Ç’është terapia e lojës?

Terapia e lojës është një ndërhyrje psikologjike që përdor lojën, kryesisht me fëmijët, për t’i ndihmuar të zgjidhin konflikte të ndryshme emocionale, e cila mund të përdoret nga mosha 2-vjecare deri në adoleshencë
Bazohet tek loja dhe benefitet e shumta që ajo ka në zhvillimin emotiv, kognitiv e social të fëmijëve.
Terapistët e lojës përdorin materiale të shumta e të larmishme gjatë kohës së lojës terapi që zhvillojnë me fëmijët.

Qëllimi i terapisë së lojës është që fëmija të fitojë një vetëdijësim mbi përjetimet, emocionet, ngjarjet traumatike, me qëllim që t’i pranojë dhe t’i përballojë ato.

Me anë të materialeve të ndryshme si vizatimet, ngjyrat, plastelina, piktura, lojërat, kukullat, kafshët eksplorohen dinamikat e brendshme të fëmijëve.

Efikasiteti i terapisë së lojës është vënë re për një sërë problematikash; psiko-sociale, emocionale, ngjarje traumatike dhe vështirësi të ndryshme që fëmija mund të hasë në mjedis dhe marrëdhëniet që ndërton me të tjerët.

Seancat e terapisë së lojës zakonisht janë 45-50 minuta, me një frekuencë 1 apo 2 herë në javë derisa fëmija të ketë përpunuar ngjarjen/traumën dhe të jetë i aftë të menaxhojë në mënyrën e duhur emocionet.

Teknikat e terapisë së lojës u vijnë shumë për shtat nevojave dhe parapëlqimeve të fëmijëve, sepse ndërthuret ndërhyrja psikologjike me teknikat zbavitëse të lojës, të cilat fëmijët i mirëpresin kurdoherë.

Përgjatë terapisë së lojës, terapisti fokusohet tek nevojat e fëmijës, qofshin ato që kanë të bëjnë me emocionet negative që vijnë nga një humbje, mekanizma të përballimit të situatave stresante apo qoftë përshtatje ndaj një ndryshimi jetësor.

Të rriturit që janë të pranishëm në jetën e fëmijës dhe të afërm të tij, shpeshherë janë pjesë e terapisë, me qëllim që i gjithë procesi të jetë në funksion të mirëqenies së fëmijës dhe ndryshimet pozitive të jenë të qëndrueshme.

Add Your Comment