Shantazhi emocional tek fëmijët, një shkallë para dhunës! Nga Krisalda Sauli, psikologe

“Të grivaaaa!”
Qënia njerëzore ka nevojë për pushtet dhe këtë e shfaq qartë që në barkun e nënës e për gjatë përditshmërisë gjithë jetën. Ndërkohë, format përmes së cilave e dëshiron të arrijë dominimin alternohen në varësi të rrethanave.

Shantazhi emocional ose kërcënimet emocionale janë tipike dhe në plan të parë beninje. Më konketisht, i referohen fjalëve të cilat konsistojnë në stopimin kryesisht të një sjellje kur në thelb mungon forca argumentuese dhe bindëse. Praktikisht janë shprehje të thjeshta, të dëgjuara shpesh dhe të lehta për tu thënë duke qënë se kanë një vlerësim përgënjeshtrues si të padëmshme, kulturore, pjesë të zhargonit krahinor ose edukative. Përdoren në çdo moshë dhe janë të pranishme në çdo raport.
“Po të erdha aty, ta tregoj unë ty që më qesh”,
“Më vdiqe sot!”,
“po vdiqa unë të shoh çdo besh pastaj!”,
“Po e bërë, po u sole përsëri kështu do tja them babit e ta shohësh pastaj”.
“Po nuk ma bleve, unë do qaj…(dhe qan vërtet, meket)”.

Zakonisht janë fjalë teke ose fjali në përdorim, pra nuk shoqërohen me ushtrimin e dhunës fizike, por janë gjithmonë pjesë e dhunës verbale kur ajo shfaqet dhe gjen teren për të operuar. Qasja e shantazhit emocional mbetet në përjetimin e pushtetit si “armë” edukative-nënshtruese ose si mjet disiplinimi të butë, duke qënë mbetje nga metoda tradicionale e edukimit dhe nga parimi se duke e përballur me frikën viktima bëhet me e fuqishme.

Lufta intrapsikike është e tillë që të evidentojmë më me lehtësi aspekte që i emërtojmë negative te vetja dhe të njihemi me lehtësi me elemente që quajmë negative dhe te të tjerët. Nësë një i rritur, konsumon sasi të madhe ushqimi dhe kjo e shqetëson se shpesh është preokupuar për peshën e vetë, që herët në jetë, krahas kësaj mjedisi rrethues –shoqëria, prindërit, partneri- i kanë vënë në dukje këtë sjellje, pavarësisht është ose jo mbipeshë ka probabilitet më të lartë për të ushtruar shantazh emocional ndaj fëmijës së vet, zakonisht të gjinisë së njejtë, duke përdoru shprehje si: “e shëndoshë”, “lopë”, “ha si derr”, etj. Pra, rezultati është të përcillen jo vetëm shpehje brez-pas-brezi, por dhe të mësojmë sulmin, ofendimin, lëndimin si zgjidhje e mundshme të konfliktit intrapersonal.

Sistemi tradicional me baza autoritare të sjelljes dhe me perceptimin e forcës fizike e përkatësisë gjinore si parakusht vlere, nxit trashëgimin e komunikimit privues dhe izolues, ul vetëvlerësimin dhe rrit mundësitë për shfaqjen e problemeve të shëndetit mendor. “I them ashtu që të forcohet, jo të preket me çdo gjë, të mësojë si është jeta!”- sigurisht që të paktën një herë në jetë e keni dëgjuar këtë shprehje nga një prind për fëmijën e tij kur e keni pyetur se pse përdor atë fjalor dhe atë mënyrë komunikimi me fëmijën. “Që të di me kë ka të bëj e kush është kush këtu brenda, të di kush është burri e kush bën ligjin”!- është një shprehje e përdorur nga meshkuj kryesisht përkundrejtë femrave kur pyet pse e ofendon ose pse i flet në atë mënyrë partneres. Sigurisht nuk mjafton shprehja teke ose një fjalë e vetme për të diskutuar për dhunë dhe për të shtuar probabilitetin e pranisë së çrregullimeve mendore, por duhet një profil i plotë sjellor që të determinojë pasoja të rënda në vetëvlerësim dhe në shendetin mendor e emocional në gjerësi.

Shantazhi nuk është i frikshëm në dukje, se vjen me qasje të butë, është kërkues dhe i egër por i zbukuruar me frazën “është shprehje”. Duket si pa të keq, rri i heshtur, por lëndon terthorazi. Së pari, lendimi është nga vetë fjala që thuhet. Së dyti duke qënë se fjalori i përket fushës së nënstrimit, dëmtimit, vdekjes, heqjes së të drejtës, dhunimit, përcjellë frikë dhe pasiguri aq sa dhe sigurinë lënduese se nëse zbatohet kërkesa shpëton veten dhe tjetrin. Mund të pëmenden fjali si: “se mos na ul kokën, se do ta këpus si të pulës”, “po se kalove klasën, atëherë kemi për të folur bashkë”. Së treti, lëndimi vjen kur fillon gradualisht rritja dhe ato shprehje i përdor vetë kundrejtë personave të tjerë dhe zbulon se dinë dhe ata të komunikojnë me ato shpehje, madje për disa prej tyre nuk ndal aty presioni por shoqerohet me gjeste e situata të papëlqyeshme, dhe mëson me mënyrën më të hidhur që ka dhe më të fortë se vetja.

Duhet theksuar fort, se askush nuk është i mbrojtur nga predispozita gjenetike, nga trauma shoqëruese të jetës, nga frikëra të thella dhe nga situata dramatike të cilat do të përforcohen brenda një komunikimi të hidhur. Praktikisht pushteti që merr nga shantazhi emocional dhe fjalët që e karakterizojnë është lehtësisht i thyeshem dhe kjo godet përsëri egon dhe vetëvlerësimin. Në kushte të favorshme, ky lloji kërcënimi do ngjasonte me pikën e ujit që derdh godën dhe me atë fllad të lehtlë ere që e përhap pluhurin kudo.
Pluhuri në shtëpinë tuaj mblidhet pasi keni hapur dritare dhe dyer, ndaj nuk mund të ndëshkoni dorën tuaj që pluhuri nuk largohet vetë nga mobiljet. Mësoni fëmijët tuaj të bashkëpunojë dhe bashkëpunoni me ta për ta mësuar, se me shumë të bashkëpunojnë aq më pak do konkurrojnë mes tyre dhe që të lumtur do jetojnë jetën e tyre.

Add Your Comment