Arsyet që nxisin një vlerësim të detajuar të disleksisë, ndikohen më së shumti nga mjedisi ku fëmija mëson, nga niveli i vështirësive që ai shfaq dhe nga aftësitë vëzhguese e identifikuese të mësuesve dhe prindërve. Në shumicën e rasteve janë mësueset e ciklit të ulët fillor që dallojnë vështirësitë e fëmijës dhe ua komunikojnë ato prindërve. Janë këta të fundit më pas të cilët vendosin ecurinë e vlerësimit dhe trajtimit duke u konsultuar me specialistin përkatës.
Ajo cfarë mësuesit vënë re që në klasën e parë fillore tek një nxënës disleksik, lidhet me vështirësitë që do të ketë ky fëmijë për të ndjekur ritmin e mësimeve si shokët e shoqet e tjera të klasës. Ky nxënës do të paraqesë vështirësi për të mbajtur vëmendjen dhe për t’u përqendruar, do të kryejë shumë ngadalë detyrat e klasës dhe në shumicën e rasteve do ta ketë të pamundur t’i përfundojë ato. Nëse problemi i disleksisë nuk është identifikuar dhe nuk janë marrë masa, atëherë mësuesi do të vërejë përkeqësime të leximit dhe shkrimit të nxënësit. Duke e nxitur atë për të përsëritur detyrat dhe ushtrimet, gabimet e fëmijës vetëm do të shtohen dhe motivimi i tij do ulet ndjeshëm.
Pra, nëse janë shfaqur disa vështirësi në fillim, ndaj të cilave mësuesi ka reaguar duke menduar se janë rezultat i mjedisit të ri dhe vështirësive në përshtatje, kur performanca e tij shkollore të vazhdojë të bjerë, mësuesi duhet patjetër të shqetësohet dhe të kthejë vëmendjen nga ky nxënës.
Në këtë situatë lind nevoja që mësuesi të marrë disa masa dhe të aplikojë disa strategji efikase për t’i ardhur në ndihmë nxënësit disleksik:
o Të kuptojë dhe pranojë problematikën, jo ta shmangë dhe injorojë atë.
o Të shmangë situatat që e vënë në siklet fëmijën dhe i shkaktojnë ankth apo frustrim, sic është të lexuarit me zë të lartë përpara klasës.
o Të përpiqet të mos lejojë që deficitet në të lexuar të shkaktojnë vështirësi të tjera të të nxënit.
o Të reduktojë materialin në formë teksti që fëmija duhet të lexojë apo shkruajë, duke e zëvendësuar këtë me material grafik.
o T’i japë më shumë kohë se të tjerët këtij nxënësi për kryerjen e detyrave dhe provimeve.
o Të shtojë detyrat dhe kontrollin e njohurive me gojë më shumë sesa me shkrim.
o Lidhur me gabimet ortografike dhe drejtshkrimore, të përpiqet t’i kushtojë fillimisht më shumë rëndësi përmbajtjes dhe kuptimit të asaj që shkruan fëmija.
o Të reduktojë sasinë e materialeve për të mësuar.
o Të sigurohet që nxënësi të ndihmohet nga një i rritur në shtëpi për kryerjen e detyrave.
o Përdorimin e mënyrave alternative për të mësuar, në rrugë audio dhe vokale (psh një i rritur i lexon fëmijës tekstin që ka për të mësuar).
o Të lejojë përdorimin e programeve kompjuterike që korrigjojnë gabimet ortografike.
o Të nxisë nxënësin të kërkojë ndihmë dhe të bëjë pyetje shtesë kur ka nevojë, në vend që të kompleksohet dhe ndrydhet.
o Të nxisë punën në grupe brenda klasës, në mënyër që nxënësi të marrë ndihmë por njëkohësisht dhe të bashkëpunojë me shokët/shoqet e klasës gjatë detyrave rutinore shkollore.
o Të motivohet duke vënë në dukje pikat e forta.
o Të lavdërohet dhe nxitet për përpjekjet, arritjet dhe përparimet.
o Të pajiset nxënësi me skeda apo tabela të cilat përmbajnë rrokje, fjalë apo detaje të tjera të thjeshtëzuara të cilat e ndihmojnë në praktikat e leximit dhe shkrimit në klasë.
Në përditshmërinë shkollore, marrëdhënia mësues-nxënës është e rëndësishme, përsa i takon rolit që ka në efikasitetin e ndërhyrjes dhe trajtimit, por njëkohësisht dhe në krijimin e një klime të shëndetshme emocionale dhe motivacionale në klasë.
Marrëdhënia mësues-nxënës, duke qenë se është e një natyre edukative ka në fokus të saj kalimin e barrierave dhe shkrirjen e rezistencës që mund të shfaqë një nxënës disleksik. Sigurisht që nuk është e lehtë të krijohet aq shpejt një raport besimi me një nxënës i cili shfaqet refuzues, i mbyllur, i rezervuar, shmangës, i painteresuar dhe i demotivuar ndaj shkollës e procesit mësimor. Rrjedhojë e frustrimit që vjen nga crregullimi në të nxënë mund të jetë manifestimi i një sjelljeje agresive apo vështirësi në vendosjen e marrëdhënieve sociale me bashkëmoshatarët. Sipas kësaj optike, ndërhyrja në nivel të marrëdhënieve social-emocionale do ta ndihmojë nxënësin disleksik në rritjen e vetëefikasitetit dhe mirëqënies personale.
Si mund të ndihet një nxënës, që për disa vite shkollore me radhë përvec se ndeshet me vështirësitë e përditshme që shkakton disleksia, dëgjon t’i thuhet vazhdimisht në mënyrë të përsëritur se duhet të përpiqet më shumë dhe se nuk është i vëmendshëm, apo që njëkohësisht vlerësohet e gjykohet negativisht? Sigurisht që rezultati do të jetë demotivim dhe vetëvlerësim i ulët. E vërteta është se pjesës më të madhe të nënësve me disleksi apo crregullime të tjera në të nxënë, do t’u duhet të përballen e të bashkëjetojnë me këtë situatë gjithmonë. Kjo do të thotë se për të rikuperuar besimin tek aftësitë e veta dhe për të nxitur motivimin e për të zgjuar interesat shkollorë tek ata, në radhë të parë do të duhet t’u bëhet e ditur këtyre nxënësve se vështirësitë që ata kanë vijnë prej disleksisë dhe jo nga mungesa e vullnetit apo e përpjekjeve të tyre. Në këtë mënyrë, qartësohet se me gjetjen e strategjive të përshtatshme terapeutike dhe me mbështetjen e duhur, nxënësi disleksik do t’ia dalë të përmirësojë ato shprehi të nxëni të cilat janë të prekura nga disleksia.
Disa hapa konkretë që mund të ndërmarrë mësuesi për të ndërtuar një marrëdhënie pozitive me nxënësin e tij, janë:
o Pranim i pakushtëzuar pozitiv.
o Dëgjim aktiv.
o Qëndrim empatik.
o Dhënie ndihme, mbështetje, orientim, drejtim.
o Nxitje për të krijuar marrëdhënie të afërta shoqërore me shokët/shoqet e klasës.
o Krijimi i sigurisë, besimit dhe vlerësimit përkundrejt nxënësve disleksikë.