Prej disa ditësh, në rrjet qarkullon një video e shkëputur nga një program televiziv, ku fëmijë të moshave të ndryshme konkurrojnë me njëri-tjetrin në kërcim. Në videon në fjalë kanë tërhequr vëmendjen komentet që dy nga anëtarët e jurisë i bëjnë një vogëlusheje lidhur me peshën dhe marrëdhënien e saj me ushqimin.
Ditën e sotme, psikologia Lorela Garuli ka publikuar një shkrim në portalin përnënat.al, lidhur me këtë ngjarje, të cilin e gjeni më poshtë.
Ky episod që ka tërhequr vëmendjen, mund të shikohet fillimisht në një këndvështrim pak më të përgjithshëm, që janë: dalja e fëmijëve nëpër media, rrjete sociale dhe kompeticione, elementet që nxisin konkurrencën. Të dy këto elementë janë disa dinamika që i përcaktojnë prindërit, ka prindër që janë dakord dhe ka të tjerë që nuk janë dakord dhe kjo lidhet me edukimin, ambicien, me faktin çfarë duan ata të përcjellin.
Ajo që unë do të ndalesha pak më tepër, që më duket shumë shqetësuese, por pa e marrë vetëm si rast konkret, sepse do të doja ta trajtoja si fenomen, është pjesa e bullizimit të pastër, të qartë, ngacmimit, talljes, vënies në siklet, vënies në lojë të një fëmije nga një i rritur, i cili ka autoritet apo pushtet, në këtë rast atë mediatik apo të profesionistit dhe të të gjykuarit.
Këto janë episode që ndodhin shumë dhe nëpër klasa. Fatkeqësisht, ka shumë raste që shpesh herë janë mësuesit, të cilët nxisin dinamika të tilla bullizuese.
Është absolutisht shumë e dëmshme ajo që ndodh në aspektin njerëzor dhe ajo që ndodh është, ajo që themi shpesh se fëmijët edukohen nëpërmjet shembullit, modelit, pastaj fjalës. Modeli në këtë rast është tërësisht negativ. Çfarë mund të ndodhë me një vajzë të tillë, aq të vogël, të pambrojtur, e cila vihet në siklet publikisht nga një i rritur. Sigurisht që gjithë të tjerët do të fillojnë të tallen me të. Këtu ka një komponent tjetër shumë negativ, që lidhet pak edhe me stereotipet gjinorë apo me pritshmëritë për trupin ideal. Në një kohë që të gjithë përpiqemi ta vëmë thkesin te thelbi, te përmbajtja, ta vëmë rëndësinë më shumë tek e brendshmja dhe jo tek disa kile më tepër, ky lloj komenti, drejtuar një vajze të vogël që është pak mbipeshë, është negativ dhe minues i vetëbesimit të saj.
Një koment i tillë është negativ t’i bëhet një të rrituri, një kolegu t’i komentosh pamjen e jashtme dhe kilet e tepërta, aq më tepër një fëmije.
Lehtësia dhe guximi me anë të të cilit disa personazhe publike, por edhe disa të rritur që kanë një lloj pushteti, siç mund të jenë mësuesit, gjejnë të drejtën për të vënë fëmijët në siklet, nuk është aspak e hijshme dhe shumë e dëmshme në nivel psikologjik. Ndoshta ata nuk janë vërtet të vetëdijshëm për efektet që krijojnë, por ka ardhur koha që edhe vetë prindërit ta mendojnë dy herë përpara se t’ja “dorëzojnë” fëmijën këtyre lloj formateve apo dinamikave të caktuara.