Cila është mosha e përshtatshme për t’ju mësuar fëmijëve shkronjat dhe numrat? Ertiola Lugji, logopede

 

Secili prind dëshiron t’i ofrojë fëmijës mundësinë për të mësuar sa më shumë gjëra gjatë viteve të para të jetës. Një nga pyetjet që ju drejtohet shpesh profesionistëve, që punojnë me zhvillimin e fëmijëve, është “Kur duhet t’ja mësoj numrat dhe shkronjat fëmijës?”. Ju ftojmë të lexoni artikullin, i cili do t’ju japë përgjigjen që po kërkoni.

Në pyetjen e drejtuar në hyrje ka një paqartësi: duhet t’i mësojmë konceptet e numrave dhe shkronjave vizualisht (të njihen nga shqisa e shikimit), të mësojmë t’i shkruajmë apo të jemi në gjendje t’i themi përmendësh?

Për këtë, drejtohemi nga gurët e zhvillimit, të cilët përfshijnë aftësitë që çdo fëmijë duhet të arrijë në një moshë të caktuar.

Le të shohim çfarë duhet të dimë rreth numrave:

  • Shumica e studimeve pohojnë se një fëmijë është në gjendje që të njohë të paktën një ose dy numra rreth moshës 12 muajshe. Në këtë rast, me njohje nënkuptojmë faktin që fëmija e thotë numrin, por nuk ka të zhvilluar konceptin e numërimit.
  • Rreth moshës 24 muajshe, fëmija do të jetë në gjendje të numërojë 1 dhe 2, madje dhe të përgjigjet për moshën e tij / saj.
  • Ndërmjet 24-36 muajve të parë të jetës, shumica e fëmijëve mund të mësojnë konceptin e numërimit deri në 5 (edhe pse në mënyrë automatike / përmendësh).
  • Pas kësaj moshe, pra duke filluar nga 3 vjeç e sipër, fëmija arrin të bëjë lidhjen e numërimit me paraqitjen e numrave. Kjo është dhe mosha, në të cilën fëmija ka ushtruar mbajtjen e lapsit në dorë dhe mundet edhe të shkruajë numrat që ka mësuar.

Duhet theksuar fakti se të gjitha këto aftësi të paraqitura më lart, nuk fitohen në mënyrë spontane. Prindi duhet ta vendosë fëmijën në kontakt me numrat dhe konceptin e tyre që brenda vitit të parë të jetës, pavarësisht nëse fëmija nuk e koncepton numrin. Të mësuarit e numrave lidhet me proceset e njohjes, numërimit, veprimeve matematikore dhe analizimit, që zhvillohen gradualisht gjatë fëmijërisë dhe vazhdon edhe në bankat e shkollës. Prandaj, dhe të mësuarit e tyre duhet të vijë me ritme të ngadalta. P.sh., nuk mund të pretendojmë që një fëmijë 2 vjeç të marrë 3 molla në dorë dhe të thotë “Unë kam 3 molla”, por në këtë moshë mund t’i mësojmë fëmijës t’i përgjigjet pyetjes “Sa vjeç je ti?” —-> “2 vjeç”.

 

Përsa i përket mësimit të shkronjave, studiues të ndryshëm shprehen se rreth moshës 3 vjeç fëmija duhet të vihet në kontakt me konceptin e tyre.

  • Mosha 3-4 vjeç është periudha, gjatë së cilës i vogli juaj mëson shkronjat e para të alfabetit dhe kryesisht, shkronjat e emrit të vet. Në këtë moshë, fëmijët mund të arrijnë të lexojnë edhe fjalë të thjeshta në librat e fëmijëve, si: beee, tak-tak, ham-ham (edhe pse për këtë të fundit ka teori që besojnë se është pjesë e të mësuarit përmendësh e librit dhe nuk vjen nga njohja e shkronjave).
  • Rreth moshës 5-7 vjeç, fëmija mëson të njohë, të lexojë dhe të shkruajë shkronjat.
  • Alfabeti ka një periudhë të mësuari nga 3-6 vjeç.

Mbani mend, fëmijët janë të ndryshëm në zhvillim dhe në preferencat e tyre. Vogëlushi juaj mund të mësojë konceptet e shkronjave para numrave, ose kushëriri juaj 3 vjeçar mund të numërojë deri në dhjetë, POR kjo nuk do të thotë se ju duhet të ushtroni presion tek fëmija juaj për t’i mësuar këto koncepte. Ajo çfarë ka më tepër rëndësi, është ta bëni procesin e të mësuarit sa më argëtues për fëmijën. Një ndër rregullat dhe parimet kryesore të të nxënit është t’u japësh vogëlushëve kënaqësi, pozitivitet dhe inkurajim. Nëse fëmija juaj shfaq probleme në të mësuar, atëherë ju duhet ta mbështesni, të punoni me të në kushtet e shtëpisë, dhe mbi të gjitha, drejtojuni një specialisti.

Add Your Comment