Karantina. Çfarë po ndodh këto ditë në mendjen e fëmijëve?
Tashmë jemi në muajin prill dhe sapo ka përfundur java e katërt e ndërprerjes së shkollës dhe mbylljes në shtëpi të fëmijëve. Në fillim atyre iu duk si një periudhë pushimesh, ku mund të dilej për shëtitje me prindërit, të çoheshin vonë në mëngjes e të shihnin filmat e animuar, të takonin shokët në sheshet pranë shtëpive e të luanin me ta të shpenguar. Por vetëm pas pak ditësh që prej ndërprerjes së procesit mësimor, ideja e të qënurit me pushime u ndërpre drastikisht. Rastet e shtuara me të infektuarit nga virusi, viktimat e para dhe masat e forta në lidhje me frenimin e përhapjes së tij ndryshuan krejtësisht jetën e fëmijëve.
Qytetet filluan të shkretëtohen, fëmijët nuk mundeshin të takonin më shokët e tye, t’i përqafonin apo të luanin me ta nëpër parqe apo kudo tjetër, nuk mund të shkonin më nga gjyshërit sepse takimi me ta mund të vinte në rrezik jetën e tyre. Fëmijëve do t’iu duhej të rrinin vetëm brenda shtëpisë, për një periudhë të pacaktuar kohe. Kështu ndryshoi jeta e fëmijëve tanë brenda pak orësh, ndërkohë që ata të pavetëdijshëm për ndryshimin, vazhdonin të vizatonin lule e pemë pranverore , për ti ngjitur e treguar më pas vetëm brenda mureve të shtëpisë.
Po çfarë po ndodh në mendjen e fëmijëve këto ditë? Çfarë mendojnë, çfarë imagjinojnë, çfarë ndiejnë ata në këtë situatë krejt të pazakontë?
Të pyetur përmes një pyetësori, fëmijët kanë vuajtur në këto ditë më së shumti, prishjen e rutinës së përditshme, gjë që ju ka sjellë, nervozizëm, sjellje kundërshtuese, mosbindje, pagjumësi, stres dhe ankth. Fëmijët kanë vuajtur gjithashtu mungesën e lirisë për të dalë jasht në natyrë, mallin dhe mungesën e shokëve, mallin dhe mungesën e të afërme.
Një nga problemet e tjera të shfaqura është dhe vështirësia për t’u përballur me mësimin on line. Duke patur idenë e pushimeve në mendje dhe mungesën e aktiviteteve normale në lidhje me shkollën dhe të nxënin, një pjesë e tyre shfaqën mungesë dëshire për të kryer detyrat që mësuesja i jepte nëpërmjet mësimit on line. Një problem tjetër është edhe shpjegimi me video apo me lidhje direkte, i cili kërkon aftësi të reja të përqëndrimit dhe të të kuptuarit, të cilat fëmijët duhej t’i përshtasin shumë shpejt në situatën e krijuar.
Ka gjithashtu edhe fëmijë që janë përshtatur shpejt dhe nuk ndiejnë ndonjë ndryshim të madh mes jetës që bënin më parë dhe asaj tani, por edhe për këta fëmijë duhet përkujdesje e vazhdueshme pasi në një periudhë izolimi të gjatë mund të shfaqin papritur shenja të mërzitjes, lodhjes, nervozizmit, papërqëndrimit, ashtu si fëmijët e tjerë të cilët i përjetuan që në ditët ëe para këto ndjesi.
Çfarë u bë për të ndihmuar fëmijët dhe prindërit e tyre në këtë situatë të jashtëzakonshme?
Prindërve ju dhanë udhëzime nga psikologët e shkollave, sesi ta përballonin psikologjikisht këtë situatë. Ata u udhëzuan për tu përballuar sa më mirë me situatën në këto drejtime:
- T’i shpjegojnë fëmijëve situatën, jo me gënjeshtra dhe as me dramacitet. Ata duhej t’i shpjegojnë atyre se qëndrimi në shtëpi bëhet për të qënë të gjithë, të mbrojtur dhe të sigurt. Mbyllja në shtëpi nuk duhet të jetë pasive por përkundrazi aktive e plot me veprimtari.
