Ndikimi i muzikoterapisë në jetën e fëmijëve me nevoja ndryshe; përfitimet dhe avantazhet

Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar

 

Muzika është disiplina artistike, që qëndron mes të gjithë formave të tjera si : shkencat shoqërore, historike, psikologjia etj, si një përbërës i rëndësishëm i progresit intelektual dhe humanitetit. Si një gjuhë universale, e aftë të interpretohet, i ndihmon fëmijët të kuptojnë dhe lidhin fenomene, dukuri, ngjarje e zhvillojnë procese të ndryshme.

Vitet e fundit ka pasur një rritje të hulumtimeve në fushën e terapisë muzikore. Studiuesit eksplorojnë përfitimet, ndikimet dhe zhvillimin, që mund të arrijnë nga terapia muzikore fëmijët me nevoja të veçanta. Megjithatë shumë prindër, edukatorë apo mësues nuk janë në dijeni të ndikimit, që mund të sjellë terapia muzikore ashtu edhe edukimi muzikor  në jetën e tyre. Kështu, duke u dhënë këtyre fëmijëve një mjet të fuqishëm, që mund të ndërtojë aftësitë e tyre komunikuese, motorrike dhe shoqërore, i ndihmon ata të siguroinë një mënyrë efektive për të kuptuar veten, njerëzit e tjerë dhe botën përreth tyre. Pavarësisht nga nevoja e veçantë, muzika ka aftësinë të transformojë jetën plotësisht për më mirë, duke kapërcyer hendekun midis “pavetëdijes dhe vetëdijes”, midis” izolimit dhe ndërveprimit”. Meqënëse dëgjimi dhe interpretimi i muzikës stimulon pothuajse çdo zonë të trurit dhe pothuajse të gjitha sistemet ndijore, përfitimet e saj janë të shumta:

Ajo ndikon në:

  1. Zhvillimin e aftësive verbale dhe komunikimit

Përdorimi i terapisë muzikore tek fëmijët me nevoja të veçanta është një mënyrë e mirë për të zhvilluar të folurën dhe komunikimin. Muzika vetë është joverbale, por shërben si një indicie për të nxitur të folurën, sepse nëpërmjet saj mund të prodhohen tinguj dhe fjalë. Fëmijët në bashkëpunim me terapistin sipas vijës muzikore mund të krijojnë një këngë, e cila i ndihmon ata të shprehen lirshëm, të përsërisin ose imitojnë atë që thotë terapisti. Gjithashtu, përsëritja i ndihmon dhe në forcimin e kujtesës. Po kështu, nëpërmjet këngës dhe vijës melodike ai mundohet të sigurojë edhe përqëndrimin e fëmijës. Kështu, të gjitha të vendosura sinkron e ndihmojnë, atë, të zhvillojë komunikimin.

  1. Zhvillimin e aftësive motorike

Instrumentat dhe veçanërisht ato të Orfit, i ndihmojnë shumë fëmijët në zhvillimin e aftësive motorrike. Përdorimi i instrumentave me goditje si daullja, tamburi, etj, i ndihmon fëmijët në zhvillimin e motorrikës fine. Po kështu, përdorimi i një instrumenti si marakasi bën që fëmija të japë një përgjigje të menjëhershme ndaj një veprimi dhe tingulli të prodhohet menjëherë. Harpa, si një instrument muzikor me pickim, prekja  me dorë ose pickimi i telave krijon tinguj harmonikë dhe një melodi shumë qetësuese e të këndshme. Ajo sjell, kështu, relaksimin e fëmijës. Gjithashtu, duke i përdorur ato, fëmija vë në lëvizje gjithë trupin, duart, këmbët duke çliruar muskujt e kontraktuar dhe duke zhvilluar edhe më shumë motorikën fine dhe grose.

  1. Zhvillon aftësitë njohëse

Studiuesit kanë zbuluar se gjatë dëgjimit të muzikës, aktivizohen “ rrjeta të gjera në tru, duke përfshirë zonat përgjegjëse për veprimet motorrike, emocionet dhe krijimtarinë”. Psh.  kur krijoni  muzikë, edhe nëse thjesht goditni një daulle në një ritëm specifik, të dy anët e trurit tuaj stimulohen:

  • Sistemi i shqisave, prekjes aktivizohet duke prekur instrumentin dhe duke ndier dridhjet e impulsi të tingullit, që krijohen
  • Sistemet dëgjimore dhe vizive të fëmijës aktivozohen duke dëgjuar tingullin dhe duke parë lëvizjen e krahut, ndërsa lidhet me instrumentin
  • Kortekset e përfshira kur luani muzikë janë ato që janë përgjegjëse për: shqisat, dëgjimin, vizualen, motorriken, si dhe prefrontale, cerbellumi e amigdala

 

  1. Zhvillon ndërveprimin social dhe aftësitë emocionale

Përdorimi i muzikës për fëmijët me nevoja ndryshe ofron një mënyrë pozitive për të motivuar sjelljen. Duke komunikuar një pyetje në mënyrë joverbale fëmija motivohet të përgjigjet, psh. demostrimi i një daulleje, e nxit fëmijën për të bërë kërkesën “Unë dua një daulle”, pra nxit sjelljen. Po kështu muzika nxit ndërveprimin social, edhe kur kryhet individualisht me terapistin, ashtu edhe në grup. Fëmijët mësojnë si të vendosen në radhë, si të dëgjojnë, t’i përgjigjen një personi tjetër, të marrin pjesë në një aktivitet etj. Gjithashtu, të ndihmojnë njëri-tjetrin, të forcojnë komunikimin, të shprehin emocione etj.

Pra muzika ka aftësinë të ndryshojë jetën, sepse ka fuqinë të heqë pengesat fizike dhe verbale, e të prezantojë përmirësime të sjelljes. Këto arritje forcojnë vetë-ndërgjegjësimin dhe besimin e fëmijëve me nevoja ndryshe për të komunikuar me të tjerët dhe me botën përreth tyre. Prandaj është e nevojshme, që mësuesit të përfshijnë në Planin Edukativ Individual muzikën, e cila prezanton koncepte dhe metoda që nxisin vetë-ndërgjegjësimin dhe vetë-shprehjen e fëmijëve me nevoja ndryshe.

 

Add Your Comment