Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar
Loja ka një rëndësi të veçantë në jetën e fëmijëve. Që në moshë të hershme ata preferojnë të luajnë, të eksplorojnë lodra, të imitojnë të tjerët, të pyesin, të bashkëpunojnë për të fituar aftësi të lojës etj.
Fëmijët me çrregullime të spektrit të autizmit luajnë “ndryshe” nga fëmijët e tjerë. Ata nuk mund ose nuk duan të luajnë lojëra tipike të fëmijërisë. Pak fëmijë luajnë si “ fëmijët e tjerë “ dhe shumë angazhohen në aktivitete, që nuk duken aspak si lojëra të zakonshme. Gjithashtu, ata kanë pak gjasa të angazhohen në lojëra, që kërkojnë besim, bashkëpunim ose komunikim social. Ndryshe nga fëmijët tipikë të cilët, edhe nëse luajnë vetëm e bëjnë këtë për të imituar të tjerët, që të fitojnë aftësi të lojës, për të fituar bashkëpunimin me të tjerët, për të tërhequr vëmendjen e tyre etj. Ndërsa fëmijët me ÇSA luajnë vetëm dhe nuk janë të vetëdijshëm për aktivitetet dhe preferencat e të tjerëve.
Kështu, kjo situatë bëhet e vështirë për prindërit dhe shpesh lind pyetja sesi mund t’i ndihmojmë këta fëmijë të përdorin lojën për të stilmuluar trurin e tyre, për të përmirësuar aftësitë motorrike, për të ndërtuar marrëdhënie etj? Më poshtë po listoj disa mënyra sesi ju mund të veproni për tu përfshirë në lojë me fëmijën tuaj:
1. Afrohuni ngadalë dhe respektoni hapësirën fizike të fëmijës
Pavarësisht se ju jeni prindërit e fëmijës, fëmija mund të kërkojë një hapësirë të madhe personale. Prandaj përpiquni të gjeni afërsinë fizike me të cilën jeni të kënaqur si ju dhe fëmija juaj. Gjithashtu, mundohuni të kuptoni, që kjo mund të ndryshojë çdo ditë. Kjo do të thotë se fëmija mund të ketë raste, që kërkon stimulim dhe dëshiron që ju të jeni afër tij dhe ta përqafoni, ndërsa në raste të tjera mund të shmangë stimulimin dhe mund të ketë nevojë për më shumë distancë. Ndonjëherë afërsia dhe prekja mund të jenë kërcënuese për të. Prandaj merrni një minutë kohë për të interpretuar nevojat shqisore të fëmijës, përpara se të pushtoni hapësirën e tyre. Fëmija shpesh ju tregon vetë, prandaj jini të durueshëm dhe eksperimentoni se sa afër duhet të uleni. Psh.nëse fëmija juaj është në dysheme dhe ju afroheni të uleni pranë tij, shikoni reagimin e fëmijës suaj, për të kuptuar në hapësirën, që duhet të qëndroni.
2. Hyni në botën e tyre në vend që të përpiqeni të krijoni ose paraqesni një lodër ose aktivitet të ri
Të luash pranë fëmijës dhe të ndërveprosh me aktivitetin e tij të preferuar është më e rehatshme për të. Fëmija shpesh ju sinjalizon vetë. Fëmijët me autizëm përdorin gjuhën. Por edhe nëse fëmija është joverbal, nuk do të thotë se nuk komunikon, prandaj shikoni gjestets, shenjat, gjuhën e trupit dhe shprehjet e fytyrës. Ata edhe pse janë joverbalë, janë të aftë të kuptojnë gjuhën dhe shpesh janë të zgjuar dhe krijues. Prandaj, luani dhe ju pranë fëmijës suaj dhe mundohuni të ndërveproni, psh nëse ai po luan me një makinë dhe ju bëni të njëjtën gjë. Mundohuni të lëvisni makinën në anën e tij, për t’i shpjeguar sesi makinat afrohen ose ecin paralelisht dhe kështu nxisni e imagjinatën e fëmijës, sesi mund të bëni një garë ose diçka tjetër etj.
