Nga Mariglena Muci
Fëmijët kanë një imagjinatë të gjerë dhe janë shumë krijues, prandaj ata e kanë më të lehtë të vizatojnë ose skicojnë imazhe sesa të të përgjigjen përballë. Shprehja përmes artit i ndihmon fëmijët të tregojnë personalitetin e tyre individual dhe sjellin në vëmendje pikat e tyre më të forta. Artet, zgjojnë imagjinatën dhe krijimtarinë e një fëmije dhe i ndihmojnë për të shprehur më mirë botën e tyre, mendimet, gjendjen emocionale etj.
Terapia e artit, në psikologji, është një teknikë terapeutike, që përdoret për të trajtuar çrregullimet psikologjike dhe ndihmon në forcimin e sistemit mendor. Prandaj psikologët ose terapistët e artit e përdorin atë shpesh me fëmijët me nevoja të veçanta, për t’i ndihmuar në menaxhimin ose kapërcimin me sukses të sfidave të tyre. Disa nga përfitimet, që vijnë nga terapia e artit janë:
1. Zhvillon aftësitë sociale
Studiuesit kanë vënë re se fëmijët janë më shumë të kënaqur në mjediset sociale ku qëndrojnë me njëri-tjetrin, sepse krijojnë lidhje, bashkëveprim, komunikim dhe empati. Të qëndruarit bashkë duke pikturuar, duke kërcyer ose duke kënduar një këngë përmirëson zhvillimin e aftësive sociale mes tyre. Ata vlerësojnë dallimet midis njëri-tjetrit dhe pranojnë perceptimet e secilit individ. Gjithashtu, mund të praktikohen të punojnë në grupe dhe kjo mënyrë i ndihmon të mësojnë sesi të ndajnë dhe pranojnë përgjegjësi. Po kështu i ndihmon të kuptojnë sesi veprimet e tyre ndikojnë tek të tjerët, të ndihmojnë të tjerët dhe kjo i bën edhe më të ndjeshëm. Gjithashtu edhe nëse janë në mjedise private vetëm me terapistin ose prindërit, bëshkëveprimi i ndihmon në zhvillimin e aftësive sociale, sepse inkurajon marrëdhënien dhe besimin.
2.Zhvillon aftësitë kognitive
Duke pikturuar, kërcyer, kënduar etj, fëmijët mësojnë gjëra të thjeshta si ngjyra dhe forma, koha, hapësira, eksperimentimi, zgjidhja e problemit etj, të cilat ndikojnë në lidhjet e neuroneve në tru. Cilado qoftë forma e artit, shqisat aktivizohen dhe kjo ndikon në zhvillimin e aftësive si: njohja e ndryshimeve midis abstraktit dhe realitetit, modeleve të të kuptuarit, vëzhgimit, formimi i përfaqësimeve mendore mes asaj që është e vërtetë ose e imagjinuar etj. Pra, terapia e artit është një teknikë shumë e mirë për zhvillimin e aftësive kognitive.
3.Zhvillon aftësitë emcocionale
Terapia e artit i ndihmon shumë fëmijët të kuptojnë dhe zhvillojnë ndjenjat e tyre. Të qënit i zemëruar ose i lënduar nuk është gjithmonë e lehtë për tu shprehur me fjalë. Prandaj duke pikturuar diçka, duke dëgjuar një këngë, ose duke shkruar etj, fëmijët e kanë më të lehtë për tu shprehur dhe për tu kuptuar nga të tjerët. Të gjitha format e artit e ndihmojnë shumë terapistin të kuptojë gjendjen emocionale të fëmijës. Gjithashtu rrit më tepër besimin mes tyre dhe i ndihmon fëmijët të çlirohen nga ajo gjendje. që i mban të bllokuar.
4.Zhvillon aftësitë fizike
Përveç aftësive mendore, terapia e artit ka ndikim edhe në zhvillimin fizik. Ajo ndikon shumë në aftësimin dhe përmirësimin e kontrollit motorrik, koordinimi sy-dorë, zhvillimin e muskujve të vegjël etj. Nëse fëmija kërcen, kërcimi zhvillon kreativittein dhe ndihmon në lëvizjen e trupit. Vizatimi dhe shkrimi nuk kërkojnë shumë lëvizje, por fëmijët zhvillojnë kontrollin mbi muskujt e duarve. Gjithashtu, zhvillojnë shqisat dhe bëhen më të vetëdijshëm për praninë e tyre fizike dhe përdorimin e hapësirës. Pra, fëmijët arrijnë të koordinojnë mendimet dhe lëvizjen e tyre, që është një hap drejt zhvillimit.