Vizatimi i familjes, si teknikë projektive interesante në punën me fëmijën

VIZATIMI I FAMILJES

Vizatimi i familjes është instrumenti kryesor me anë të të cilit profesionisti që punon me fëmijën mund të hedhë dritë mbi dinamikat familjare, të sjella nën perceptimin e fëmijës. Me anë të këtij vizatimi zbulohen më shumë aspekte të zhvillimit emocional dhe afektiv të fëmijës sesa të atij kognitiv e intelektual.
Fëmijët janë shumë më të thjeshtë dhe më të drejtpërdrejtë sesa të rriturit, ata nuk përdorin mekanizma mbrojtës shumë të koklavitur. Për këtë arsye, është e mundur të njihet personaliteti i tyre nëse kushtohet vëmendje dhe kujdes i caktuar.

Vizatimi i familjes do të shërbejë si një hartë e cila jep udhëzime e njohuri mbi perceptimin që ka fëmija për familjen e vet, por kryesisht për vendin që ai zë në hierarkinë familjare të tij.

Në çdo detaj të vizatimit fëmija shpreh veten dhe komunikon me anë të mesazheve grafike që përcjell. Ai tregon sesi e sheh familjen e vet dhe sesi do të donte që ajo të ishte, ku e vendos veten dhe të tjerët, çfarë ndjenjash i shkakton kjo. Madje, fëmija komunikon edhe elementë të raportit me terapistin, shumë herë në vizatim përfshihet një figurë përfaqësuese që përputhet me psikologun; mjeku, mësuesi, kujdestari, etj.

Tipologjia
Kërkesa për të vizatuar familjen mund të jetë disa llojesh:
o Familja imagjinare-imazhi i brendshëm i familjes që fëmija ka.
o Familja e kafshëve-evidenton elementët përbërës dhe përjetimet emocionale që qëndrojnë të fshehura tek fëmija.
o Kinetike-përfaqëson dinamikat e brendshme të familjes si një sistem social e kulturor.

Kryerja e vizatimit
Fëmijës i kërkohet: “Vizato një familje sipas imagjinatës tënde, ose një familje çfarëdo”. Kjo është një mënyrë për t’ja paraqitur sa më thjesht fëmijës kërkesën, në mënyrë që ai të mundë ta realizojë sa më lirshëm dhe të dalin në sipërfaqe të gjitha dinamikat e brendshme, që kanë të bëjnë me familjen e vet.
Nëse fëmijës i duhet një kohë më e gjatë se 3 minuta për të nisur të vizatojë, ajo që kuptohet në këtë rast është prania e ankthit, që pengon hyrjen në kontakt me idenë e familjes që ka.

Konsiderohet se koha mesatare e kryerjes së vizatimit është diku tek 4 deri në 8 minuta. Përfundimi i vizatimit në një kohë më të shkurtër, nëse është i paraqitur saktë, do të interpretohet si aftësi për të vizatuar mirë. Në të kundërt, është një formë shmangëse. Nëse fëmija merr shumë kohë për të vizatuar familjen, në varësi edhe të asaj që paraqet në përfundim të vizatimit, komunikon inhibim emocional, perfeksionizëm/karakteristika obsesive.

Add Your Comment