Jonathan Galindo është rreziku i ri i rrjeteve sociale, portreti i të cilit është i frikshëm dhe ngjall frikë. Një personazh anonim që gjurmon nëpër rrjet më të rinjtë e më të vegjëlit, si më të brishtë për të rënë pre e tij.
Është një fenomen virtual i cili ka vënë në alarm prindër të fëmijëve dhe adoleshentëve, pasi ngjan gjithashtu me të famshmen “Balena Blu” që shpërtheu rreth vitit 2016.
Edhe në këtë rast, logjika dhe mekanizmi manipulativ i funksionimit të Jonathan Galindo është i njëjtë; fëmijët pjesëmarrës në lojë duhet të kryejnë një sërë provash dhe sfidash (challenge) deri tek format e vetëdëmtimit, ku iu kërkohet të presin apo të cajnë veten.
Në një distance kohore jo shumë të largët, makthi kthehet sërish. Jonathan Galindo nuk është një individ, por janë disa të cilët i gjejnë fëmijët apo adoleshentët nëpër disa rrjete sociale; tiktok, facebook, instagram.
Viktimat e Jonathan Galindo janë të moshës shkollore, e deri 12-13 vjec apo adoleshentë, të cilëve iu dërgohet një kërkesë e thjeshtë miqësie. Në castin kur fëmijët e pranojnë kërkesën, iu dërgohet një link ku ftohen të luajnë. Kështu nis rreziku, ku paraqiten një sërë sfidash dhe provash gjithnjë e më të rrezikshme, të frikshme dhe absurde që vënë në rrezik shëndetin fizik dhe psikologjik të fëmijëve dhe të adoleshentëve, që sugjestionohen dhe bëhen lehtësisht viktima. Loja kërkon prej tyre prova “guximi dhe kurajoje”, që cojnë në faza depresive e deri në vetëvrasje nëse fëmijët pjesëmarrës në lojë i nënshtrohen.
Si të mbrojmë të vegjëlit?
Sigurisht kjo është pyetja kryesore për prindër dhe profesionistë, sepse është e të rriturve përgjegjësia kryesore për t’i mbrojtur fëmijët.
Në radhë të parë, ka të bëjë me kohën shpeshherë të pakontrolluar që prindërit i lënë fëmijët e tyre të angazhuar përpara ekraneve, ndërkohë që janë të zënë me punë të tjera. Kështuqë, në këto raste, duket se prindi nuk është në dijeni të asaj që po bën apo po sheh fëmija.
Dhe pikërisht për këtë arsye shumë të thjeshtë, që herë pas here, sidomos dhe tek të vegjëlit, prindi të kontrollojë me një frekuencë 10-15 minuta përmbajtjen e asaj që fëmija po shikon në telefon apo tablet (mund të kujtojmë këtu sesa e thjeshtë është të kalohet me një klikim nga videot për fëmijë në youtube tek një site pornografik).
Personat që kanë predispozitën më të madhe të bëhen pre e lojës, janë adoleshentë apo fëmijë të vetmuar, të cilët nuk socializohen shumë dhe që kalojnë shumë kohë nëpër internet apo rrjete sociale. Adoleshentët në përgjithësi, për shkak të etapës së zhvillimit në të cilën ndodhen shpesh përjetojnë konflikte me njerëzit e afërt, me familjarët dhe mbyllen edhe më shumë në vetvete. Gjithashtu, si rrjedhojë edhe e ndryshimeve hormonale, ata shpesh kanë luhatje humori sepse janë akoma në kërkim të një identiteti të mirëfilltë psikosocial. Prandaj, adoleshentët përjetojnë shpesh ndjenja izolimi, depresioni, ulje të vetëvlerësimit. Këto janë disa nga veçoritë kryesore të personave që janë më të brishtë dhe më të rrezikuar për t’u bërë pjesë e lojës. Gjithashtu, kjo lojë nëpërmjet stadeve të saj, bëhet përherë dhe më këmbëngulëse duke kontrolluar aspekte të jetës së fëmijës apo adoleshentit.
Cfarë mund të bëhet kur zbulohet që fëmija ka rënë pre e Jonathan Galindo?
Në radhë të parë, i duhet shpjeguar me fjalë të qarta, të thjeshta, të vërteta për atë që është duke ndodhur dhe rrezikun që paraqet një lojë e tillë. I duhet shpjeguar që video dhe sfida të tilla e dëmtojnë, fizikisht dhe psikologjikisht dhe duhet t’i ndërpresë.
Është shumë e rëndësishme që fëmija të mos fajësohet, të mos akuzohet dhe kritikohet sepse duhet të kujtojmë që në këto raste fëmija është viktimë, jo fajtor dhe përgjegjës.
Nga ana tjetër, fëmijët do të këshillohen në mënyrë aktive që të mos pranojnë asnjë kërkesë nëpër rrjete sociale nga të panjohur.