Çfarë janë çrregullimet e të nxënit dhe si t’i evidentojmë? Nga Lorela Garuli

 

Çrregullimet e të nxënit kanë në thelb të gjitha proceset, mekanizmat që janë në themel të të studiuarit dhe të të nxënit, që janë tre: të lexuarit, shkrimi dhe vështirësi në matematikë. Të gjitha këto rezultojnë të jenë detyra komplekse për fëmijët, për shumicën dërrmuese të tyre, por edhe për ata që i mësojnë këto procese pa shumë vështirësi. Megjithatë, kur bëhet fjalë për çrregullimet e të nxënit, ajo që duhet të dimë është që për këta fëmijë e nxënës, shkronjat, numrat, rrokjet, fjalët, fjalitë, veprimet e thjeshta matematikore, të numëruarit etj., mund të kthehen labirinte të vërteta, pra klasifikohen si çrregullime të të nxënit.

Gjëja e parë që duhet bërë është dallimi midis vështirësive të të nxënit dhe çrregullimeve të të nxënit, për arsye nga më të ndryshmet. Disa nxënës mund të shfaqin vështirësi apo performancë më të ulët në periudha të caktuara të jetës së tyre, apo në disa lëndë të veçanta. Ndërsa fëmijët që mirëfilli vuajnë nga një prej çregllimeve të të nxënit mund të shfaqin dëmtime, vështirësi shumë më të mëdha që evidentohen dhe vetëkuptohen gjatë procesit diagnostifikues.

Fëmijët shfaqin vështirësi apo dëmtime të ashpra në të gjitha këto aftësi, që lidhe me lëndë shkollore: matematikë, lexim dhe drejtshkrim. Konkretisht, fëmijët që vuajnë një çrregullim lexojnë në mënyrë të pasaktë, shkruajnë në mënyrë të paqartë, nuk arrijnë të kuptojnë përmbajtjen e teksteve, kanë shumë gabime në përdorimin e numrave dhe llogaritjen e tyre, mbajtjen mend të shifrave dhe të procedurave të matematikës.

Duhet specifikuar, se çrregullimet e të nxënit janë të lindura, mund të prekin çdo fëmijë, pavarësisht statusit social-ekonomik, kërkojnë kohë dhe angazhim për t’u trajtuar dhe diagnoza për çrregullimin e disleksisë bëhet në përfundim të klasës së parë, ndërsa për diskalkulinë (crregullimi i matematikës), fëmijës i jepet më shumë kohë dhe diagnoza, nëse do të kemi një të tillë, do të vendoset në fund të klasës së tretë.

Prindi, mësuesi, edukatori e evidenton fillimisht, sepse çregullimi shfaqet në aspekt sjellor, shkollor, gjuhësor dhe psikomotor. Kjo do të thotë që një fëmije disleksik ka disa karakteristika; vështirësi në të kuptuar dhe në përdorimin e shkronjave, numrave, teksteve, nuk kupton domethënien e asaj që lexon, ka vështirësi ortografike, heq, shton zanore, bashkëtingëllore, ka vështirësi në kujtesën hapësinore dhe në atë kronologjike.

Gjithashtu, i mësojnë me shumë vështirësi ditët e javës apo konceptin e muajve kalendarikë. Lidhin me shumë vështirësi atletet ose këpucët. Ka vështirësi të shprehë idetë, nuk mëson dot një gjuhë të huaj.

Përtej shprehive shkollore, këta fëmijë ndeshin edhe shumë vështirësi psikologjike, si vetëbesim të ulët, vetëkoncept jo pozitiv, u duket vetja të paaftë, jo të zgjuar, sepse shohin që nuk po ndjekin dot ritmin e bashkëmoshatarëve të klasës, ndihen të brishtë emocionalisht, lodhen shumë shpejt, nuk kanë përqendrim, nuk e duan shkollën, sepse nuk është një mjedis që i “mirëpret”.

Gjithmonë duhet punuar me motivimin e këtyre fëmijëve.

Shpeshherë fëmijët nuk vuajnë vetëm nga një lloj çrregullimi. Disleksia, grupi i parë, është më i përhapuri që mbizotëron, por ndodh që një fëmijë mund të vuajë nga të tria llojet e çrregullimeve ose prej dy prej tyre.

Normalisht ka disa lloje çrregullimesh të të nxënit. Disleksia është grupi kryesor. Është e trashëgueshme. Disleksia prek zakonisht shkrimin, leximin dhe të kuptuarit të teksteve të shkruara. Mosha minimale kur mund të bëhet vlerësimi i mundshëm i disleksisë është fundi i klasës së parë fillore. Prindi i një fëmije disleksik ka dispozitën për ta shfaqur apo ka hasur vështirësi në të nxënë.

Trajtimi ka të bëjë me përshtatjen e të gjitha strategjive dhe kushteve infrastrukturore të arsimit dhe edukimit në përgjigje të nevojave të këtij fëmije. Fatkeqësisht shumë herë ndërhyrja nuk arrin të jetë efikase dhe këta fëmijë stigmatizohen si dembelë, sikur nuk duan, sikur janë indiferentë. Në vend që ne të rriturit t’i ndihmojmë ato për t’i kaluar këto vështirësi, nuk bëjmë gjë tjetër, veçse ia shtojmë barrën, sepse përveç vështirësive që ai kalon do të ndihet edhe i moskuptuar.

 

 

Add Your Comment