Nga Lorela Garuli
Prej disa vitesh, në përvojën psikologjike dhe edukative perëndimore, është përhapur rregulli i 4 dhuratave, një masë me të cilën synohet të vihet pak rregull, limit dhe të mos “mbingopen” fëmijët me shumë dhurata, përveçse të shmanget blerja e lodrave apo gjërave të tjera që ata nuk do t’i përdorin kurrë dhe mbeten nëpër shtëpi.
Ky rregull i veçantë konsiston në të dhuruarit në festa apo datëlindje fëmijëve të:
⏩Një objekt që ata mund të mbajnë në përdorim të përditshëm: veshje, këpucë, çanta, biçikletë.
⏩Një libër: në varësi të moshës, mund t’u dhurojmë një libër me vizatime,ngjyrosje, lojëra, për plotësim aktivitetesh, me përralla, tregime, apo lexime më të avancuara.
⏩ Çfarë dëshirojnë më shumë: këtu vjen dhurata që ata shprehin si dëshirë dhe është në fakt ajo që u jep më shumë kënaqësi dhe gëzim.
⏩Një dhuratë që kanë nevojë dhe domosdoshmëri, që iu duhet: ngjyra, lapsa, mjete kancelarie për shkollë, aksesorë për aktivitete jashtëshkollore etj.
Vendosja e kufijve në raport me blerjet dhe dhuratat, jo vetëm që ndihmon familjet të vendosin rregull dhe disiplinë në mënyrë që blerjet të mos kthehen në të vetmet shpërblime dhe fëmija të mos krijojë varësi në moshën që është, edhe më vonë, por njëkohësisht e mëson fëmijën me limite të shëndetshme duke pranuar dhe “Jo” e që nuk mund të marrë çdo gjë që do, sa do, kur do dhe si do.