Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar
Motivimi tek fëmijët është një proces shumë i rëndësishëm. Ai është një proces i stimulimit të fëmijëve në veprim për të arritur qëllimin. Ashtu si për të gjithë fëmijët, edhe për ata me Sindromën Down, qëllimi kryesor nuk duhet të jetë i ndryshëm nga të tjerët. Ata duhet të zhvillojnë aftësi të reja, të mësojnë sjelljen e duhur dhe të përpiqen të arijnë nivele të larta të pavarësisë. E gjitha kjo duhet të nisë herët, që në familje. Më poshtë po rendisim disa orientime praktike për prindërit, që kanë fëmijë me Sindromën Down:
1. Asnjëherë mos ndaloni së mësuari mbi Sindromën Down
Një nga gjërat më të mira që mund të bëni, është të hulumtoni mbi Sindromën Down sa më shumë, që të mundeni. Të gjitha informacionet do t’iu ndihmojnë të kujdeseni për fëmijën tuaj dhe të siguroni një cilësi më të mirë të jetës për ta dhe ju, në përgjithësi. Sa më shumë dini, aq më shumë mund të ndihmoni fëmijën tuaj!
2. Krijoni një rutinë të përditshme
Është e rëndësishme, që të krijoni një rutinë ditore për fëmijën tuaj. Pasja e një rutine të përditshme, i ndihmon ata për të krijuar një cilësi më të mirë të jetës. Rutina duhet të përmbajë gjithçka, që në mëngjes (zgjimi, larja e dhëmbëve, ngrënia e mëngjesit e me rradhë). Për të gjitha këto është e këshillueshme të përdorni pamje viuale, sepse e ndihmojnë fëmijën të orientohet dhe memorizojë më mirë. Gjithashtu, është e rëndësishme, t’i caktoni detyra fëmijës suaj (shtrimi i tavolinës, palosja e rrobave) dhe ta shpërbleni pozitivisht sa herë fëmija e kryhen në rregull, kjo e motivon atë më shumë. Por mos harroni, që detyrat të jenë të thjeshta, praktike dhe brenda aftësive të fëmijës.
3. Ndajini detyrat në hapa
Për çdo detyrë, që i jepni fëmijës suaj është e rëndësishme t’ia ndani atë në hapa më të vogla dhe t’ia shpjegoni secilin hap derisa puna të përfundojë. Kur shikoni që ka vështirësi, ofroni ndihmën tuaj. Nëse fëmija bën një gabim, asnjëherë mos thoni “kjo është gabim”, por kërkoni nga ai/ajo ta provojë përsëri. Ose ndryshe tregojini fëmijës suaj modelin e saktë dhe bëjeni që të provojë përsëri. Reagimet e menjëhershme korrigjuese janë më efektive sesa të vonuara.
4. Inkurajoni fëmijën të bëjë zgjedhjet e tij
Është e rëndësishme ta lini fëmijën të lirë të bëjë zgjedhjet e tij. Lejojeni atë të zgjedhë vetë se çfarë dëshiron të veshë e deri tek çfarë dëshiron të hajë. E gjithë kjo liri e ndihmon atë të zhvillojë pavarësinë e tij dhe të marrë më shumë përgjegjësi.
5. Lëreni të rrezikojë herë pas here
Mund të jetë e vështirë për prindërit që kujdesen për fëmijën, t’i lenë ata të rrezikojnë, por është e rëndësishme t’i lini ata ta bëjnë këtë, për të parë se çfarë mund të arrijnë. Psh nëse fëmija juaj ka problem me një shok në shkollë, mundohuni t’i lini t’i rregullojnë vetë marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Mund t’iu duket e vështirë, por kjo e motivon më shumë fëmijën tuaj dhe forcon pavarësinë e tij për jetën.
6. Luani me fëmijën tuaj
Trajtojeni fëmijën tuaj ashtu siç do trajtonit këdo tjetër. Merreni atë me vete, në vende të ndryshme, luani dhe argëtohuni sëbashku. Lexoni sa më shumë libra, sepse e ndihmojnë fëmijën tuaj të zhvillojë komunikimin dhe të folurën. Gjithashtu prezantojeni atë me miqtë dhe të afërmit tuaj, duke siguruar sa më shumë afrimitet dhe bashkëpunim mes tyre. Të gjitha këto e ndihmojnë fëmijën të ndihet i përfshirë dhe i pranuar.
7. Bashkëpunoni me profesionistë
Sado të përpiqeni vetë, ju nuk keni specializimin e duhur për të punuar me ata. Prandaj, është shumë e rëndësishme të bashkëpunoni fort me terapistin (nëse fëmija ndjek terapi individuale) dhe me mësuesin e edukimit special. Ndani me ata njohuritë tuaja mbi gjendjen dhe nevojat e fëmijës dhe mundohuni të mësoni sa më shumë prej tyre sesi të punoni me fëmijën tuaj. Merrni pjesë në hartimin e planit PEI në shkollë dhe interesohuni vazhdimisht mbi arritjet e fëmijës. Mësoni se çfarë fëmija mëson në shkollë ose në terapi dhe kërkoni mënyra për ta përfshirë atë edhe në shtëpi.
8. Jini fleksibël për arritjet e fëmijës
Mundohuni ta ndihmoni sa më shumë fëmijën tuaj, në ato gjëra që ai ka sa më shumë vështirësi. Nëse ai ka vështirësi në të shkruar, përpiquni ta mësoni nëpërmjet materialeve ose aktiviteteve multisensoriale, si të mbajë lapsin fillimisht e më pas si të shkruajë. Paraqitini disa stimuj në të njëjtën kohë dhe kërkojini fëmijës suaj t’i përsërisë ose riformulojë udhëzimet për tu siguruar nëse ka kuptuar ose jo. Mësojini shkrimin korrekt të shkronjave, renditjen e fjalëve duke e shoqëruar me ilustrime vizuale.
9. Krijoni shoqëri në komunitetin tuaj
Njohja dhe krijimi i sa shumë shoqërive me njerëz të komunitetit tuaj e ndihmon fëmijën të zhvillojë aftësi sociale, por edhe të argëtohet. Lëreni atë të lirë të luajë me bashkëmoshatatrët dhe përpiquni tu shpjegoni atyre se edhe ai/ajo është si ata. Flisni me prindër që kanë situata të ngjashme me ju, duke shkëmbyer eksperienca, mbështetje emocionale dhe këshilla praktike.
10. Jini të durueshëm dhe shpresëdhënës
Fëmija juaj ka gjithë jetën përpara për të mësuar dhe për tu rritur. Kështu, mos i humbisni kurrë shpresat dhe përpiquni vazhdimisht për më të mirën.
Mbi të gjitha jepini sa më shumë dashuri dhe mbështetje fëmijës suaj. Ashtu si çdo fëmijë tjetër, kjo është ajo, për të cilën ata kanë më shumë nevojë!