Çfarë të bëjmë kur fëmija përsërit fjalët? Këshilla praktike nga Silvana Gjoni, logopediste.

Ekolalia është përsëritja apo imitimi nga ana e fëmijës e asaj që dëgjon. Është një formë e imitimit verbal. Psh, nësë fëmija pyetet, “A do ujë?”, ai ju përgjigjet, “A do ujë?”, në vend të Po ose Jo. Disa herë ata e përsërisin menjëherë atë që degjojnë, por ka raste kur e përsërisin më vonë, dhe kjo njihet si ekolalia e mëvonshme. Ekolali e mëvonshme mund të jetë përsëritja jashtë kontekstit aktual e reklamave apo një kënge në TV, që  ndryshe quhet dhe “skriptim”, por mund të jetë dhe ekolalia “e ndryshuar”, ku fëmija, përgjate përsëritjes, I ndryshon intonacionin ose ndonjë fjalë tekstit të parathënësit.

Mos u trembni! Ekolalia është një pjesë normale e zhvillimit gjuhësor tek fëmija. Por, duke kaluar mosha, ata fillojnë që mbi ekolalinë të vendosin fjalët e tyre. Fëmijët me autizëm e kanë të vështirë këtë dhe jonatyrale.

Ekolalia duhet të ndalojë normalisht mes moshës 2-3 vjeç, kur ata fillojnë të përdorin fjalë të tyret për t’u shprehur.

 

ÇFARË MUND TË BËNI?

 

1-NGA VJEN? Nëse fëmija ka ekolali sepse nuk ështe stimuluar në mënyrë të mjaftueshme me modele gjuhësore, apo ka vonesë gjuhësore, punoni në këtë aspekt, në shtimin e ekspozimit ndaj një gjuhe të pasur për moshën e fëmijës. Kështu që, ju mund të shfrytëzoni ekolalinë për ti mesuar koncepte të reja, psh: në vend që t’i thoni, “Kush do qumësht”, thojini “Unë dua qumësht”. Në këtë mënyrë, ju mund të mësoni fëmijën të kërkojë diçka që I duhet.

2-NDËRTOJINI FJALORIN. Kjo është e bazuar tek pika e mëparshme. Kur një fëmije i mungojnë fjalët për të shprehur veten, ai do të përdorë ekolalinë.

3-MODELO NË PËRPUTHJE ME MOSHËN.  Shpesh, prindërit kanë tendencën që ti mësojnë fëmijës gjithçka, pa u shqetësuar nëse kjo është në perputhje me moshën e tij ose jo. Mësojini fëmijës fjalë dhe thënie, që do t’i shërbejnë për tu shprehur.

4-VENDOS PARA ZGJEDHJEVE. Kur e ekspozojmë ndaj zgjedhjeve, përdorni vetëm fjalet, pa tonin pyetës. Thjesht paraqitni para tij këto mundësi. Kur fëmija zgjatet për të marrë atë që ka zgjedhur pa fjalë, ju modelojini mënyrën e të shprehurit, derisa fëmija ta thojë. Kini durim përgjatë këtij procesi.

5-MOS BËNI SHUMË PYETJE. Duke bërë shumë pyetje, thjesht e nxisni fëmijën të përdorë ekolalinë si metodë komunikimi.  Psh, thuajini: “ Ema do________”, duke mos i shtuar pas tonin pyetës. Kështu, do të modelosh më shumë kërkesa, komente sesa pyetje.

6-PËRGJIGJU NDAJ ARRITJES. Kur fëmija ka aftësi të mira të të kuptuarit, komento mbi fjalët që ai anashkaloi gjatë kohës që po fliste. Jepu një vëmendje më të madhe.

*Shmang frazat: punë e mirë, të lumtë etj, sepse fëmija do ketë tendencën ta përsërisë pas çdo fjalie. Në vend të kësaj, mund të përplasni duart apo gudulisje.

7-JO PYETJES ME PYETJE. Ka disa raste ku fëmija do të të thojë, “A do ujë”, duke pretenduar se po të tregon që ai do ujë. Dhe ti mund të veprosh kështu, thuaji, “Unë nuk dua ujë, por ti do”. Kjo, do e sjellë ngadalë ngadalë edhe vetëdijen mbi atë që duhet të kërkojë në të ardhmen.

8-KRIJO MUNDËSI BISEDE.  Është shumë e rëndësishme që fëmija të mos jetë vetëm marrës, por edhe dërgues I mesazheve verbale. Kjo zakonisht bëhet nqs ju luani me fëmijën dhe I merrni lodrën që do, dhe ai do jua kërkojë verbalisht. Në fëmijët me autizëm, ky lloi mekanizmi është i mësuar dhe jonatyral, prandaj loja përdoret si komponent bazë.

9-MOS U SHQETËSO. Ekolalia përdoret nga fëmija për të qetësuar veten, si në rastet e fëmijëve me autizëm. Kur fëmija është i shqetësuar, ai mund të ketë si mekanizëm qetësie, pikërisht ekolalinë, përsëritjen e reklamave apo titujve të gazetave që ka dëgjuar. Mos harroni, asnjë sjellje nuk ndodh në vakuum, ka gjithmonë një arsye pse zhvillohet, kështu që mundohuni të gjeni pse ajo ndodh dhe kur nxitet më shumë.

 

Gjithsesi, mbani mend, ekolalia është shumë më mirë se heshtja, sepse tregon në vetvete se fëmija po mëson ose ka mundësi për të mësuar.

 

 

 

SILVANA GJONI

LOGOPEDISTE & TERAPISTE ABA

Add Your Comment