Leximi i librave konsiderohet si një nga zakonet më të mira që një prind mund t’i krijojë fëmijës së tij, duke filluar që në muajt e parë të jetës. Përpos ushqyerjes me gji e cila krijon një marrëdhenie atashuese midis nënës e fëmijës dhe leximi i librave bashkë me foshnjën tuaj, është po ashtu një element shumë i rëndësishëm për krijimin e një marrëdhënieje të ngushtë prind –fëmijë.
Kur ju mbani të përqafuar bebin tuaj dhe i lexoni një libër të thjeshtë me zë të lartë, realizoni një ndërthurje të gjërave që bebi pëlqen më shumë: zërin tuaj , afërsinë fizike me ju dhe librat me figurat tërheqëse. Bebet ndoshta mund të mos ta dinë se çfarë nënkupton një fotografi në libër por leximi i tyre i ndihmon të përqëndrohen tek ngjyrat dhe figurat e ndryshme dhe ndërton në trurin e tyre një rrjet fjalësh. Fëmijët, prindërit e të cilëve lexojnë libra me ta, dinë më shumë fjalë deri në moshën dy vjeçare se sa fëmijët të cilëve nuk u janë lexuar.
Për bebet deri ne 6 muaj zgjidhni libra me figura të mëdha me ngjyra, me shume pak tekst të shkruar ose pa tekst por që kanë elementë tërheqës, si për shembull libra me figura 3D ku foshnja mund të prekë veshët e lepurushit, të shtypë një buton e të dëgjojë një tingull. Lexoni me intonacione të ndryshme zëri, bëni mimika qesharake për ta bërë leximin sa më tërheqës e argëtues.
Për bebet 7 muaj-12 muaj zgjidhni libra me figura të thjeshta të përditshmërisë si luga, gota, bebi, topi , hunda , syri dhe interpretojani ato duke shoqëruar me gjeste lidhur me funksionin që kanë . Kur lexoni fjalën luga , drejtoni gishtin drejt gojës suaj për ti demostruar se luga shërben për të ngrënë ushqimin. Vendosjani librin ne duar dhe lërini që t’i shfletojnë vetë ato ,dëgjoni tingujt që vokalizojnë dhe konfirmojani duke i thënë fjalën e plotë të objektit që janë duke vështruar.
Pas ditëlindjes së parë mund të zgjidhni për fëmijët tuaj libra me një ose dy fjali për faqe të ilustruara me figura me veprime, ‘’një mace duke pirë qumësht ‘’ ‘’një qenush duke u larë ‘ ‘’një bebe duke qarë ‘’ imitoni së bashku tingujt e kafshëve , të qarën e bebit shoqëruar me gjeste.
Nëse ju i lexoni përgjatë gjithë kësaj kohe fëmijëve do të vëreni se në moshën dy vjeçare, leximi për ta do të jetë një nga aktivitetet e preferuara relaksuese e argëtuese që e mbajnë larg interesit ndaj mjeteve teknologjike si televizori, tabletat apo telefoni.
Librat e butë me materialin e tyre ofrojnë zgjidhjen më të mirë për foshnjat tuaja pasi përveçse janë shumë tërheqës, janë të lehtë dhe mund të eksplorohen lehtësisht me anë të prekjes ose eksplorimit oral. Ata gjithashtu janë higjenikë pasi mund të lahen me proçes të njëjtë si lahen rrobat.
Nëse doni të rrisni fëmijë të lumtur, inteligjentë, me imagjinatë të pasur, mos u lodhni kurrë së lexuari dhe kujtoni se leximi i librave :
- E stimulon fëmijën tuaj te vokalizojë tinguj dhe të imitojë tinguj pas jush
- U jep informacione për botën rreth tyre
- Ndërton aftësi dëgjimi, kujtese dhe fjalori
- Mbështet zhvillimin shoqëror dhe emocional pasi fëmija gjatë kohës që ju dëgjon përdor emocione të ndryshme dhe nxitet të ndërveprojë me ju .
- Nxit e pasuron imagjinatën e tyre dhe kreativitetin dhe krijon në ta kujtime të paharrueshme të fëmijërisë.
- Ju kultivon dashurinë për librat dhe pasionin për leximin që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës.
Kontakt: 0699476304