“Teknika e kontrollit të zemërimit” për të ndihmuar fëmijët në menaxhimin e emocioneve negative. Nga Lorela Garuli

Natyra e crregullimit të vëmendjes me hiperaktivitet shfaqet në një masë të madhe si një disfunksion emocional, që prej fëmijërisë së hershme e deri në moshë të rritur, duke ndikuar negativisht në cilësinë e jetës emocionale dhe të marrëdhënieve të personit që vuan prej këtij crregullimi.

Impulsiviteti, reagimet e shumta, përjetimi i vrullshëm apo intensiv i emocioneve të fëmijëve me vështirësi emocionale, bëjnë që ata të stigmatizohen, vecohen dhe refuzohen nga bashkëmoshatarët.

Për të zhvilluar kompetencat sociale të fëmijëve me ADHD, por dhe në rastet kur çdo fëmijë ka vështirësi në menaxhimin e emocioneve të pakëndshme apo në shpërthimet e zemërimit, ndërhyrja më e shpeshtë është ajo që ka të bëjë me edukimin dhe trajnimin e aftësive sociale, që kryhet kryesisht nëpërmjet disa mënyrave:

  • Lavdërimi
  • Përforcimi pozitiv
  • Pajisja e fëmijëve me strategji të vetëndihmës/menaxhimit të emocioneve

Një nga teknikat për të ndihmuar këta fëmijë në menaxhimin e emocioneve është Teknika e kontrollit të zemërimit.

 

Është një teknikë e cila përbëhet nga 6 hapa, duke nisur që prej riatribuimeve, tek reflektimet dhe deri tek faza e relaksimit. Përkatësisht, këto hapa janë:

  1. Prezantimi i përmbajtjes së teknikës, duke shpjeguar anë të ndryshme të zemërimit dhe të situatave konkrete të lidhura me të. Në këtë fazë gjithashtu bëhen të njohura disa mënyra të thjeshta të “matjes” së zemërimit; nëpërmjet vizatimeve dhe sistemeve të pikëzimit.
  2. Ndalimi i shprehjes së agresivitetit verbal apo fizik. Fëmija orientohet që sapo të fillojë të ndjejë elementët e parë të zakonshëm të zemërimit, t’i thotë “stop”, në mënyrë që të mos degradojë në koflikte të mëtejshme apo sjellje agresive përballë të tjerëve.
  3. Fëmija mësohet të verbalizojë vetëkontrollin nëpërmjet fjalëve që mund t’ja drejtojë vetes.
  4. Role-play dhe përballja me situate konkrete ku fëmijës i duhet të menaxhojë zemërimin.
  5. Aplikimi i teknikave të thjeshta relaksuese.
  6. Të ushtruarit dhe të praktikuarit e të gjithë hapave të mësipërm në mënyrë të vazhdueshme me qëllim që fëmija t’i brendësojë.

Add Your Comment