Si të veprojmë me fëmijët që flasin me vonesë? 6 Këshilla për prindërit

 

NGA LOGOPEDE ERTIOLA LUGJI

 

Aktivitetet për nxitjen e të folurit tek i vogli juaj, mund dhe duhet të ushtrohen në kushtet e shtëpisë, në rastet kur fëmija juaj nuk po prodhon fjalë për të komunikuar. Aktivitetet duhet të përfshijnë, si të folurit (formimi i tingujve), ashtu dhe gjuhën (përdorimi i fjalëve dhe renditja e tyre për të formuar fjali). Megjithatë, fokusi duhet të qëndrojë tek gjuha, pasi të komunikuarit nëpërmjet gjesteve, mimikës, tingujve, fjalëve ka më shumë ndikim te zhvillimi gjuhësor se qartësia e të artikuluarit të fjalëve. Le t’u hedhim një sy rekomandimeve të mëposhtme:

  1. Fikni televizorin

Edhe pse ky nuk është një aktivitet, është një çështje që duhet t’i referohemi. Kur TV është i ndezur në sfond, ulet kontakti sy-më-sy që keni me fëmijën. Në këtë moment, përqendrimi dhe vëmendja e të voglit tuaj luhatet, prandaj, sigurohuni që mos ta lini TV ndezur gjithë kohën. Studimet kanë vërtetuar se gjuha mësohet më mirë nga ndërveprimi human sesa nga të shikuarit e TV.

  1. Lexoni së bashku

Lejojeni vogëlushin tuaj të zgjedhë vetë librat që dëshiron të lexojë. Pajiseni bibliotekën e fëmijës me libra të thjeshtë, me figura tërheqëse, rreth të cilave rrëfeni ngjarjet. Tregoni me gisht elementët e ndryshme në libër dhe komentojini. Mos lexoni fjalët e shkruara në libër, pasi qëllimi është t’i mësoni fëmijës të flasë, jo të lexojë. Nëse në libër ka vjersha të shkurtra, të cilat rimojnë, mund t’ja mësoni të voglit tuaj.

  1. Përdorni gjestet dhe gjuhën e trupit

Gjestikulacionet zhvillohen gjithmonë përpara gjuhës së folur. Njerëzit janë të prirur për të përdorur këtë lloj komunikimi që nga muaji 8-9 i jetës, prandaj, nëse i vogli juaj nuk ka arritur akoma të shprehet, sigurohuni që të përdorë gjuhën e trupit. Për shembull, nëse i thoni fëmijës “Eja të të përqafoj”, njëkohësisht, hapni krahët fort dhe e ftoni të vijë drejt jush. MOS u shqetësoni! Të mësuarit e gjuhës së shenjave nuk shkakton asnjëherë vonesë gjuhësore.

  1. Këndoni këngë

Fëmijët mësojnë shumë fjalë dhe shprehje nëpërmjet këngëve dhe vjershave me rimë. Një mënyrë e duhur për të fiksuar këngët, është t’i shoqëroni këngët me kërcime dhe lëvizje të trupit. Sa më shumë që i vogli juaj të familjarizohet me këngët, aq më tepër i lini hapësirë ta këndojë vetë këngën, pa u shoqëruar prej jush.

  1. Përsëritni dhe zgjeroni

Ky është një aktivitet që duhet bërë në çdo çast, me çdo lojë. Sa herë që vogëlushi juaj thotë një fjalë ose bën me shenjë, detyra juaj është të përsëritni dhe zgjeroni. Për shembull, nëse fëmija ju kërkon të pijë ujë “Ujë”, ju thoni menjëherë pas tij “Ujë, ti do ujë” dhe në momentin që i jepni ujin fëmijës, atëherë i thoni “Ujë, ti pi ujë”.

  1. Luani jashtë shtëpisë

Loja në një kopsht, ballkon, park, etj., ju ofron mundësinë t’i mësoni fëmijës tuaj fjalë dhe shprehje të pafundme. Flitini vogëlushëve tuaj për lulet, kafshët, ngjyrat në kopshtin tuaj ose tregojini një zog dhe një flutur që fluturojnë; retë dhe diellin në qiell; gjethet, ujin ose rërën në tokë, etj. Aq më mirë do ishte, sikur të kishit shumë lodra me vete, për t’i përdorur në mënyra të ndryshme në ambjentin e jashtëm të shtëpisë tuaj.

Siç e shikoni, ka shumë mënyra se si aftësitë gjuhësore mund të zhvillohen në kushtet e shtëpisë. E rëndësishme është t’i përqaseni fëmijes me aktivitetet që i pëlqejnë, pasi të mësuarit e gjuhës duhet të vijë sa më natyrshëm, këndshëm dhe në mënyrë argëtuese.

Add Your Comment