Si të punojmë me fëmijët me paaftësi intelektuale? 10 orientime praktike

Nga Mariglena Muçi, pedagogji e specializuar

Paaftësia intelektuale është një paaftësi, që karakterizohet nga kufizime në dy fushat kryesore: në sjelljet përshtatëse dhe funksionim intelektual në mjediset formale dhe informale. Tek fëmijët me paaftësi intelektuale, deficitet vërehen në fushat e zhvillimit konjitiv, gjuhësor, emocional e social, si dhe në zbatimin praktik të tyre. Prandaj janë të rëndësishme disa orientime në punën me këta fëmijë. Ndër këto përmendim:
1. Njihuni me nxënësin tuaj
Gjëja më e rëndësishme është të njihni nxënësin tuaj si një individ. Cila është pika e tij e fortë, vështirësitë, interesat dhe mospëlqimet? Si është personaliteti i tij? Është e rëndësishme ta njihni nxënësin tuaj në një nivel personal, në vend që të bëni supozime bazuar në diagnozën e tij. Duke njohur interesat dhe nevojat e tij, mund të organizoni punën, për të synuar progresin.
2. Prindërit janë burimi kryesor
Askush nuk e njeh më mirë fëmijën sesa prindi i tij! Prandaj, pyesni nënën ose babanë e tij dhe ata të jenë në gjendje t’ju tregojnë se çfarë ka funksionuar dhe çfarë jo. Kjo është gjithashtu një mënyrë e rëndësishme për të siguruar qëndrueshmëri në të gjithë kontekstet. Prandaj sigurohuni të tregoni, që po komunikoni hapur dhe jeni të gatshëm për të ndihmuar.
3. Krijoni një mjedis mësimor inkurajues dhe mbështetës
Mjedisi pozitiv luan rolin kryesor në zhvillimin e fëmijës. Ata ndjehen më të inkurajuar dhe më të kënaqur kur mësojnë në një mjedis pozitiv dhe me një klimë pozitive brenda klasës. Nuk dekurajohen kur gabojmë dhe janë të gatshëm të provojnë përsëri. Prandaj, është shumë e nevojshme që mësuesit, të krijojnë një mjedis pozitiv brenda klasës dhe bashkëpunim e mbështetje të fortë nga shokët e shoqet e klasës.
4. Bëhuni krijues
Mos kini frikë të modifikoni detyrat dhe rutinat, provoni mënyra të reja dhe jepni gjëra të lehta. Mos prisni që gjithçka, që provoni do të jetë një sukses i madh. Mund të ketë situata kur mund të përsërisni katër ose pesë herë të njëjtat gjëra, derisa të kuptoni se çfarë funksionon dhe është në rregull! E rëndësishme, në këto raste është të siguroni vëmendjen e tij, prandaj shmagni zhurmat dhe çdo gjë tjetër, që e shpërqëndron.
5. Asnjëherë mos e nënvlerësoni fuqinë e figurave vizuale
Ka shumë hulumtime, që sugjerojnë se nxënësit me paaftësi intelektuale janë nxënës vizualë. Kjo do të thotë se është shumë e rëndësishme të përfshihen pamje dhe imazhe të ndryshme. Psh. Nxënësi ka vështirësi të kujtojë se ku i lenë disa gjëra. Etiketa vizuale në sirtarët dhe dollapët tuaj janë një mënyrë! Nxënësi ka vështirësi për të kryer një detyrë. Tabela që tregon rradhën “Së pari-Pastaj” është një mënyrë tjetër ! Nxënësi nuk është i sigurt për kryerjen e një sjelljeje të caktuar. Përdor një Poster udhëzues! Mbështetjet vizuale janë disa nga mënyrat më të mira dhe mundësia më e mirë për të treguar krijimtarinë tuaj.
6. Përgatisni mjete me punim dore
Nxënësit me paaftësi intelektuale shpesh mund të kenë vështirësi me konceptet abstrakte psh konceptet matematikore si: koha dhe paraja. Përmes përdorimit të materialeve konkrete praktike, ju mund të shpjegoni konceptin dhe ta ndihmoni atë në përfundimin e një detyre. Prandaj krijoni dhe formoni mjete metodike të ndryshme praktike (me letër, karton ose materiale të tjera rrethanore), për tua bërë sa më të thjeshtë mësimin. Më pas demostroni hapat për kryerjen e një detyre dhe bëni që nxënësi t’i kryejë hapat një e nga një.
7. Flisni me nxënësin tuaj
Të folurit me nxënësin tuaj është një mënyrë e mirë për të zhvilluar komunikimin. Por e rëndësishme është që ju të flisni me fjali të shkurtra dhe të qarta, në mëmyrë që të jenë të kuptueshme edhe për të. Kështu, është e nevojshme të shmagni sa më shumë fjalitë e gjata, komplekse dhe zhargonin e përditshëm. Gjithashtu, mund të përdorni edhe gjestet ose gjuhën e trupit.
8. Bëhuni një model për nxënësit e tjerë
Ne shpesh dëgjojmë se si prindërit, ashtu edhe mësuesit ndajnë shqetësimet e tyre sesa këta nxënës pranohen nga bashkëmoshatarët e klasës së tyre. Mënyra më e mirë që ne mund t’i mësojmë nxënësit në lidhje me pranimin është t’u tregojmë atyre konkretisht. Pra, nëse doni që nxënësit e tjerë në klasën tuaj të trajtojnë dikë si të gjithë, kjo është pikërisht ajo që duhet të bëni edhe ju! T’i trajtoni ata si të tjerët!
9. Kërkoni mbështetje
Mund të keni pritje të mëdha nga vetja, por mos harroni se nuk jeni vetëm. Askush nuk pret që t’i keni të gjitha përgjigjet. Bëhuni aktivë dhe kërkoni ndihmë nëse keni nevojë nga prindërit, mësuesit e tjerë, kolegët, drejtori dhe specialistë apo terapistë të ndryshëm.
10. Mos harroni pse jeni mësues
Qëllimi jonë është të edukojmë dhe synojmë suksesin për nxënësit tanë. Prandaj duhet të keni sa më shumë durim në punën tuaj. Prisni ditën, që nxënësi juaj të arrijë të zotërojë diçka për të cilën keni punuar për javë të tëra, muaj ose një kohë më të gjatë. Pra, durimi dhe praktika janë çelësi i suksesit në punën tuaj!

Add Your Comment