- Krijimi i një rutine të re në vend të asaj që tashmë mungon. Rutina ditore i jep fëmijës motiv për të jetuar ditën shëndetshëm dhe siguri. Ndërtimi i një plani në lidhje me veprimtaritë në shtëpi si psh: ngritja nga gjumi, higjena personale, ushqyerja e shëndetshme, mësimi on line, kryejrja e detyrave, komunikimi virtual me shokët dhe të afërmit, lojërat në shtëpi, përzgjedhja e programeve zbavitëse e të tjera si këto, të vendosura me orar, do të ishin një mbështetje shumë e mirë për të krijuar ndjenjën e sigurisë së fëmijës në këto kohë.
- Kuptimi dhe vetëdijësimi, që situata përballohet me kurajo dhe aktivitet të organizuar brenda shtëpisë. Shmangia e bisedave me frikë e panik, apo ekspozimi i fëmijëve ndaj pamjeve apo lajmeve të rënda nga tv apo rrjete të ndryshme sociale. Kështu nuk ka vlerë t’i flasësh fëmijës disa minuta për ta qetësuar dhe pastaj prindi të ndalet për orë të tëra para televizorit duke parë për të disatën herë lajmet dramatike në lidhje me virusin. Ky do të ishte një përjetim me pasoja negative për fëmijën.
- Prindërit duhet të dinë gjithashtu se fëmijët nuk përjetojnë ankth për të ardhmen. Ata në fakt shqetësohen sepse në këtë periudhë, nuk festojnë dot ditëlindjen me shokët, pse nuk dalin dot për të luajtur, përse nuk shkojnë dot në shkollë. Pra ata shqetësohen për të tashmen, kështu ju lutemi prindërve të mos ngarkojnë mendjen e fëmijëve me frikën për të ardhmen frikë të cilën vetëm ata e përjetojnë.
- Prindërit duhet të lënë edhe një periudhë për aktivitete personale, si pushim, lexim, ushtrime fizike etj. Dhe për këtë duhet të vendosin në regjimin ditor një pushim për fëmijët, gjatë së cilit ata të jetojnë në hapësirën e tyre personale.
Çfarë bënë mësuesit në këtë periudhë?
Mësuesit ju desh të përshtasë në një kohë shumë të shkurtër metodat e të nxënit, nga mësimi në shkollë në mësimin on line. Ata përdorën hapësira të ndryshme komunikimi virtual me nxënësit sipas mundësive të përbashkëta. Shkëmbyen eksperiencë me njëri- tjetrin, morën udhëzime dhe vazhduan mësimin on line.
Kujdesi i veçantë që mësuesi duhet të ketë në këtë periudhë shtrihet në dy drejtime, në mësimdhënie dhe në aspektin psikologjik. Nga pyetësori i zhvilluar u vu re që fëmijët kanë këto kërkesa parësore në lidhje me dy drejtimet që thamë më lart:
- Fëmijët kërkojnë shpjegime të qarta nëpërmjet videove të përgatitura, jo vetëm udhëzime si të plotësohet teksti, por shpjegim për çdo koncept që përmban tematika e re.
- Fëmijët ndihen të mbingarkuar me aktivitetet lëndore në shtëpi. Ata kërkojnë rishikimin nga ana e mësuesit e aktiviteteve që ju japin në mënyrë që të jenë më të pakta në numër duke ruajtur gjithmonë arritjen e qëllimit.
- Fëmijët kërkojnë të komunikojnë me shokët e shoqet dhe me mësuesen drejtpërsëdrejti në lidhje direkte. Ata po ndihen si të humbur në këtë periudhë. Komunikimi direkt përmes platformave të ndryshme virtuale, do të shuante tek ata ndjenjën e mallit, mërzitjes, nervozizmit, vetmisë.
- Fëmijët kërkojnë që mësuesja t’i rekomandojë aktivitete të ndryshme argëtuese të cilat mund t’i zhvillojnë vetëm ose me pjesëtarët e tjerë të familjes.
Duke e mbyllur këtë përshkrim të situatës në të ciën janë përfshirë të gjithë pjesëtarët e shoqërisë sonë, e në veçanti fëmijët, mesazhi im ëshë: Lehtësojani fëmjëve peshën e këtyre ditëve krejt të pazakonta, me strategji, mençuri dhe durim.
Valbona Imeraj/ mësuese e arsimit fillor në shkollën 9-vjeçare “Dëshmorët e lirisë” Tiranë