Leximi me zë rrit performancën e fëmijëve në shkollë dhe i bën më të aftë të përballen me jetën

Leximi me zë të lartë i ndihmon fëmijët të jenë më të mirë në shkollë dhe i përgatit ata që të përballen më mirë me sfidat e jetës. Ky është rezultati i një kërkimi shkencor të kryer në kuadër të projektit italian të Giunti Scuola “Më lexo përsëri. Leximi me zë të lartë dhe aftësitë jetësore”, krijuar në bashkëpunim me Universitetin e Perugias.

Eksperimenti me 1,500 fëmijë

Studimi u krye në një mostër prej 1,500 fëmijësh të grupmoshës midis 6 dhe 11 vjeç në shkollat ​​fillore – si qendrore ashtu edhe periferike – në Torino, Modena dhe Lecce. Për 100 ditë, fëmijët dëgjusn mësuesit e tyre teksa lexonin me zë një orë në ditë libra të ndryshëm.

Atyre nuk iu dha asnjë detyrë shtëpie, notë ose pyetje: leximi me zë të lartë duhet të perceptohej vetëm si një kënaqësi.

Aftësi më të mira themelore njohëse

Nga eksperimenti i leximit me zë të lartë doli se fëmijët e ekspozuar demonstrojnë një zotërim më të mirë të gjuhës, por gjithashtu një aftësi më të madhe për të kuptuar tekstin deri në 10% më shumë se pikënisja dhe një rritje të konsiderueshme në zhvillimin e aftësive themelore njohëse mesatarisht prej 18-20%: dmth, fëmijët që dëgjojnë të lexohet me zë të lartë janë në gjendje të menaxhojnë më mirë informacionin hyrës si me shkrim ashtu edhe me gojë dhe janë më të përgatitur për të përballuar detyrat jo vetëm në lëndën e gjuhës, por edhe në lëndët e tjera (histori ose matematikë për shembull).

Më të përgatitur për jetën

Jo vetëm kaq: fëmijët që iu nënshtruan eksperimentit të leximit me zë gjithashtu kanë treguar se përballen më mirë me situata komplekse në jetën e përditshme, të tilla si një ngjarje familjare problematike ose ngjarje të tjera sfiduese si një ndeshje futbolli ose një recital vallëzimi.

Më në fund, studiuesit vlerësuan gjithashtu një rritje mesatare prej 10-15% të indeksit që lidhet me zonën verbale. Ata theksojnë se ekspozimi ndaj leximit me zë të lartë është në gjendje të përcaktojë këto përfitime për të gjithë nxënësit, si ata me notat më të larta ashtu edhe ata me disa vështirësi.

Mjet democratik edukimi

“Leximi me zë të lartë – shpjegon Federico Batini, profesor i pedagogjisë eksperimentale në Universitetin e Perugias, i cili koordinoi kërkimin – mund të konsiderohet një mjet për arsim demokratik dhe duhet të futet përgjithmonë në shkolla të të gjitha niveleve. Si një ushtrim i aftë për të stërvitur mendjen. Nuk ka kosto shtesë për shkollën, sepse administrohet nga vetë mësuesit e klasës. Dhe, mbi të gjitha, është për të gjithë ”.

Për të arritur këto rezultate, studiuesve iu deshën mbi 12,000 orë për të mbledhur dhe analizuar përgjigjet e fëmijëve.

Add Your Comment