Çrregullimet e të shkruarit nuk prekin aspektin fonetik të gjuhës, sepse veçoria kryesore e këtij grupi çrregullimesh ka të bëjë vetëm me dëmtime të aftësive të të shkruarit, me drejtshkrimin, ortografinë, rregullat gramatikore, hartimin e fjalive dhe teksteve, qartësinë, transparencën dhe të pasurit e një shkrimi të kuptueshëm.
Disortografia jo rrallëherë bashkëshoqëron disleksinë dhe i bashkëngjitet diagnozës së saj duke qenë se fëmijët disleksikë kanë dhe vështirësi në të shkruar. Megjithatë, duhet bërë dallimi kur çrregullimet e të shkruarit janë shoqëruese, pra kur janë shfaqje e një problematike tjetër dhe rastet kur ato vetë janë problemi.
Përsa i përket moshës se kur mund të bëhet vlerësimi lidhur me çrregullimet e të shkruarit, periudha më e përshtatshme konsiderohet të jetë përfundimi i klasës së parë ose dhe klasa e dytë. Nuk bëhet fjalë që në këtë moshë të bëhet vlerësim i plotë mbi përvetësimin e rregullave gjuhësore e gramatikorë; por deri në fund të klasës së parë e të dytë mund të identifikohet qartë nëse fëmija ka prirje për të zhvilluar problematika të mëvonshme në të shkruar, nëse ka elementë të keqfunksionimit të formës së të shkruarit, pra disgrafi apo nëse shfaq dëmtime në aftësinë për të riprodhuar fjalën e shkruar, pra disortografi
Disortografia përcaktohet si çrregullim i të nxënit që përfshin gabime në të shkruar; gabime të cilat prekin cilësinë dhe përmbajtjen e fjalës së shkruar, por jo llojin e shkrimit dhe formën e tij. Pra, fëmijët të prekur nga disortografia, i shkruajnë fjalët ndryshe si rrjedhojë e konvertimit jo të saktë grafemë-fonemë, duke zëvendësuar shkronjat dhe rrokjet e sakta të një fjale me të tjera të pasakta.
Shkaqet:
- Vështirësi apo defiçite në kujtesën auditive dhe atë vizuale, në identifikimin e dallimeve mes tingujve e shkronjave të ngjashme.
- Vështirësi apo defiçite në nivel të orientimin kohor-hapësinor, për të mbajtur ritmin dhe vazhdimësinë e të shkruarit.
- Defiçite apo prapambetje mendore.
- Nivel i ulët inteligjence.
- Vështirësi në gjuhën e folur; keqshqiptimi i disa tingujve e fonemave do të ndikojë që më pas fëmija dhe t’i shkruajë keq ato shkronja.
- Fjalor i varfër; sa më mirë ta njohë gjuhën e vet një fëmijë, aq më pak mundësi ka të bëjë gabime dhe në të shkruar.
- Shkaqe emotive. Një nivel i ulët vetëbesimi, motivimi dhe vështirësi emocionale e afektive, do të ndikojnë në cilësinë e ulët të shkrimit të fëmijës.
- Shkaqe pedagogjike. Teknikat didaktike të mësimit, kur janë të papërshtatshme apo nuk respektojnë veçoritë individuale të zhvillimit të çdo fëmije dhe ritmin e tij të të mësuarit, rrisin vështirësitë në përvetësimin e shprehive të të shkruarit.
Karakteristikat e disortografisë
Disortografia përfshin një sërë gabimesh në shkrim, të llojeve të ndryshme, të cilët shfaqen sistematikisht dhe e bëjnë shkrimin e parregullt, deri në të pakuptueshëm. Ato mund të jenë:
- Zëvendësim të disa shkronjave që ngjajnë me njëra-tjetrën për nga shqiptimi, g/k, t/d, p/b.
- Zëvendësim i shkronjave që ngjajnë me njëra-tjetrën për nga vendosja dhe orientimi, p me q apo b me d.
- Zëvendësim të shkronjave njëra me tjetrën në rastet që janë vizualisht të ngjashme, m/n, u/v, n/r apo a/o.
- Heqja e ndonjë shkronje në fjalë, kryesisht shkronjave të fundit.
- Heqja e rrokjeve të plota në shkrimin e fjalëve shumë të gjata.
- Heqja e shkronjës ë nëpër fjalë.
- Shtimi dhe përsëritja e ndonjë shkronje në mes të fjalës (libiri në vend të libri, televizozori në vend të televizori).
- Ndërrimi i vendit të shkronjave apo rrokjeve nëpër fjalë (ëdnrra në vend të ëndrra, feltore në vend të fletore).
- Bashkimi i nyjeve dhe parafjalëve me emrat dhe mbiemrat, psh. njëlibër, ebukur, tëhënën, ngaunë, dheti.
- Mungesa e shenjave të pikësimit dhe shkronjës së madhe në fillim të fjalisë, pra teksti shkruhet me fjali të pandara, si një i vetëm.