Përgjatë viteve të punës me fëmijë të moshave të ndryshme, shpesh jam përballur me fëmijë me sjellje të papërshtatshme apo të padëshirueshme dhe prindër me nevojë imediate për ndihmë, në mënyrë që të përmirësonin sjelljen e fëmijës së tyre dhe jo vetëm… Asnjëherë nuk duhet të harrojmë, sjellja është e mësuar dhe modeli i sjelljes për fëmijët, janë së pari prindërit. Duke qenë në këtë situatë të vështirë për secilin nga ne por nga ana tjetër, një mundësi e mirë për prindërit, për të përmirësuar sjelljen e fëmijës së tyre duke qënë se kanë më shumë kohë në dispozicion. Një qasje pozitive dhe konstruktive është shpesh mënyra më e mirë për të udhëhequr sjelljen e fëmijës tuaj. Kjo do të thotë t’i jepni vëmëndje kur sillen mirë, në vend që të aplikoni pasojat/ndëshkimet kur fëmija bën diçka që juve nuk ju duket e përshtatshme. Më poshtë do paraqesim disa këshilla praktike për të vënë në zbatim këtë qasje pozitive:
- Ji model
Përdor sjelljen tënde si guidë për fëmijën tënd. Ajo çfarë ti bën është shumë më e rëndësishme sesa ajo çfarë ti thua. Përshembull, nëse ti do që fëmija yt të thotë të “Të lutem”, thuaje edhe ti. Nëse nuk do që fëmija yt të flasë me zë të lartë, atëherë përdor një të folur të qetë dhe në mënyrë të sjellshme.
- Tregoji fëmijës tënd si ndihesh
Duke i treguar fëmijës tënd në mënyrë të sinqertë sesi të bën të ndihesh sjellja e tij, e ndihmon atë të shohë ndjenjat e tij tek ti. Saktëso “Unë” në mënyrë që fëmija të shikojë gjërat nga prespektiva jote, përshembull “Unë po mërzitem sepse ti po bën shumë zhurmë dhe unë nuk po arrij të flas në telefon.”
- Përgëzo kur fëmija po sillet mirë
Përgëzimet janë shumë të rëndësishme për të motivuar një sjellje pozitive tek fëmija, kapni momentin dhe i thoni “ Më pëlqen loja që po bën!”; “Tani po luan shumë mirë!”. Kjo padyshim është më e vlefshme sesa ti japësh vëmëndje maksimale fëmijës ndërkohë që ai po luan në mënyrë të shkujdesur.
- Dëgjoje fëmijën tënd në mënyrë aktive
Ndërkohë që fëmija flet, tunde kokën në shenjë pohimi që po e dëgjon dhe kupton atë. Gjithashtu thuaj atë që ti mendon se fëmija po ndjen, “Duket sikur ndihesh shumë e mërzitur që t’u gris fletorja”. Duke reaguar në këtë mënyrë, e ndihmon fëmijën të reagojë siç duhet me tensionin dhe emocione të forta si frustrimi, që shpesh çojnë në sjellje të padëshirueshme. Reagimi yt gjithashtu i ndihmon ata të ndihen komod dhe të respektuar.
- Mbani premtimet!
Kur ju i qëndroni premtimeve tuaja, të mira apo të këqija qofshin ato, fëmija mëson t’ju respektojë dhe të ketë besim tek ju. Fëmija mëson se ti nuk do e zhgënjesh kur i ke premtuar diçka të këndshme dhe mëson se nuk duhet të përpiqet të ndryshojë mendimin tënd në lidhje me një aktivitet kur ti ia ke shpjeguar qartë arsyet dhe pasojat. Pra, kur ti i premton se do të dilni për një shëtitje në park pasi të mbarojë detyrat, bëjeni! Kur i thoni se do largoheni nga dyqani kur fëmija po vrapon i shkujdesur në dyqan, bëjeni!
- Krijoni ambjent stimulues për sjellje pozitive
Ambjenti ndikon në sjellje dhe kjo është e vërtëtuar tashmë, kështu, ju mund të modifikoni ambjentin për të ndihmuar fëmijën tuaj të sillet mirë. Bëni të mundur që hapësira e fëmijës të ketë objekte të sigurta dhe stimuluese për të luajtur me to. Sigurohu që nuk mund të arrijë gjëra që mund të thyhen apo që mund ta lëndojnë atë.
- Zgjidh betejat e tua
Përpara se të përfshihesh në një aktivitet që po bën fëmija yt, specifikisht duke thënë “Jo” apo “Stop”, pyete veten nëse vërtet duhet të ndërhysh. Duke ulur në minimum instruksionet, kërkesat dhe reagimet negative, ju krijoni më pak mundësi për konflikte apo ndjenja negative. Rregullat janë të rëndësishme por përdorini ato vetëm kur është e nevojshme.
- Ji i vendosur
Nëse ti dorëzohesh kur fëmija po bën teka për diçka, ti mund ta përforcosh atë në mënyrë aksidentale të bëje më shumë teka. “Jo” do të thotë “Jo”, e jo “Ndoshta” , kështu që mos e thoni nëse nuk jeni të sigurt.
- Përgatituni për situata sfiduese
Ka momente që të kujdesësh për fëmijën dhe të kryesh gjëra që duhet ti bësh, bëhet sfiduese. Parapërgatite fëmijën për ndryshimin e aktivitetit. Jepi 5 minuta kohë përpara se të ndryshosh aktivitetin që fëmija po bën. Bisedo me të për rëndësinë që ka bashkëpunimi i tij dhe në këtë mënyrë ai do të jetë i përgatitur për atë që ti pret nga ai.
- Mbani sens humori
Ndihmoni në mbajtjen argëtuese të rutinës ditore me fëmijët tuaj. Mund ta bëni këtë duke përdorur këngë dhe humor. Përshembull, luani rolin e një përbindëshi që do që fëmijët të mbledhin të gjitha lodrat.
Së fundmi dhe më e rëndësishmja, mbani një sjellje të qëndrueshme karshi fëmijës tuaj, në mënyrë që fëmija të ndihet i sigurt dhe i qëndrueshëm emocionalisht!