Zhvillimi i një njeriu, në një këndvështrim tjetër psikosocial

Nga: Krisalda Sauli, psikologe

Psikosinteza njerëzore lidhet ngushtë me skemat rrethanore të adaptuara gjatë zhvillimit. Zigota formohet përmes ndërthurjes së materialit gjenetik mashkullor dhe atij femëror, që përfshin çdo mbartje dhe tipar mëmësor e atëror. Në periudhën prenatale, te njeriu në krijim, shumohen qeliza dhe formohen shqisat dhe në jetë disa muaj më vonë vjen një qenie, e gatshme për të përthithur çdo informacion. Duket një qënie unike, e mirë supreme, e përsosur, që i bën prindërit të ndjejnë ekstazën nën shikimin e prekjen e tij. Prindërit dhe familjarë të afërt janë në kërkim të ngjashmërive fizike të vetes me atë krijesë të brishtë që rritet dita ditës. Pjesë e kësaj qenie bëhet “fantazma e shpirtit” të prindërve që shprehet te mendimet dhe determinon vazhdimisht pyetjet, fjalët, zgjedhjet e tij. Vëzhgojnë sjelljet e tij, qeshin me eksperimentet e tij, gëzojnë me arritjet e tij të vogla, mërziten me dëshirat e kuriozitetin e tij të vazhdueshëm dhe praktikojnë veprime për t’i treguar rolin e tij të parapërcaktuar në familje e shoqëri. Përmes besimit dhe mosbesimit, sigurisë e pasigurisë, frikës dhe turpit, mikromjedisit të trazuar, gabimeve të pashmangshme të të rriturve, kjo qenie si një vullkan shumëdimensional lufton me ndryshimet e moshës.

 

Nën gjurmët e të parëve

Hapat e tij të parë e njohin me rëniet e pengesat që do përjetojë. Por, ai është ngarkuar me detyrimin që t’i forcojë këmbët e të mësojë të ecë, të flasë, të kërkojë, të dëgjojë, të rritet. Prindërit besojnë se periudha më e vështirë ka kaluar dhe njeriu i vogël, tashmë i formuar, do bindet e do t’i përmbahet apriori kërkesave. Diku këtu fillon të operojë frytshëm e pandërgjegjshmja e këtij njëriu të vogël, ku në dhomën e errët të subkoshiencës në mënyra të pavullnetshme ka trashëguar përmes gjesteve instiktive frikërat, ankthin, pasiguritë, pasojat e traumave të psikikës së prindërve të tij. Prindërit në vrullin e tyre për të realizuar detyrën, kanë projektuar te ai pjesë të gabimeve të vetes.

Dikur James A. Baldëin pohoi se: “Njerëzit janë të mbërthyer në histori dhe historia është e mbërthyer në ta”. Njeriu skeptik, i drejtuar te abstraksioni identifikohet në aspekte të ndryshme me nënën e babain, zëri i tij tashmë i çjerrë kërkon pavarësinë por ende qëndron i qetë e i bindur. Si një vullkan i kamufluar që qëndron i fjetur, dëgjon zhurma e sheh lëvizje, por ndjen siguri i mbyllur në muret që ka rreth vetes. Herë pas here dëgjohet kolla e tij, se njeriu i vogël jashtëson zemërime, projekton vendime, imiton reagime dhe debaton me identifikuesit e tij. Gradualisht shfaq nevojën për më tepër pavarësi, praktikon forma të larmishme për t’u supozuar i rritur, ndërkohë që i dëgjohet klithma e dëshirës për distancimin e mbrojtjes prindërore.

 

