Nga Mariglena Muci
Nisja e klasës së parë është një nga momentet më të bukura dhe një hap i rëndësishëm në jetën e të gjithë fëmijëve. Por jo për të gjithë ky fillim është njësoj. Ata hasin vështirësi të shumta, jo vetëm se përballen me një mjedis të ri, me shokë e shoqe të reja, por hasin dhe vështirësi në mësimin e shkronjave, numrave, të lexuarit, të shkruarit etj.
Këto vështirësi bëhen edhe më të theksuara kur vijnë për shkak të një çrregullimi në të nxënë ose në të shkruar. Një ndër këto çrregullime është disgrafia, e cila kërkon vëmendje dhe kujdes të veçantë, sidomos nga mësuesit. Në rradhë të parë ata duhet ta njohin këtë problematikë e pastaj ta ndihmojnë nxënësin me vështirësinë që has.
Kjo mund të arrihet vetëm duke ndjekur një sërë teknikash dhe strategjish, që i përgjigjen nevojës së fëmijës. Këto janë:
1. Mjedisi pozitiv luan rolin kryesor në zhvillimin e fëmijës. Ata ndjehen më të inkurajuar dhe më të kënaqur kur mësojnë në një mjedis pozitiv dhe me një klimë pozitive brenda klasës. Nuk dekurajohen kur gabojmë dhe janë të gatshëm të provojnë përsëri, sepse shkrimi është një aftësi e tillë. Prandaj, është shumë e nevojshme që mësuesit, të krijojnë një mjedis pozitiv brenda klasës dhe bashkëpunim e mbështetje të fortë nga shokët e shoqet e klasës.
2. Zhvillimi i aktivitete të vizatimit dhe pikturës, ku bëjnë pjesë vizatimi i lirë, ngjyrosja e figurave, bashkimi i pikave etj. Ku më e rëndësishmja në to është mbajtja saktë e lapsit. Ata kanë preference për lapsa të ndryshëm dhe me ngjyra të ndryshme, por duhet të sigurohemi, që kanë lapsa të një cilësie të mirë. Ata i ndihmojnë të praktikojnë shkrimin e tyre.
3. Lapsi duhet të jetë prej materiali plumb i mirë dhe i shkurtër, jo më i gjatë se 6 cm dhe i trashë. Ai vendoset ndërmjet gishtit të madh dhe tregues, ndërsa gishti i tretë vendoset nën to.
4. Gjithashtu për tu mësuar me përdorimin e tij dhe për të forcuar motorrikën fine, lapsi mund të përdoret me një material ndihmës (doreza), e cila i mban gishtat e mbyllura dhe ndihmon të shkruash saktë.
5. Letër grafiku është një material i mirë, që ata mund të përdorin për të shkruar, sindomos në lëndën e matematikës. Vijat në letrën grafike ndihmojnë për të mbajtur drejt kolonat dhe i ndihmon fëmijët për tu përqëndruar.
6. Dërrasa ose bordi i bardhë (whiteboard), ku fëmija mund të shkruajë ose vizatojë me shkronja të mëdha ose figura të ndryshme, të cilat e ndihmojnë me lëvizjen e muskujve.
7. Mbajtja e dorës për ta ndihmuar fëmijën në ruajtjen e drejtimit dhe të shkruarit nga e majta në të djathë
8. Zhvillimi i aktiviteteve skiptografike si: përgatitja e shkronjave në etiketa të vogla me material (karton ose letër) me ngjyrë dhe t’i zgjedhin për të formuar fjalën, sipas asaj të dhënë
• Vijëzimi i numrave ose shkronjave sipas atyre të paraqituara me pika, të cilat e ndihmojnë fëmijën të praktikohet dhe të ruajë drejtimin
• Plotësimi i shkronjave ose numrave në vendet bosh sipas fjalës ose modelit të dhënë si shembull në fillim, të cilat e ndihmojnë të praktikojë shkrimin dhe të ruajë drejtimin
9. Zhvillimi i aktiviteve të ndryshme për nxitjen e shprehive për koordinimin sensoro-motorr të lëvizjeve të duarve e të gishtave në të shkruar, edukim psikomotorr, kontroll të qëndrimit të ekuilibruar ulur, pozicion i drejtë i trupit etj. Këto përfshijnë qëndrimin dhe këndin, duke u siguruar një tavolinë, karrige me mbështetje, që përqëndrojnë drejt posturën e trupit të nxënësit.Vendosja e rregullt, në balancë e librit me faqen, fletoren dhe mjetet e punës
10. Zhvillimi i ushtrime dhe aktivitete me shkronjat në reliev, duke i ngjyrosur dhe prerë, duke i formuar me plastelinë, duke i formuar dhe punuar me materiale të ndryshme, të cilat ndihmojnë shumë në zhvillimin e aftësive motorrike, forcimin e kontrollit dhe koordinimit
11. Imitimi- mësuesi duhet të shkruajë ngadalë, saktë dhe me lexueshmëri, sepse nxënësi shpesh imiton atë, kur ai modelon dhe shkruan para tij.
12. Dhënia më shumë kohë nxënësit për kryerjen e detyrave, sepse për shkak të vështirësisë, ai punon më ngadalë
13. Leximi është shumë i rëndësishëm për të përmirësuar të shkruarit. Sa më shumë të lexojnë nxënësit aq më shumë do të familjarizohen me fjalët, me mënyrat e të shprehurit, me llojet e teksteve etj. E sindomos leximi me zë të lartë, sepse kombinimi i të parit, të lexuarit dhe të dëgjuarit ndihmon shumë në memorizimin e asaj, që ata kanë lexuar.
Nëse doni të ndihmoni nxënësin tuaj, atëherë filloni t’i praktikoni!