A ekziston varësia dashurore?

Në literaturë njihen llojet e dashurisë, më shumë sesa të varësisë dashurore. Literatura dhe studimet evidentojnë praninë e dashurisë romantike, shoqërore, altruiste, pragmatiste dhe asaj zotëruese/posesive. Ky lloj është pikërisht ai i cili lidhet me elementë të varësisë. Në raste të ndryshme  ndjenjat pozitive dhe të shëndetshme zëvendësohen nga ato negative, ku afeksioni dhe dashamirësia kthehen në kontroll, mungesë besimi, pasiguri.

Dashuria zotëruese bëhet e tillë kur njëri nga partnerët shfaq më shumë përfshirje obsesive, emocione ekstreme me partnerin, kur shfaq pasiguri jo racionale, xhelozi të pajustifikuar dhe luhatje.

Sic mund të kuptohet, varësia dashurore apo mendimet fikse mbi një marrëdhënie të caktuar nuk janë të shëndetshme dhe nuk janë asnjëherë në të mirë të raportit në cift. Në shumicën e rasteve ato vijnë si rrjedhojë e pasigurive të njërit partner, i cili e ka lidhur mirëqënien e tij ke dhe ekuilibrin me partnerin tjetër; ku në rastin më të parë që kjo i kërcënohet, ai bëhet shumë alert dhe hipervigjilent. Nga ana tjetër, pritshmëritë jo realiste për marrëdhënien krijojnë varësi, sepse njëri partner mund të jetë vazhdimisht në kërkim të gjërave dhe ndjesive që nuk i merr në atë raport dhe shtyhet përherë e më shumë drejt partnerit tjetër, duke mos qenë në gjendje të pranojë realitein, të heqë dorë nga një marrëdhënie e pamundur.

Gjithashtu, varësitë dashurore shkaktohen dhe në rastet kur partneri që e ka këtë varësi, ka nevoja të shumta emocionale; nevojë për afeksion, dashuri, ngrohtësi, prani dhe kur ka mangësi e boshllëqe, apo kur përvojat e tij të mëparshme kanë qenë zhgënjyese për të.

Add Your Comment