3. Mundohuni ta bëni fëmijën të kuptojë lojën paralele
Të luash pranë një fëmijë, që duket se po të injoron është jashtëzakonist e rëndësishme për fëmijën. Mos u dorëzoni lehtë, nëse fëmija nuk ju kushton vëmendje. Ata shpesh kanë vështirësi në ndarjen e vëmendjes së tyre, por prania juaj ndihet dhe nëse jeni të durueshëm, aftësitë e vlefshme të lojës mund të shkëmbehen dhe demostrohen gjatë këtyre ndërveprimeve. Pra, nëse ju bëni diçka të tërhiqni vëmendjen e fëmijës dhe shikoni që nuk e keni, vazhdoni sërisht. Psh nëse ju po luani me një makinë si fëmija juaj, mundohuni ta lëvisni makinën, të shtypni borien, t’i tregoni fëmijës që makina është më e madhe, është ngjyrë blu, ecën shpejt, etj, por pa besdisur fëmijën. Kjo mund t’i ngjallë atij kuriozitet dhe mund të kërkojë dhe ai të mësojë si të shtypë borien dhe të dëgjojë zhurmën e saj. Nëse shikoni se fëmija besdiset, lëreni dhe vazhdoni më vonë.
4. Demostroni dhe mësojini fëmijës sesi të luajë
Fëmijët me autizëm mund të kërkojnë një demostrim sesi të luajnë me një lodër. Aftësitë e lojës mund të vijnë natyrshëm tek fëmijët me ÇSA dhe këto mund t’i fitojë nga një bashkëmoshatar ose i rritur, që i ndihmon sesi të luajnë me një lodër ose objekt. Mos supozoni se fëmija nuk dëshiron të luajë, por ai mund të mos dijë të luajë.
Nëse fëmija ka një repertor të ngushtë të aftësive të lojës, ngadalë përpiquni të lehtësoni angazhimin, duke zgjeruar aftësitë e lojës. Fëmijët me ÇSA janë më të prirur për shikimin, kështu që bëhuni më pak folës dhe më shumë demostrues. Psh nëse keni në dorë makinën demostrojini fëmijës sesi lëviz, duke e kurdisur, shtypni borien, timonin etj (siç mund të jenë pjesët e makinës, sipas instruksioneve ,që mund të jenë në kutinë e paketimit).
5. Ndryshimet janë të vështira, prandaj zgjeroni aftësinë e lojës ngadalë
Ndryshimi është gjithmonë i vështirë për fëmijët me autizëm, prandaj zgjeroni aftësitë e lojës ngadalë dhe sipas kushteve të tyre. Ndërtoni besim, në mënyrë që ankthi të reduktohet. Fëmijët me ÇSA janë si gjithë të tjerët, ata pëlqejnë të argëtohen dhe të bëjnë gjëra që ndihen mirë, por mund të ketë nevojë për më shumë përsëritje dhe demonstrime se si të anagzhohen me një lodër ose objekt. Gjithashtu, si çdo fëmijë tjetër ata mund të gjejnë mënyra alternative për të luajtur një lojë ose përdorur një lodër. Prandaj, inkurajoni metodat e tyre krijuese dhe respektoni individualitetin.
Së fundmi, duke qënë se ndryshimi mund të jetë i vështirë, ata mund të luajnë me një lodër për një periudhë të gjatë kohore. Mos nxitoni t’ua ndryshoni aktivitetet, lejojeni edhe për një kohë të gjatë të luajë të njëjtën gjë, nëse fëmija nuk është ende gati për të vazhduar.
Mos kini frikë se mund të bëni diçka të gabuar, duhet të keni parasysh që gjithçka po e bëni për fëmijën tuaj! Prandaj mundohuni ta bëni në më të mirën tuaj, vetëm qëndroni të qetë, mendjehapur dhe me një shpirt lozonjar!
Kështu do të kuptoni se e gjitha kjo do të përkthehet në një përvojë loje kuptimplotë për fëmijën tuaj.