Si të aktivizoni fëmijët me aftësi ndryshe gjatë pushimeve të dimrit? 11 aktivitete orientuese për prindërit

 

Nga Mariglena Muci, pedagogji e specializuar

Pushimet e dimrit (të Krishtlindjeve dhe Vitit të ri) janë më të preferuarat për fëmijët. Përveçse zgjedhin të pushojnë, ata gjithashtu përgatiten për festat, të cilat i presin me shumë dashuri. Po kështu edhe fëmijët me aftësi ndryshe i pëlqejnë shumë këto festa. Por qëndrimi gjatë në shtëpi dhe shkëputja nga rutina e përditshme mund të bëhet shpesh e mërzitshme për ata. Gjithashtu, mund të sjellë dhe një shkëputje nga mësimet.

Prandaj më poshtë sugjerohen disa aktivitete, që mund të zhvilloni me fëmijët tuaj, të cilat i ndihmojnë jo vetëm të argëtohen, por edhe të zhvillojnë aftësitë e tyre.

AKTIVITETE QË ZHVILLOJNË AFTËSITË E GJUHËS DHE KOMUNIKIMIT

1. Shkruajini një letër Babagjyshit të Vitit të Ri

Festat e fundivitit janë koha më e bukur me familjen. Nëse ju i festoni këto festa, kërkojini fëmijës suaj t’i shkruaj një letër babagjyshit. Pyeteni se cila është dëshira e tij/saj dhe ndihmojeni t’ia shprehë atij në letër. Mbylleni letrën në zarf dhe dërgojani bababgjyshit. Kështu ju mësoni dhe dëshirat e fëmijëve tuaj për t’u bërë dhuratat e preferuara. Kjo mënyrë e ndihmon fëmijën për të zhvilluar aftësitë e të shkruarit dhe të komunikimit, që zhvilloni sëbashku.

2. Shkruani kartolinat e urimeve

Gjithashtu një mënyrë mjaft interesante për të angazhuar fëmiijët tuaj është krijimi i kartolinave dhe shkrimi i urimeve. Zgjidhni materiale të ndryshme, të riciklueshme si: letër, karton, ngjyra, figura, foto, fije etj dhe me to krijoni kartolina. Ndihmojeni fëmijën tuaj të shkruaj urime për të afërmit tuaj. Kjo mënyrë jo vetëm do të zhvillojë aftësitë e tij motorrike, por gjithashtu do ta ndihmojë atë me aftësitë e të shkruarit. Po kështu, do të përforcojë komunikimin, që do të zhvillojë me ju dhe do të fiksojë më mirë familjarët dhe të afërmit e tij.

3. Shkruani karta me mesazhe për gjithë familjen

Një aktivitet tjetër, po kaq interesant është shkrimi i kartave me mesazhe për festa. Kjo është një zgjedhje e mirë, që ta bëni atë të shkruajë. Pyesni secilin anëtar të familjes dhe kërkojuni të thotë një mesazh për festa. Shkruajini të gjitha në karta, lexojini me fëmijën tuaj dhe mbyllini në një kuti për t’i hapur në natën e Vitit të Ri. Kjo do ta ndihmojë fëmijën tuaj të mësojë sesi të bëjë kompromis dhe të koordinohet me njerëzit e tjerë. Por gjithashtu edhe të përmirësojnë aftësitë e të shkruari dhe menaxhimin e kohës. Po kështu, i jep atij kënaqësinë e krijimit të diçkaje, që mund ta shijojë e gjithë familja dhe zhvillon ndjenjën e të qënurit protagonist.

AKTIVITETE QË ZHVILLOJNË AFTËSITË E TË LEXUARIT

4. Lexoni libra me përmbajtje për festat e fundvitit

Shkoni me fëmijën tuaj në librari ose kërkoni në intetrnet librat më të bukur për festat e fundivitit. Qëndrimi në shtëpi, ngrohtësia, leximi i librave dhe një çaj i ngrohtë janë terapia më e mirë për fëmijën tuaj. Për fëmijët e vegjël leximi i një përralle ose tregimi në natë është mënyra më e mirë për të përmirësuar aftësitë e leximit. Lexoni së bashku me zë të lartë, duke e shoqëruar edhe me ilustrimet. Pastaj tregojeni sëbashku, duke u mbështetur mbi fotot e librit dhe duke i treguar me gisht. Për fëmijët më të rritur zgjidhni libra me histori ose përmbajtje më të gjatë. Blijeni atë në fillim të festave dhe kërkojuni që ta përfundojnë para se të kthehen në shkollë. Kjo do t’i nxisë të lexojnë sa më shumë dhe të përforcojnë aftësitë e leximit.

5. Ndihmojini të mësojnë një lojë të re

Dilni me fëmijën tuaj dhe blini një lojë të re. Më pas uluni ta luani sëbashku duke lexuar instruksionet përkatëse. Nëse janë në gjuhë të huaj, përkthejini dhe thojani fëmijës në gjuhën tuaj. Mësojani si rregulla dhe kërkojani t’i përsërisë ose shkruajini në një fletë dhe kërkojani t’i lexojë sa herë që luani. Kjo do ta ndihmojë atë të forcojë aftësitë e leximit.

