Vizatimi në kontekstin ligjor; si të kuptojmë elemente të abuzimeve. Nga Lorela Garuli

Natyra e koklavitur njerëzore e vendos psikologjinë përpara detyrave përherë e më të vështira, kur është fjala për të kuptuar mekanizmat e funksionimit të saj, sidomos brenda mjediseve ligjore. Motivet që shtyjnë dikë të kryejë një krim, të abuzojë me një fëmijë, rastet delikate të marrjes së vendimit mbi vendosjen e kujdestarisë kur prindërit po divorcohen e shumë të tjera, janë shumë komplekse dhe kërkojnë prej profesionistëve përkatës përdorimin e të gjitha mënyrave dhe teknikave të mundshme që mund të ndihmojnë në zbulimin e tyre.

Për këto arsye, teknikat projektive grafike, me në krye vizatimin gjejnë terren përdorimi në mënyrë masive në kontekstet ligjore dhe penale. Në këto raste kërkohet një vlerësim global i të pandehurit dhe i fëmijës që për një arsye apo për një tjetër është pjesë e procesit gjyqësor. Për të njejtat motive si në bisedën klinike dhe në kontekstin terapeutik, ashtu edhe në atë ligjor, një pjesë e rëndësishme e informacionit merret me anë të teknikave projektive dhe të vizatimeve, si rrjedhojë e vështirësive konkrete praktike që zhvillimi i fëmijës paraqet. Testet projektive që administrohen më shpesh janë: vizatimi i figurës njerëzore, testi i vizatimit të shtëpisë dhe testi i vizatimit të familjes. Informacioni që merret nëpërmjet këtyre rrugëve është shumë i dobishëm për proçesin e vlerësimit, veçanërisht në rastet e kujdestarive apo abuzimeve. Vizatimet e fëmijëve në këto raste pasurojnë dosjen e vlerësimit me të dhëna mbi zhvillimin e personalitetit të fëmijës, dinamikat familjare, atashimin me figurat përkatëse prindërore apo përkujdesës të tjerë, raportet mes anëtarëve të familjes dhe si këto të fundit reflektohen tek fëmija, praninë e elementëve të mundshëm të abuzimit, dhunës apo neglizhimit.

Është e zakonshme që fëmijët të mos e verbalizojnë traumën që i vjen prej abuzimeve, prej frikës, prej mendimit se të rriturit nuk do t’i besojnë, prej ndjenjave të fajita a prej tronditjes, prej dhimbjes. Për këtë arsye, në vizatimet e tyre dalin në pah shumë prej elementëve të abuzimit, elementë të cilët profesionistët përkatës që marrin pjesë në vlerësimet brenda konteksteve ligjore, nuk duhet kurrsesi t’i anashkalojnë, sepse është një mënyrë me anë të së cilës fëmija po komunikon praninë e abuzimit. Konsiderohet se një prej treguesve fillestare të abuzimeve seksuale apo fizike në vizatime është regresioni, pra kur fëmijët shfaqin elementë të fazave të mëparshme të vizatimit, psh. një fëmijë 5-vjeçar vizaton me simbole dhe zhgarravina si të një fëmije 3-vjeçar. Të tjerë detaje që duhet të tërheqin vëmendjen e profesionistit dhe t’i zgjojnë dyshime në këto raste, janë:

  • Kur fëmija vizaton veten me shprehje të tmerruara në fytyrë, me sy të mëdhenj dhe shikim të shqyer.
  • Pjesët që shërbejnë për të mbyllur veshjet vizatohen shumë të theksuara, zinxhirët, kopsat, lidhëset.
  • Kur një personazh i rritur vizatohet me duar proporcionalisht shumë më të mëdha sesa pjesa tjetër e trupit.
  • Kur vizatohen organet gjenitale të të rriturit.
  • Kur vizatohet një i rritur në formën e një keqbërësi, djalli, shtrige apo figura të tjera që shkaktojnë frikë, të cilat përcjellin emocione negative, agresion, dhunë dhe terror.

Megjithatë, jo gjithmonë vizatimi mund të shfaqë haptas elementë që flasin për abuzime. Shpeshherë, vizatimet e fëmijëve të abuzuar mund të jenë shumë simbolike dhe të kamufluara. Në këto raste, vëzhgohet përmbajtja dhe ato detaje që duket se janë pavend, të tepruara, që stonojnë apo që shprehin tension dhe irritim. Psh. në një rast ku fëmija vizaton veten, një shtëpi të vogël në sfond dhe diellin shumë të madh, shoqëruar edhe me shkrimin e fjalës “diell” disa herë, po shprehen sinjale që flasin për një alarm të mundshëm. Shtëpia e vogël do të simbolizonte pafuqinë e familjes për ta mbrojtur dhe largësinë që fëmija ndjen prej saj, dielli shumë i madh përfaqëson një diell përvëlues, djegës, dominant, ndërsa të shkruarit e shumtë të fjalës shpreh idenë persekutore të kësaj pranie në jetën e fëmijës dhe ankthin e vazhdueshëm që e gjithë kjo i shkakton.

Add Your Comment