Qetësia është virtyti i të fortit. Ky nuk është vetëm proverb, por edhe shkenca e konfirmon: zemërimi është i keq për shëndetin. Kjo ndjenjë shkakton reaksione inflamatore, veçanërisht tek gratë. Sidoqoftë, arsyet për këtë “predispozitë” femërore nuk janë ende të qarta.
Gratë e reja më të prekura
Sipas hulumtimit, ende në vazhdim dhe i kryer nga studiuesja kanadeze Bianca D’Antono, profesoreshë e departamentit të Psikologjisë të Universitetit të Montrealit dhe drejtoreshë e Njësisë Kërkimore në Mjekësinë Sjellëse dhe Plotësuese të Institutit të Kardiologjisë, inflamacionet mund të vijnë nga shkaqe psikologjike. Gjatë studimit, u monitoruan 81 burra të shëndetshëm dhe 118 gra, dhe u zbulua se gratë më të reja vuajnë veçanërisht efektet negative të zemërimit. Përveç kësaj, zemërimi dhe armiqësia, nëse përsëriten me kalimin e kohës, gjithashtu mund të shkaktojnë probleme në zemër. Për këtë arsye, menaxhimi i zemërimit dhe të pasurit një mënyrë jetese të shëndetshme, janë të rëndësishme për shëndetin.
Çfarë ndodh kur zemërohemi
Gjatë një shpërthimi zemërimi, trupi ynë ndryshon: muskujt dhe nyjet tensionohen, ekuilibri i sistemeve nervore dhe hormonale ndryshon, presioni i gjakut rritet, gjaku qarkullon më shpejt dhe prodhohet biliare e tepërt. Kjo shkakton dëme të ndryshme në shëndetin psikofizik. Psikologët sugjerojnë trajnimin e vetëkontrollit, i cili shpesh vihet në provë, veçanërisht për shkak të ritmit të furishëm dhe problemeve të përditshme. Është e rëndësishme të krijoni pak hapësirë për veten tuaj çdo ditë, ndonjëherë një filxhan i thjeshtë çaji, një seancë joga ose të shkoni në shtrat herët është e mjaftueshme.