Nga Mariglena Muçi
Gjatë gjithë rrjedhës së historisë familja ka pasur një një rol të rëndësishëm në shoqëri, aq sa është shndërruar në një institucion social më vete. Ajo është cilësuar si qeliza e parë e shoqërisë dhe çdo jetë fillon nga aty. Prandaj ndikimi i saj është shumë i rëndësishëm në jetën sociale të gjithësecilit dhe po aq i rëndësishëm është edhe roli i anëtarëve brenda saj. Marrëdhëniet ndërmjet tyre janë të forta dhe kanë pasoja të ndërsjellta ndaj njëri-tjetrit, por sigurisht themelin kryesor e mbartin prindërit. Për këtë arsye prindërimi është bërë një nga sfidat më të mëdha në ditët e sotme.
Në anën tjetër aftësia ndryshe vendos një sërë kërkesash dhe sfidash shtesë përballë sistemit dhe strukturës së familjes. Kështu të pasurit e një fëmije me aftësi ndryshe ka një efekt të madh mbi gjithë familjen, prindërit, motrat, vëllezërit e më gjerë. Këto efekte varen shpesh nga lloji i gjendjes së fëmijës dhe ashpërsia që e karakterizon, që do të thotë se krahas kujdesit parësor të një cilësie të lartë, fëmija ka nevojë edhe për një kujdes të specializuar të vazhdueshëm. Kështu që, “kostoja” emocionale, psikologjike, fizike, financiare do të jetë e lartë!
- Kjo fillon që në momentin e marrjes së lajmit nga familjarët, për gjendjen e fëmijës, e cila shpesh sjell zemërim, mërzitje, stres ndaj anëtarëve të saj. Ata përballen me pakënaqësi dhe paragjykime, brenda dhe jashtë familjes.
- Përballja me fëmijën me aftësi ndryshe ka efekte në marrëdhënien ndërmjet partnerëve.
Kjo përballje mund të ketë efekte pozitive, sepse mund të përforcojë marrëdhënien ndërmjet tyre, të rrisë ndërgjegjësimin dhe përpjekjen në të mirë të fëmijës. Ndërsa për të tjerë mund të ketë efekte negative sepse partnerët fajësojnë njëri-tjetrin, kryesisht nënën për gjendjen e fëmijës dhe bëhen shkak për lindjen e konflikteve dhe shtimin e divorceve.
- Ndryshimin e roleve brenda familjes dhe heqja dorë nga puna ose karriera
Historikisht, roli i nënës ka qënë i fokusuar në lidhje me rritjen dhe edukimin e fëmijëve dhe babai në plotësimin e nevojave bazë të familjes. Por teknologjia dhe industrializimi i shoqërisë, solli punësimin në masë të madhe të prindërve jashtë familjes. Në situata të tilla, prindërit detyrohen të heqin dorë nga puna ose karriera dhe të bëhen kujdestarë të fëmijës. Në pjesën më të madhe kjo ndodh nga nënë, por studimet tregojnë se janë jo të pakta rastet kur këtë rol e marrin edhe baballarët dhe përkushtohen në kujdesin ndaj fëmijës.
- Efektet tek motrat dhe vëllezërit
Përgjithësisht, në fëmijëri deri në adoleshencë, ku fëmijët ende nuk kanë arritur maturimin e duhur, efektet mund të kenë pasoja negative. Ata vuajnë nga paragjykimet e të të tjerëve në shkollë për gjendjen e vëllait ose motrës, ose mund të ndiejnë xhelozi për përkujdesjen më të madhe që mund të marrë nga prindërit vëllai ose motra me aftësi ndryshe. Por ka dhe plot raste të tjera ku ata marrin rolin e të rriturit para kohe dhe ndihmojnë në kujdesin ndaj vëllait ose motrës. Me rritjen e tyre, këto efekte negative fillojnë të zbehen dhe ata bëhen më të ndërgjegjshëm dhe ndihmojnë në arritjen e solidaritetit dhe kohezionit në familje.
- Efektet tek gjyshërit ose të afërmit
Gjatë historisë kemi parë se gjyshet dhe gjyshërit kanë luajtur një rol të rëndësishëm në përkujdesjen ndaj nipërve ose mbesave të tyre. Në masë të madhe ata ofrohen edhe si kujdestarë, për t’u kujdesur për nipat ose mbesat me aftësi ndryshe. Por, mungesa e informacionit dhe specializimi i duhur, i vendos përballë sfidave, streseve, ankthit etj. Po kështu ndodh edhe me të afërmit të cilët mund të ofrojnë mbështetje për fëmijën, por ka dhe plot të tjerë që mund të jenë paragjykues ndaj tyre.
- Efektet në ekonominë familjare
Ashtu siç e përmendëm edhe më sipër, kostoja finanaciare për kujdesin ndaj fëmijëve me aftësi ndryshe ëshë e lartë. Nevojat specifike të këtyre fëmijëve kërkojnë shërbime dhe terapi të specializuara nga profesionistë si: mjeku, psikologu, mësuesi ndihmës, logopedisti etj. Krahas këtyre, në varësi të gjendje së fëmijës, kanë nevojë edhe për medikamente, karrocë e burime materiale të tjera, të cilat janë të kushtueshme dhe shumë prej tyre nuk gjenden në Shqipëri.
- Efektet në shoqëri
Bazuar mbi teorinë e Brofenbremer, i cili flet për një ekologjizëm të zhvillimit njerëzor, ai i përshkruan këto efekte se përhapen nga një individ tek familja, lagjia, komuniteti, shoqëria sipas sistemeve. Kështu të pasurit e një fëmijë me aftësi të kufizuar ka një efekt të madh edhe në shoqëri. Familja përballet me paragjykime të shumta, aty ku shoqëria është më tradicionale dhe më pak e civilizuar, që e sheh gjendjen e fëmijës si sëmundje dhe jo si aftësi ndryshe dhe speciale. Atëherë, prindërit përjetojnë një vetëvlerësim më të ulët, edhe për faktin se si do të jetë e ardhmja e fëmijës së tyre. Ndërsa, vendet më të zhvilluara janë më të ndërgjegjësuara në këtë drejtim dhe ofrojnë më shumë mbështetje e solidaritet për fëmijët me aftësi ndryshe.