëni durim, pasi fëmijët mësojnë nga një informacion të ri për çdo herë që ju i lexoni librin. Sa më shumë që ju t’i lexoni vogëlushit tuaj, aq më mirë do t’i fiksohet historia, mesazhi apo fjalët e reja. Kjo është mënyra si mësojnë fëmijët që dëgjojnë leximin e librave.

3. Mbani shenjën me gisht
Edhe pse fëmija juaj nuk di të lexojë, mbajtja e shenjës me gisht është një strategji shumë e mirë për t’i lënë të voglit tuaj të kuptojë se fjalët në libër kanë një funksion dhe mbartin kuptimin e historisë. Njëkohësisht, vogëlushëve u mësohen konceptet hapësinore të leximit, domethënë, ata ushtrojnë sytë e tyre për të lexuar nga e majta në të djathtë dhe nga lart-poshtë.

4. Kërkojini fëmijës të tregojë me gisht figurat në libër.
Bëjeni këtë veprim gjatë kohës që lexoni. Ndërpriteni leximin për t’i bërë pyetje fëmijës, si “Ku është makina?”, “Kush është ky?”, etj. Kjo ndërthurje e të lexuarit me bashkëbisedimin ndikon në rritjen e fjalorit të të voglit tuaj, njohjen e objekteve të ndryshme, por mbi të gjitha, ndihmon në ruajtjen e përqendrimit përgjatë leximit të librit.

5. Pyesni fëmijën se çfarë po ndodh në libër.
Të bërit e pyetjeve gjatë leximit do të rrisë të kuptuarit e historisë nga ana e fëmijës, si dhe do të ndikojë në aftësinë e të voglit për t’u kthyer përgjigje pyetjeve, në përgjithësi. Ju mund të bëni pyetje të mbyllura (me përgjigje po / jo) ose pyetje të hapura (kush / çfarë / ku / kur / pse / kujt / si / sa).

6. Gjeni libra që u interesojnë fëmijëve.
Fëmijët kanë tendencë ta pëlqejnë të lexuarit e librave, nëse ju zgjidhni libra që zgjojnë interesin e tyre. Për ta arritur këtë, merrni gjithmonë fëmijën me vete në librari dhe jepini liri të zgjedhë librat sipas dëshirës së tij / saj. Nëse në librarinë tuaj nuk ka libra me interes për fëmijën, atëherë kërkoni në internet libra në formatin e-book (me ilustrime dhe fjalë).

7. Lexoni lloje të ndryshme librash
Sigurohuni që të keni në bibliotekën e fëmijës tuaj libra me trillime (histori të krijuara), me fakte (informacione të ndryshme rreth një teme), libra rreth njerëzve të ndryshëm, por, mbi të gjitha, libra të pasur me ilustrime, figura ose foto. Kjo do ta ndihmojë fëmijën tuaj të kuptojë stilet e ndryshme të të lexuarit dhe të përzgjedhë kategorinë e preferuar.

8. Krijoni aktivitete të ngjashme në kushtet e shtëpisë.
Ju mund të aktroni skena të ndryshme nga librat që lexoni, ose të bëni veprime të ngjashme me ato të personazheve. Një metodë tjetër është vizatimi i ngjarjeve ose ndërtimi i skenave me plastelinë ose shkumë deti. Kjo do t’i lejojë fëmijës tuaj që të ruajë në kujtesë ngjarjet e librit.

Në fund të artikullit, do t’ju sugjeroja që, sikur t’ju duhej të bënit vetëm një aktivitet me vogëlushët tuaj, zgjidhni leximin e librave. Me kalimin e kohës, do ta kuptoni rëndësinë e kësaj zgjedhjeje.

Add Your Comment