AKTIVITETE QË ZHVILLOJNË AFTËSITË MATEMATIKORE

6. Përfshiheni fëmijën tuaj në punë shtëpie dhe kuzhinë

Një mënyrë shumë e mirë për ta bërë fëmijën tuaj të ndihet i rritur është përfshirja në punë shtëpie. Kërkojini atij t’iu ndihmojë me pastrimin ose larjen e pllakave. Po kështu përfshijeni në kuzhinë dhe ndihmojeni të praktikojë aftësitë e tij në matematikë. Për shembull, ju mund të përgatisni sanduiçë të shijshëm për të gjithë anëtarët e familjes. Nëse jeni 5 anëtarë, kërkojini të numërojë 5 sanduiçë, dhe nga pesë përbërës për secilin. Përgatini dhe ndajini me fëmijën tuaj. Kjo e ndihmon të zhvillojë aftësitë matematikore, të jetës së përditshme dhe të ndihet pjesmarrës.

7. Përgatisni ëmbëlsira së bashku me fëmijën tuaj

Gjithashtu një mënyrë tjetër mjaft interesante është edhe përgatitja e ëmbëlsirave. Fëmijët jo vetëm duan t’i shijojnë, por kanë dëshirë të jenë dhe pjesmarrës në të shumtën e rasteve. Kjo mënyrë jo vetëm e ndihmon me zhvillimin e aftësive të jetës së përditshme, por gjithashtu forcon edhe besimin. Përgatisni biskota për festa ose bakllava. Matni dhe peshoni me peshore sasinë e duhur dhe përgatitini. Ndajini boskotat në forma dhe bakllavanë në thela. Më pas kërkojini fëmijës suaj të dallojë format gjeometrike. Të gjitha këto e ndihmojë të zhvillojë edhe më shumë aftësitë matematikore, por njëkohësisht të argëtohet.

AKTIVITETE QË ZHVILLOJNË AFTËSITË ARTISTIKE

8. Kryeni lojra të ndryshme

Gjëja që fëmijëve u pëlqen më shumë është të luash me ta. Gjeni pak kohë dhe përkushtoni të luani sëbashku. Zgjidhni lojën e tyre të preferuar dhe ndani rolet. Psh. mund të bëni një koncert me këngë dhe recitime së bashku, mund të ngjyrosni, pikturoni etj. Përgatitini të gjitha gjërat e nevojshme, sepse kjo zgjon tek fëmija ndjenjën e përkushtimit, përqëndrimit dhe rregullit. E më e bukura është që të gjithë ngjarjen ta filmoni dhe ta lejoni të shohë veten. Të gjitha këto aktivitete e ndihmojnë të përmirësojë aftësitë e tij artistike dhe pse jo të shpalosë talentin.

9. Shikoni filma festivë

Një mënyrë tjetër shumë interesante që t’i përfshini të gjitha ato që thamë, është të shihni filma. Merrini fëmijën pranë vetes dhe vendosni video të filmave të ndryshëm si psh “ I vetëm në shtëpi” etj. Shikojini dhe diskutojini sëbashku. Kjo jo vetëm do t’i argëtojë, por gjithashtu do të zhvillojë aftësitë e tyre për leximin, komunikimin dhe ato artistike.

AKTIVITETE QË ZHVILLOJNË AFTËSITË SHKENCORE

10. Bëni një shëtitje në natyrë

Diçka aq e tjeshtë sa të vizitoni ose eksploroni një park ose hapësirë të gjelbër aty pranë, mund t’i mësojë fëmijës suaj, kaq shumë! Nxitni kureshtjen e fëmijës suaj duke pyetur se si është parku, çfarë kafshe ka aty afër. Mblidhni gjethe aty pranë (nëse ka) dhe bëni me to zbukurime ose mund të dalloni ngjyrat, madhësinë, format etj.

11. Krijoni eksperimente shkencore

Idetë sesi të aktivizoni fëmijën tuaj janë të pafundme. Një mënyrë sa argëtuese, pjesmarrëse, bashkëpunuese dhe zhvilluese është ndërtimi i një vullkani me sodë në shtëpi. Nëse fëmija juaj është i rritur dhe ka mësuar në gjeografi vullkanet, tani është momenti të shohë një të tillë. Shikoni në internet video tutoriale se si t’i krijoni dhe veproni.

Këto janë disa aktivitete, që mund të zhvilloni me fëmijën tuaj. Por sigurisht, ju mund t’i provoni, mund t’i ndryshoni ose t’i pasuroni me të tjera. E rëndësishme është që ju të kaloni kohë, kohën më të bukur me fëmijët tuaj, në këto ditë festash.

Asnjë gjë nuk i bën më të lumtur fëmijët tuaj, sesa JU!

 

 

Add Your Comment