Adoleshenca: kurth trazicioni perceptiv 

Sytë tregojnë dhimbjen, frikën, pasigurinë, gabimet dhe fajin e gjithsecilit, ndaj dhe komunikimi verbal mes prindërit dhe adoleshentit pakësohet gradualisht. Pasqyra i tregon pamjen fizike dhe i mbulon të fshehtën e shpirtit. Paraqitja duket tipike, e pranuar dhe e dallueshme për një adoleshent. Njeriu i brishtë orientohet te shoqëria dhe mendon se skemat e së kaluarës mund të ndryshohen ose zhbëhen. Kërkon të zhdukë pjesë të vetes, të shpëtojë nga elementet konfliktuale tranzitore. Dogmat e mësuara dhe asociuara me realitetin praktik ndjen se e mbysin dhe kërkon një armë për të përballur ndryshimin. Ai zgjedh të veshë mantelin jeshil dhe ashtu si në filmat fantastiko-shkencorë të shpërbëjë çdo shtrëmbërim mjedisor, të vendosë drejtësi dhe të ndërtojë një botë utopike. Ai mantel pretendon se do e bëjë sundimtar, të ndryshëm nga prindërit që i fajëson për fjalët e veprimet, miqësia e bashkëmoshatarët do e mbështesin duke qenë se gjeti çelësin e ndryshimit, e mes së gjithash sulmimi i superegos do i lejojë libidos të shprehet lirshëm. Vullkani është duke treguar se ekziston dhe është i fortë. Zjarri që ka brenda vetes, e di që e bën të frikshëm për kundërshtarët dhe të pëlqyeshëm për aleatët. Njeriu me mantel së bashku me ndjekësit e tij ndjen se po ndryshon, po bëhet i aftë dhe kompetent, përjeton ndjesi që e habisin dhe beson se emocioni i tij është unik e i papërsëritshëm. Ndryshon komunikimin, qëndrimin, bindjen, besimet dhe huazon stil të ri identifikimi. Krijon bindje se mund të jetë plotësisht i pavarur, që të zhvishet nga mësimet e fëmijërisë, të flakë frikërat dhe të ndyshojë botën rrethuese.

 

Në kërkim të vetes brenda rrethit vicioz të origjinës

Njeriu i strukur në padrejtësitë e shoqërisë, i zhgënjyer nga egoizmi altruist i tij, i trembur nga vetmia e zhdukjes përpos një mandeli asocial, fillon të kërkojë sërish njëriun e vogël.

Vullkani që ka shpërthyer dhe ka derdhur llavën e tij, ka dëmtuar muret dhe ka lënduar ata që i qëndronin pranë kur ai ishte ende në gjumë. Ky njeri nuk dinte se të mposhtësh dikë është shumë e lehtë; e vëshirë është të fitosh dikë. Askush nuk mund të arratiset nga vetvetja, pavarësisht mantelit që mund të veshë gjithsecili, askush nuk mund të vendosë mos të shohë vetveten apo të heshtë zhurmat e mendimeve në kokën e tij. Një fëmijë mbetet gjithnjë pasqyra e prindërit dhe zhvillimi i tij varet nga transaksionet që bën prindi në shoqëri.

Ndihet i frustuar nga kamuflimi i tij, kujton në një çast kohën kur ishte fëmijë dhe supozonte se ajo siguri do zgjaste përgjithmonë. Papritmas minimizon forcën, ngrin dhe ndihet i pafuqishëm. I vjen turp që të lëndojë ata që kishte pranë me nevojën për të sunduar. Kërkon falje dhe kërkon sërisht nga prindërit të jetë njëriu i vogël me zërin e ulët.

Në një shoqëri ku kaosin e bën më kaotik, harrojmë të flasim e të dëgjojmë, harrojmë të falim e të kërkojmë mirëkuptim dhe harrojmë te jemi të lumtur. Marcel Pagnon shkruan: “Arsyeja përse njerëzve u duket kaq e vështirë të jenë të lumtur, është sepse e shohin të shkuarën më të mirë nga ç’ishte, të tashmen më të keqe se ç’është dhe të ardhmen më pak të zgjidhshme nga ç’mund të jetë”.

Njeriu kupton se prindi i tij nuk është nënshtrues, por mbrojtës. Manteli që mbajti nuk e ndryshoi botën por e prezantoi me veten. Njeriu mëson të pajtohet me tiparet që ka socializuar dhe dogmat e kundështuara dikur, i ngjajnë të arsyeshme e të nevojshme tashmë. Por, e ndërgjegjshmja ndonjëherë është e pafuqishme përpara se pandërgjegjshmes. Prindi i kujton periudhën e sundimit dhe njeriu dikur i vogël i kujton periudhën e pafuqisë.

Ashtu si vullkani që pas betejës tërhiqet dhe qetësohet i sigurt në muret e tij rrethues, por herë pas here kollitet duke i rikujtuar botës se një ditë do shpërthejë sërish. Veten nuk e mposht dot dhe fëmijëria mbetet çelësi për jetën e shëndetshme.

 

Add Your Comment